Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po kërkon të arrijë një armëpushim në Ukrainë deri më 20 prill, raporton Bloomberg.
Burime qeveritare i thanë agjencisë së lajmeve se administrata Trump dëshiron të bëjë një marrëveshje armëpushimi me Rusinë deri për Pashkët Katolike, që datojnë më 20 prill të këtij viti.
“Administrata Trump u ka thënë zyrtarëve evropianë se dëshiron të sigurojë një armëpushim në Ukrainë deri në Pashkë”, shkruan Bloomberg, duke cituar burime të informuara për bisedimet.
Sipas gazetës, disa zyrtarë evropianë menduan se ritmi i negociatave ishte ambicioz dhe ndoshta jorealist. Bisedimet thuhet se do të nisin me një takim të përfaqësuesve rusë dhe amerikanë në Arabinë Saudite në ditët në vijim.
Evropës nuk do t’i jepet një vend në negociata, u tha Keith Kellogg diplomatëve të lartë evropianë të shtunën.
Pavarësisht kësaj, zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar dhe të BE-së kanë frikë se SHBA pret që ata të mbajnë mbi supe barrën e sigurisë së pasluftës së Ukrainës, shkruan Financial Times.
Plani përfshin gjithashtu krijimin e një zone të çmilitarizuar të drejtuar nga trupat evropiane, pa përfshirje të drejtpërdrejtë të oficerëve dhe ushtarëve amerikanë, ndërsa Ukraina do të njohë sovranitetin rus mbi rajonet që aneksoi në mënyrë të njëanshme.
Ukraina do të detyrohet të tërheqë trupat nga rajoni rus i Kurskut.
Ndonëse të pakonfirmuara zyrtarisht dhe larg kërkesave të qeverisë Zelensky, mediat thonë se bisedimet për t’i dhënë fund luftës do të nisin me bisedime mes Trump e Putin deri më 20 shkurt, çka përkon me përvjetorin e tretë të luftës, e më pas SHBA-të thuhet se do ta shtynin Ukrainën të pranonte një armëpushim deri më 20 prill.
Fakt është se rreth datës 20 shkurt është planifikuar një vizitë në Ukrainë nga i dërguari special amerikan Keith Kellogg, i cili po merr pjesë edhe në Konferencën e Sigurisë së Mynihut ku tha se “Evropa do të konsultohej, por nuk do të ulej në tryezën e bisedimeve të paqes për Ukrainën”.
Më 12 shkurt, Trump njoftoi fillimin e negociatave me Moskën për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, pas thirrjeve me sundimtarin rus Vladimir Putin.
Deklarata e tij shkaktoi një valë kritikash, pasi ekspertët paralajmëruan se mund të ishte një armëpushim sipas kushteve të Putinit pa garanci sigurie për Ukrainën, veçanërisht pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth i quajti aspiratat e Ukrainës për anëtarësim në NATO “joreale”.
Kjo deklaratë shkaktoi shqetësime edhe në Evropë, pasi përfaqësuesit e saj nuk u përfshinë në negociata.
Mes pasigurisë nëse SHBA do të çojë në një dobësim të NATO-s për shkak të qëndrimit të saj gjithnjë e më izolues, shumë media dhe analistë e kanë etiketuar këtë strategji si një fitore për Rusinë.