Apeli i GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për sekuestrimin e celularit dhe sendeve të tjera. Ajola Xoxa ka ankimuar vendimin e datës 20 dhjetor 2024 të Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e sendeve të saj, por kërkesa u rrëzua gjatë sencës së sotme, nga magjistratit Engert Pëllumbi. Kujtojmë se Engert Pëllumbi mori në shqyrtim çështjen, pasi gjyqtarja Iliriana Olldashi paraqiti aktin ‘Raport për paaftësinë e përkohshme në punë’.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 19.02.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 53, datë 12.02.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesve A.X., Shoqëria Tregtare “***” sh.p.k., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 736, datë 20.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me kundërshtimin e vendimit për sekuestrimin e sendeve”, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 736, datë 20.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.