Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur Korçën për të kaluar fundjavën, nga ku edhe dha lajmin se atje do të hapet qendra e parë turistike të skive në Shqipëri.
Në një videomesazh në Facebook, kreu i qeverisë shkruan se rreth gjysmë milionë vizitorë e turistë kalojnë të paktën 1 natë në “Parisin e vogël” gjatë vitit.
“Tani i ka ardhur radha qendrës së parë turistike të skive në Shqipëri”, u shpreh Rama, duke shtuar se ky projekt do e vendosë Korçën në hartën europiane të turizmit të skive.
Kryeministri theksoi gjithashtu se do të ndezë një motor të ri me shumë kuaj fuqi në ekonominë e të gjithë qarkut.
“Këtë dimër, si asnjë dimër 160 bujtina, njëra më e bukur se tjetra, plot e përplot çdo fundjavë, rreth gjysmë milionë vizitorë e turistë që kalojnë të paktën 1 natë në Parisin e vogël gjatë vitit. 1 dekadë më parë nuk kishte këmbë të huaji, ndërkohë që bujtinat numëroheshin me gishta dhe mezi mbanin veten.
Tani i ka ardhur radha qendrës së parë turistike të skive në Shqipëri, projekt që do ta fusë Korçën në hartën europiane të turizmit të skive dhe do të ndezë një motor të ri me shumë kuaj fuqi në ekonominë e të gjithë këtij qarku, ku lidhjet e rilindura rrugore me Kolonjën dhe Përmetin kanë sjellë vlerë të shtuar në paketën e bukur turistike të kësaj zone. Mirë e më mirë dhe më e mira ëshgtë e gjitha përpara për Korçën dhe gjithë Shqipërinë”, shprehet Rama.