Transport falas për pensionistët në Tiranë, si do të bëhet regjistrimi për abonetë e përmuajshme!

0
101

Buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2025 do të ketë në fokus shpërblimin mujor për çdo pensionist, i cili vjen në formën e abonesë së përgjithshme falas.

Në vijim të dëgjesave publike për buxhetin e vitit 2025, kryebashkiaku Erion Veliaj bëri me dije një ditë më parë se pas përfundimit të punëve në disa nga asetet kryesore të kryeqytetit, është koha për të qenë më solidarë me ata që i kanë dhënë shumë Tiranës ndër vite, të moshuarit.

Bashkia e Tiranës ka gati planin e subvenciomit me 100 për qind të abonesë urbane për pensionistët.

PENSIONISTET

“Në këtë mandat të tretë është koha për t’u siguruar që mbarojnë të gjitha punët e rëndësishme për qytetin. Por, me buxhetin e ri, ne propozojmë një projekt, të cilin unë e kam shumë për zemër: aboneja falas për pensionistët e Tiranës, pra për të gjitha gratë mbi 60 vjeç dhe burrat mbi 65 vjeç. Aboneja e përgjithshme kushton 16 mijë lekë të vjetra në muaj. Në total janë 192 mijë lekë.

Përveç bonusit që jep qeveria për pensionistët, bashkia jep çdo muaj një 16 mijë lekësh, në formën e abonesë. Pra, transport falas për të gjithë gjyshërit dhe gjyshet tona, për të cilët jemi mirënjohës për sakrificën dhe punën e tyre. Mund të jetë dikush që pyet: ‘Pse e bëtë tani, pse jo që në fillim?’, sepse nuk i kishim mundësitë në fillim. Trashëguam një Tiranë totalisht të falimentuar. Sot kur kemi bërë pjesën më të madhe të punëve, Tirana e ka mundësinë që të jetë e majtë, solidare dhe mbështetëse për ata që i kanë dhënë më shumë qytetit tonë, që janë pensionistët”, – deklaroi Veliaj.

SI MERRET ABONEJA

Kryebashkiaku shpjegoi për të gjithë pensionistët si do të funksionojë marrja e abonesë përmes regjistrimit në njësinë administrative.

“Do të bëhet vetëm njëherë regjistrimi te njësia administrative. Shkon për t’u futur në regjistrin e udhëtarëve. Kjo është vetëm për Tiranën. Bashkia e Tiranës nuk mund të subvencionojë një pensionist që vjen nga një vend tjetër, sepse taksat i paguan te qyteti tjetër.

Kjo vlen vetëm për ata që janë rezidentë të Tiranës, sipas ligjeve të shtetit. Do të thotë se ne regjistrohemi vetëm një herë në njësi. Do të bëhet një njoftim publik dhe pastaj çdo muaj me atë regjistrim merr abonenë. Aboneja subvencionohet 100% nga Bashkia e Tiranës, sipas operatorit që e ka lëshuar atë abone. Njësoj siç kemi bërë me abonenë e studentit”, u shpreh kryebashkiaku.