Gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Romës kanë pezulluar vendimin për ndalimet e të 43 emigrantëve të vendosur në kampet e Gjadrit në Lezhë dhe ka referuar dokumentet në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.
Agjencia italiane e lajmeve Ansa, raporton se azilkërkuesit do të kthehen nesër (1 shkurt) në Itali.
Edhe transferimet e mëparshme të emigrantëve në Shqipëri të organizuara nga qeveria Meloni, tetorin dhe nëntorin e kaluar, u anuluan me vendime të magjistratëve të seksionit të imigracionit të gjykatës së Romës, të cilët nuk vërtetuan ndalimet e urdhëruara nga selia e policisë së kryeqytetit.
Vendimi i parë daton në 18 tetor dhe kishte të bënte me 12 azilkërkues nga Bangladeshi dhe egjiptianë të dërguar në qendrën e Gjadrit.
Gjyqtarët kanë mohuar vlefshmërinë e ndalimeve për shkak të “pamundësisë së njohjes së shteteve të origjinës së personave të ndaluar si “vende të sigurta””.
Vendimi i dytë është i datës 11 nëntor 2024, ku u kthyen 7 persona, sërish egjiptianë dhe bangladeshas.
Krahasuar me rastin e parë, qeveria kishte nxjerrë ndërkohë një dekret për përcaktimin e listës së re të vendeve të sigurta. Megjithatë, masa nuk ka shërbyer për të shmangur një përfundim tjetër të gjykimit.
Magjistratët në fakt kanë pezulluar vendimin për vleftësimin e paraburgimit, duke e lënë gjithçka në dorën e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Por thelbi nuk ka ndryshuar: azilkërkuesit janë liruar.
Në të njëjtën kohë, gjyqtarët i kërkuan Gjykatës së Luksemburgut sqarim për përputhshmërinë e cilësuar si “të dyshimtë” të dekretit të qeverisë me standardet europiane. Organi i BE-së pritet të nxjerrë një vendim për këtë çështje më 25 shkurt.