Policia e Tiranës ka arrestuar dy vëllezër, të cilët ishin në kërkim nga autoritetet italiane.
Dy vëllezërit, 32-vjeçari Oltion Hoxha dhe 35-vjeçari Bashkim Hoxha Kothere, janë me masë sigurie arrest në burg nga Gjykata e Savona, Itali, për veprat penale “Grabitja me armë” dhe “Rrëmbimi i paligjshëm” parashikuar nga Kodi Penal italian. Vijojnë procedurat për ekstradimin e tyre, në Itali.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë
Finalizohet nga Seksioni i Kërkimit në DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Brothers”.
Të akuzuar nga autoritetet italiane, për grabitje me armë dhe rrëmbim të paligjshëm, kapen në Tiranë dhe arrestohen me qëllim ekstradimin në Itali, dy vëllezër.
Shërbimet e Seksionit të Kërkimit në DVP Tiranë, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në inteligjencën informative mbi vendndodhjen e dy shtetasve në kërkim (vëllezër) kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Brothers”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Seksionit të Kërkimit kanë kapur në zonën e Kisnostudios dhe në zonën e Freskut, shtetasit B. H. alias B. K., 35 vjeç, dhe O. H., 32 vjeç, të dy banues në Tiranë, të cilët u arrestuan me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Savona, Itali, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Grabitja me armë” dhe “Rrëmbimi i paligjshëm” parashikuar nga Kodi Penal italian.
Vijojnë procedurat për ekstradimin e dy vëllezërve, në Itali.