Furnizuesi i Shërbimit Universal e ka mbyllur me fitim vitin 2023 dhe pritshmëritë janë të njëjta edhe për vitin 2024.
Sipas shifrave të raportuara nga ky dikaster pranë Entit Rregullator të Energjisë, rezultati financiar për vitin 2023 është me një fitim prej rreth 30 mln lekë, ndërkohë që për vitin që sapo u mbyll pritet një fitim prej rreth 1 mld lekë. Mbyllja e këtyre viteve me bilanc pozitiv, vjen pas vitit 2021 kur kompania publike e furnizimit doli me humbje.
Rezultatet financiare ishin një prej argumenteve të përdorur nga FSHU, që është pjesë e OSHEE Group për uljen e çmimit të energjisë për kategorinë e konsumit familjar deri në 700 kWh.
“Në kushtet e përmirësimit të ndjeshëm të situatës financiare të shoqërisë, si dhe perspektivës së zhvillimit për vitin 2025 kërkojmë rivlerësim të kostove që përcaktojnë cmimin për Klientët e Shërbimit Universal, që furnizohen në nivelin e tensionit të ulët 0.4 kV”, – thuhej ndër të tjera në kërkesën e FSHU.
Ndërkaq, si rezultat i uljes së çmimit të energjisë në 8.5 lekë/ kWh nga 9.5 lekë/kWh për klientët që konsumtojnë deri në 700 kWh energji në muaj, për vitin 2025 parashikohet një rënie e të ardhurave. Gjithsesi pritshmëritë janë që bilanci edhe për vitin 2025 të jetë pozitiv, me një vlerë fitimi prej rreth 25 mln lekë. SCAN TV