Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë pasur një marrëdhënie të shumëanshme dhe shumë të veçantë. Si çdo marrëdhënie dypalëshe, asimetrike, edhe kjo marrëdhënie ka kaluar nëpër faza të ndryshme, duke përjetuar transformime të rëndësishme – nga periudhat e ndërveprimeve intensive, konvergjencës së interesave, dhe një nivel të lartë bashkëpunimi dhe bashkërendimi të politikave, në një marrëdhënie më të ndërlikuar, e cila ndonjëherë është karakterizuar nga mosmarrëveshjet mbi çështje themelore.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë forca shtytëse për çlirimin e Kosovës, shpalljen e pavarësisë dhe konsolidimin e shtetformimit.
Administratat e njëpasnjëshme amerikane, republikane dhe demokratike, kanë ndjekur një politikë të qëndrueshme ndaj Kosovës. Vizioni i Amerikës për Kosovën ka qenë një vend i qëndrueshëm, i begatë dhe demokratik, me institucione të forta të pavarura, qeverisje të mirë, respekt për shtetin e së drejtës, respektimin e të drejtave të pakicave dhe marrëdhënie të mira me fqinjët.
Për dekada të tëra, SHBA-ja është angazhuar në mënyrë të qëndrueshme për të ndihmuar Kosovën të përballet me sfidat e saj të brendshme dhe të jashtme, duke nxitur qendrueshmërinë dhe demokratizimin e saj dhe duke ofruar mbështetje të konsiderueshme diplomatike, politike, ekonomike dhe ushtarake. SHBA luajti një rol të drejtpërdrejtë dhe udhëheqës në sigurimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Përpjekjet e diplomacisë publike amerikane në emër të Kosovës ishin të rëndësishme në sigurimin e njohjes nga më shumë se 100 vende. Shtetet e Bashkuara luajtën gjithashtu një rol kyç në mbrojtjen e çështjes së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila vendosi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare. Kosova gëzonte mbështetje të gjerë dypartiake dhe ishte në qendër të vëmendjes së nivelit të lartë. Udhëheqësit dhe zyrtarët kosovarë gëzonin qasje të pazakontë ndaj politikëbërësve kryesorë amerikanë. Në dekadat e fundit, SHBA ka dhënë rreth 2 miliardë dollarë ndihmë. Një kontigjent i trupave amerikane është pjesë e KFOR-it, i cili mbron sigurinë e Kosovës.
Nga ana e saj, Kosova ka qenë një aleat i vendosur amerikan, një partner i rëndësishëm në Ballkan dhe një mbështetës i veprimeve të politikës së jashtme amerikane. Ajo ka ndarë objektivat amerikane për të kundërshtuar ndikimin rus dhe kinez dhe përpjekjet e tyre destabilizuese në rajon. Me kërkesën e Uashingtonit, ajo ka pranuar edhe refugjatët afganë. Kosova është padyshim vendi më pro-amerikan në Evropë. Shumë shqiptarë kanë arritur ne përfundim se marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara janë të përhershme dhe vendimtare për mirëqenien e Kosovës.
Falë mbështetjes së Amerikës, Kosova është një histori suksesi. Ajo ka bërë përparim të ndjeshëm në konsolidimin e shtetit të saj, ka një rend demokratik funksionues, një ekonomi tregu dhe marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët e saj, me përjashtim të Serbisë. Kosova nuk ndryshon në mënyrë të konsiderueshme nga fqinjët e saj sa i përket qeverisjes, sundimit të ligjit, institucioneve të pavarura, mbrojtjes së pakicave, respektimit të të drejtave të njeriut, lirive të shtypit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta.
Përkundër këtij përparimi, Kosova është në fazë kalimtare. Sfida më e madhe e saj është kërcënimi nga Serbia. Njëzet e pesë vjet pas përfundimit të luftës së vitit 1999, Beogradi vazhdon të minojë sovranitetin e Kosovës, duke mbështetur strukturat paralele në veri, duke nxitur incidente të dhunshme dhe duke punuar kundër anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Ndërsa bota ka ecur përpara, shqiptarët dhe serbët mbeten peng i së kaluarës së tyre të trazuar. Ata ende e shohin marrëdhënien e tyre si çdo fitore për njëren pale është humbje për palen tjetër. Me vizionet konkurruese të marrëdhënies së tyre, të dy palët nuk kanë arritur të marrin përgjegjësinë dhe të çojnë përpara procesin e pajtimit. Ndërsa Kosova kërkon njohjen nga Beogradi, Serbia përpiqet për një ndarje de facto dhe deri tani ka kundërshtuar çdo zgjjidhje që do të forconte sovranitetin e Kosovës.
SHBA dhe BE kanë punuar ngushtë për të lehtësuar një dialog midis Prishtinës dhe Beogradit, duke trajtuar një sërë çështjesh me shpresën se në fund të procesit do të kishte një pajtim dhe Serbia do ta njihte Kosovën. Bisedimet e lehtësuara nga BE çuan në nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh në 2013 dhe 2015, duke parashikuar integrimin e autoriteteve policore dhe gjyqësore në veri në sistemin e Kosovës, reciprocitetin e targave dhe, më e diskutuara, krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe.
Ndërsa disa nga marrëveshjet u zbatuan, marrëveshja që kërkonte një asociacion të komunave me shumicë serbe shkaktoi mosmarrëveshje të mëdha. Pothuajse menjëherë, Beogradi dhe Prishtina ofruan interpretime të ndryshme të marrëveshjes. Beogradi këmbëngul se asociacioni duhet të ketë fuqi ekzekutive – një vijë e kuqe për të gjitha forcat e mëdha politike në Kosovë. Shumë shqiptarë besonin se marrëveshja ishte me të meta dhe se procesi i dialogut ishte në thelb një përpjekje për të ri-negociuar pavarësinë. Sipas tyre, SHBA dhe BE po e detyronin Prishtinën të bënte lëshime, ndërsa nuk ushtronin trysninë e duhur ndaj presidentit Aleksandar Vuçiç për të njohur Kosovën.
Krijimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ishte gjithashtu një çështje tepër polarizuese. Shqiptarët e shihnin themelimin e Gjykatës Speciale si një sulm ndaj sovranitetit të Kosovës dhe si një përpjekje për të barazuar krimet e Serbisë me krimet shqiptare. Padia e presidentit Hashim Thaçi në qershor të vitit 2020, ndërsa ai ishte rrugës për në Shtëpinë e Bardhë për një takim me Presidentin Trump dhe Presidentin Vuçiç, u pa si nga mbështetësit dhe kundërshtarët e tij si një ngjarje tejet poshtëruese.
Qeveria e Kosovës u përball me sfida në rritje në balancimin e përparësisë së shtrirjes së autoritetit të saj në veri me thirrjet për të pranuar kërkesat serbe, të cilat synonin qartë pakësimin e sovranitetit të Kosovës. Udhëheqësit e Prishtinës nuk ishin në gjendje të propozonin një alternativë të besueshme për marrëveshjen e asociimit apo të zhvillonin një politikë koherente ndaj pakicës serbe. Ndërkohë, ata u përballën me situatën e parehatshme ku SHBA, aleati i tyre kryesor, gradualisht, por me pamedyshje, po ndryshonte politikat e saj dhe, sipas tyre, po merrte gjithnjë e më shumë anen e Serbinë. Shumë shqiptarë nuk mund ta kuptonin se si Uashingtoni nuk shfaqte mbeshtetje për qëndrimin e Prishtinës dhe se si fuqitë perëndimore, që kishin ndërmarrë fushatën ushtarake që çliroi Kosovën, nuk e shihnin Serbinë nëpërmjet prizmit të tyre. Por SHBA dhe aleatët e saj evropianë nuk e kishin parë kurrë Serbinë nëpërmjet prizmit të Kosovës dhe qëndrimi i tyre ndaj Kosovës ishte tani pjesë e një konteksti më të gjerë, rajonal. Presidenti Vuçiç ishte rehabilituar – vetëm shqiptarët kujtonin lidhjet e tij me regjimin e Millosheviçit – dhe tani shihej si një aktor i rëndësishëm për çështje të ndryshme.
Pavarësisht mosmarrëveshjeve të shfaqura dhe momenteve të tensionit lidhur me bllokimin e bisedimeve me Serbinë, Prishtina bashakëpunoi ngushtë me Uashingtonin. Udhëheqës të lartë, si presidentët Thaçi, Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga dhe kryeministrat Isa Mustafaj, Ramush Haradinaj dhe Avdullah Hoti mbështetën imazhin e lidhjeve të forta dhe bashkëpunimi vazhdoi të zgjerohej në të gjitha fushat.
Pas zgjedhjes së tij si president, Hashim Thaçi vendosi që ai, në vend të kryeministrit, siç ishte praktika deri atëherë, të udhëhiqte bisedimet me Serbinë. Ky u bë një proces negociues shumë i personalizuar, dhe aktorë të tjerë vendor u menjanuan. Pas një sërë takimesh me Vuçiçin, në verën e vitit 2018 Thaçi propozoi atë që ai e quajti si një “korrigjim kufijsh” me Serbinë. Plani i tij nxiti përçarje të brendshme dhe dallimet serioze u shfaqën midis Thaçit dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili e denoncoi presidentin si gërmuesin e rëndë të pavarësisë së Kosovës. Dialogu me Serbinë u ndërpre në dhjetor 2018, kur Haradinaj vendosi tarifa 100% për mallrat nga Serbia.
Marrëdhënia e fortë dhe e gjithëaneshme e Kosovës me Shtetet e Bashkuara u provuan ashpër me arrdhjen në pushtet të kryeministrit Albin Kurti. Kurti shënoi një fitore mbresëlënëse në zgjedhjet e vitit 2021, duke siguruar 58 nga 120 vende në parlament. Ai kishte një mandat më të fortë se çdo udhëheqës tjetër që nga pavarësia për të marrë vendime të veshtira në avancimin e procesit të pajtimit me Serbinë.
Që në fillim, Kurti e bëri të qartë se dialogu nuk ishte në krye të axhendës së tij. Ai me ngurrim mori pjesë në bisedimet me Serbinë, por nuk u arrit shumë përparim. Në mars të vitit 2023, Kurti dhe Vuçiçi pranuan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, që synonte normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Marrëveshja e Ohrit ofron një plan udhëzuese për zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, parashikon një nivel të vetë-qeverisjes për pakicën serbe dhe njohjen reciproke të simboleve shtetërore. Marrëveshja nuk kërkon që Beogradi të njohë Kosovën, por ajo e pengon Serbinë të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ndërsa Vuçiç pranoi gojarisht marrëveshjen, ai refuzoi ta nënshkruante atë. Kryeministrja Ana Brnabiç më pas i dërgoi një letër Brukselit, duke deklaruar se Serbia nuk mund të zbatonte disa pjesë të marrëveshjes që nënkuptonte njohjen de facto nga Beogradi të Kosovës.
BE këmbënguli se marrëveshja ishte detyruese dhe u kërkoi të dy palëve ta zbatonin atë. Kurti shprehu gatishmërinë për të nënshkruar marrëveshjen, por ai këmbënguli se Kosova nuk do të vazhdojë me zbatimin nëse Vuçiçi nuk nënshkruan gjithashtu marrëveshjen dhe nuk e tërheq letrën e Brnabiçit.
Ndërkohë, gjendja në veri u përkeqësua, me një seri incidentesh të dhunshme. Anëtarët serbë të parlamentit, kryebashkiakët, gjyqtarët, prokurorët dhe policët dhanë dorëheqjen. Kurti u përgjigj duke ndërmarrë veprime për të integruar veriun në sistemin ligjor dhe administrativ të vendit. Ai çmontoi institucionet paralele, mbylli bankat serbe, mandatoi përdorimin e monedhës EURO dhe rriti praninë e forcave speciale të sigurisë. Kurti përdori një retorikë nacionaliste dhe pohoi se masat e tij kishin çuar në shtrirjen e sovranitetit të Kosovës. Veprimet e tij ishin popullore dhe u mirëpritën nga përkrahësit e tij dhe popullsia në përgjithësi, por ato i dhanë një goditje strategjike Kosovës.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura të zyrtarëve amerikanë dhe të BE-së për të bashkërenduar veprime të tilla të diskutueshme në veri, Kurti nuk arriti të tregojë ndjeshmëri ndaj SHBA-së, duke dëmtuar kështu seriozisht marrëdhëniet me aleatin më të rëndësishëm strategjik të Kosovës. Si SHBA ashtu edhe BE vendosën masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Për ironi të fatit, mandati i Kurtit përkoi me atë të Joe Bidenit. Presidenti Biden ishte njohes i mirë i çështjeve shqiptaro-serbe dhe, si senator dhe zëvendëspresident, ishte një nga mbështetësit më të fortë të Kosovës. Anëtarët e lartë të administratës së tij kishin luajtur role të rëndësishme gjatë luftës së vitit 1999 dhe konsideroheshin miq të Kosovës. Në vend që të përfitonte nga këto marrëdhënie personale dhe qasja në shumicën e politikëbërësve të lartë, Kurti arriti të tjetërsojë disa nga mbështetësit më të flaktë amerikanë të Kosovës.
Kurti nuk bëri përpjekje serioze për të mbrojtur dhe ndërtuar marrëdhënien më të rëndësishme të Kosovës. Ai i nënvlerësoi masat ndëshkuese të vendosura ndaj vendit të tij dhe mbajti iluzionin se marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara ishte e paprekur. Ai gjithashtu nuk ndërmorri ndonjë përpjekjet të dukshme në rrafshin e diplomacisë publike për të shpjeguar qëndrimin e qeverisë së tij apo për të ofruar një alternativë të besueshme që mund të kishte qenë e pranueshme për Uashingtonin. Ndërsa përpjekjet e diplomacisë publike në vetëvete nuk mund të kishin siguruar zgjidhje të favorshme për Prishtinën, ato mund të kishin kontribuar në zgjerimin e marrëdhënieve dhe një kuptim më të mirë të faktorëvenë të cilët mbështetën politikat e Kosovës.
Kjo ishte në kontrast me qasjen e ndjekur në të kaluarën nga udhëheqësit e Kosovës. Në vitet 1990, Ibrahim Rugova u angazhua në një fushatë të gjerë publike në Shtetet e Bashkuara, duke shpjeguar qëndrimet e Kosovës dhe duke bërë përpjekje për të siguruar mbështetje dhe për të forcuar lidhjet. Ai arriti të ndërtojë marrëdhënie të vlefshme dhe të siguroi mbeshtetje për pozitën e Kosovës. Presidenti Rugova gjithashtu angazhoi bashkësinë e vogël, por me ndikim, shqiptaro-amerikane, e cila luajti një rol të madh në rritjen e ndërgjegjësimit të publikut dhe sigurimin e mbështetjes amerikane. Shqiptaro-amerikanët përdorën një shumëllojshmëri taktikash dhe mediash për të ndikuar tek zyrtarët kryesorë të politikës amerikane – në Shtëpinë e Bardhë, Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin e Shtetit. Aktivistët e komunitetit siguruan gjithashtu mbështetje të rëndësishme në Kongres. Ligjvënësit e fuqishëm, si Përfaqësuesi Tom Lantos, Senatori Dennis DeConcini, Senatori Bob Dole, Senatori Joe Biden, Përfaqësuesi Eliott Engel, dhe të tjerë, u bënë mbështetës të fortë të Kosovës. Pas çlirimit, Rugova dhe udhëheqësit e tjerë kosovarë vazhduan në mënyrë krijuese angazhimet për të shtrirë mbeshtetjen e Kosovës në arenën politike dhe mediale amerikane.
Sulmi brutal i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 shkaktoi një ndryshim të ndjeshëm të objektivave të politikës së jashtme amerikane në Ballkan. Administrata Biden u përqëndrua në angazhimin e Serbisë në kontekstin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Edhe pse Serbia nën presidentin Vuçiç e kishte minuar vazhdimisht procesin e negociatave me Kosovën, qëndrimet amerikane ndaj Serbisë u zhvendosën në mënyra që minuan pozitën e Kosovës. Moderimi i qëndrimit agresiv të Serbisë ndaj Kosovës zuri vendin e dytë në përpjekjet për të bindur Beogradin të ndryshojë qëndrimin e tij pro-Rusisë.
Mendimi i përgjithshëm është se Kurti i keqmenaxhoi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe ndoshta shpërdoroi mundësinë më të mirë që pati gjatë periudhës së tij si kryeministër për të çuar përpara ndjeshëm interesat e vendit të tij. Ndërsa veprimet e tij dëmtuan marrëdhëniet e veçanta të Kosovës me Shtetet e Bashkuara, ato nuk duket se e kanë përmirësuar në mënyrë të matshme pozitën e Kosovës. Autoriteti i Prishtinës në veri mbetet i dobët dhe integrimi i serbëve mund të jetë bërë edhe më i vështirë.
Sot, marrëdhënia SHBA-Kosovë është në një pikëkthesë të rëndësishme. Administrata e re Trump dhe zgjedhjet e fundit në Kosovë paraqesin si sfida, ashtu edhe mundësi për të kthyer marrëdhëniet SHBA-Kosovë në rrugën e duhur.
Kosova përballet me një situatë të re gjeo-politike, e cila nuk është domosdoshmërisht në favor të saj. Pikëpamja e Presidentin Trump për politikën e jashtme është transaksionale, Ai ka sjellë ndryshime të thella në kursin e politikës amerikane. Përmirësimi i marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, diplomacia shternguese që po ushtrohet ndaj Ukrainës për të bërë lëshime ndaj Moskës, dhe ndërrime të tjera në strategjinë amerikane sinjalizojnë një largim nga axhenda e mëparshme e Uashingtonit për nxitjen e demokracisë, luftën kundër ndikimit të Rusisë në Ballkan, dhe të sfidimit të autoritarizmit në rritje në rajon.
Administrata Trump ende nuk ka formuluar një strategji të qartë ndaj Ballkanit dhe mbetet për t’u parë nëse Kosova do të jetë në qendër të vëmendjes së administratës. Mesazhi i Presidentit Trump drejtuar Presidentes Vjosa Osmani, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës ishte mesazh pozitiv. Ai shprehu mbështetje të plotë për Kosovën dhe tha se Shtetet e Bashkuara “mezi presin të ndërtojnë një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës gjatë vitit të ardhshëm.”
Por Kosova mbetet shumë e prekshme nga ndryshimi i politikës amerikane dhe peizazhi i ri gjeo-politik. Serbia tashmë ndihet e inkurajuar nga kthimi i Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në një fjalim në një tubim në Mitrovicën e Sremit me rastin e Ditës së Shtetformimit të Serbisë, më 15 shkurt, Vuçiçi përdori një ton agresiv. Ai deklaroi se Kosova ishte “pjesë e territorit tonë” dhe pretendoi se protestat tre-mujore studentore u nxitën nga të huajt sepse ai refuzoi të “kapitullonte” mbi çështjen e Kosovës. Ai denoncoi në mënyrë specifike USAID-in dhe Fondin Kombëtar për Demokraci (National Endowment for Democracy) për gjoja organizimin e një “revolucioni ngjyrash” që synonte rrëzimin e tij nga pushteti. Vuçiçi mund të përpiqet të përdorë çështjen e Kosovës për të larguar vëmendjen nga trazirat e brendshme në rritje nëpërmjet incidenteve provokuese në veri dhe duke këmbëngulur me kërkesat e tij për një marrëveshje të ngjashme me atë të Dejtonin. Kosovës i mungon kapaciteti për të mbrojtur sigurinë e vet dhe nuk mund ta marrë më si të mirëqenë se KFOR-i do të mbronte sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.
Zgjedhjet e fundit të Kosovës, megjithatë, ofrojnë një mundësi. Situata e re kërkon një udhëheqje të pjekur që është në gjendje të ndërmarrë veprime konkrete dhe të qëndrueshme për të rivendosur marrëdhëniet e njollosura të Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe për të kërkuar ndihmën e Uashingtonit në arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë që e forcon sovranitetin e saj. Kjo e bën të nevojshme formimin e shpejtë të një qeverie të re. Pavarësisht se kush e formon qeverinë e ardhshme, Kurti apo forcat opozitare, Kosova ka nevojë për një marrëveshje ndërpartiake për të zhvilluar një politikë koherente. Ajo gjithashtu ka nevojë që në poste të rëndesishme të kabinetit të emërohen zyrtarë pragmatikë, me peshë dhe që kanë aftësitë e nevojshme për tu përballuar me situata të ndërlikuara. Në të kaluarën, mungesa e konsensusit për çështje themelore ka dëmtuar qëndrimin e Kosovës dhe ka krijuar keqdashje në rradhët e mbështetësve të saj më të fortë. Duke pasur parasysh pasiguritë që lidhen me ndryshimet e tanishme strategjike dhe faktin se Kosova po vepron nga një pozitë më e dobët, forcave kryesore politike të vendit do t’u duhet të lënë mënjanë interesat e tyre të ngushta politike, të zhvillojnë një qëndrim të përbashkët mbi çështjet thelbësore dhe të hartojnë një rrugë të qartë përpara.
Emërimi i përfaqësuesit të ri special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi paraqet një mundësi për një fillim të ri. Por një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë që do të shpinte në njohje të ndërsjelltë nuk ka gjasa në mungesë të një angazhimi intensiv diplomatik amerikan. Shtetet e Bashkuara kanë bërë investime të mëdha në Kosovë dhe tani do te duhej ta ndihmonin Kosovën të arrijë më në fund objektivat për të siguruar sovranitetin e saj të plotë dhe për të arritur një paqe të qëndrueshme me Serbinë.
Uashingtoni ka besueshmërinë dhe aftësinë për të ndihmuar Kosovën të formësojë të ardhmen e saj. Një Kosovë sovrane, e qëndrueshme, e begatë dhe demokratike është në interesin kombëtar të SHBA-së.
*
Fjala në konferencën mbi marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara, mbajtur ne Universitetin George Washington, me 18 shkurt 2025