Në Shqipëri qarkullojnë gjithsej 1.5 milionë karta bankare me më shumë se një funksion. Rreth 95% e kartave janë me funksion pagese, ndërsa 5% me funksion paraje elektronike, e thënë ndryshe 1.4 milionë dhe 72 mijë. Nga kartat që shërbejnë për kryerjen e pagesave, 1.3 milionë ose 92% e tyre janë karta debiti, ndërsa 121 mijë ose 8% janë karta krediti.
Në krahasim me tremujorin e dytë, totali i kartave bankare në qarkullim është shtuar me 2.5%. Ndikimin më të madh në këtë rritje e kanë dhënë kartat me funksion debiti, të cilat në periudhën korrik-shtator kanë pësuar një rritje me 2.5%, ndërkohë që kartat e kreditit janë rritur në një masë shumë më të vogël, vetëm me 0.7%.
Për sa i përket llojit të kartës, VISA dhe Mastercard janë të vetmet që përdoren në vendin tonë, ndërkohë që kartat lokale dhe American Express nuk emetohen më që prej 2022-it.
Kështu, tregu i kartave bankare në Shqipëri dominohet nga ndërkombëtaret VISA dhe MasterCard, të cilat kanë bërë një ndarje thuajse të barabartë të përqindjes së kartave që zotërojnë në treg. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se gati 51% e kartave në Shqipëri janë VISA, ndërkohë që 49% janë MasterCard.
Një numër më i lartë i kartave bankare është tregues i rritjes së përfshirjes financiare, por gjithashtu një tregues i orientimit të qytetarëve për nga pagesat elektronike dhe reduktimit të parasë cash në ekonomi, i cili është dhe një ndër objektivat që Banka e Shqipërisë synon të arrijë.