Donald Trump e shpalli veten “mbret” pas përpjekjeve të administratës së tij për të rrëzuar tarifat e reja për shoferët në Manhattan, të cilat synonin të mblidhnin fonde për sistemin e vjetruar të transportit publik në qytet.
“Tarifimi i trafikut të rënduar është i vdekur” shkroi ai në Truth Social të mërkurën. “Manhatani dhe e gjithë New York-u janë shpëtuar. Rroftë Mbreti!”
Llogaria e Shtëpisë së Bardhë në X më pas ndau deklaratën e tij, së bashku me një kopertinë tallëse të revistës Time, ku shihej një portret i presidentit me një kurorë në kokë dhe mbishkrimin “rroftë mbreti.”
Në një letër drejtuar guvernatores së New York-ut, Kathy Hochul, të mërkurën, Sekretari i Transportit, Sean Duffy, paraqiti kundërshtimet e presidentit ndaj programit të tarifimit të trafikut, i pari i këtij lloji, duke pretenduar se zyrtarët federalë do të diskutonin me shtetin për “ndalimin e rregullt të operacioneve të tarifimit.”
Duffy e quajti programin “të gabuar dhe të padrejtë” si dhe një “shuplakë në fytyrë për amerikanët e klasës punëtore dhe pronarët e bizneseve të vogla.”
“Transporti publik është shtylla kryesore e New York City dhe jetik për të ardhmen tonë ekonomike — siç e di shumë mirë një njujorkez, si Presidenti Trump,” u kundërpërgjigj Hochul.
Që kur programi hyri në fuqi muajin e kaluar, trafiku i automjeteve në New York “ka rënë ndjeshëm dhe udhëtarët po arrijnë në punë më shpejt se kurrë,” tha ajo.