Deri në datën e zgjedhjeve parlamentare, përfundimit të afatit 90 ditor të bllokimit të mbështetjes financiare nga administrata amerikane, por dhe të sqarimit të marrëdhënieve BE-SHBA, Shqipëria do të jetë në ajër nga pikëpamja politike, në një gjendje paqartësie si dhe pasigurie, mendon akademiku Artan Fuga. Ai vlerëson se një dinamikë e re shquhet në politikën shqiptare me rikthimin e Donald Trump.
“E konsideroj një gjendje papërcaktueshmërie. Askush nga aktorët politikë nuk e di mirë ku e ka mbështetjen e ku se ka; çfarë kërkon e çfarë do të bëjë. Pra është një gjendje amullie dhe mungesë qartësie për veprimin politik. Kjo për mua është kriza. Problemi shtrohet menjëherë për klasën politike shqiptare. E para për PS qeverisëse: e ka më mbështetjen e administratës amerikane? Ndajnë më të njëjtat pikëpamje? Shihet PS dhe kryeministri siç shikohej më parë? Por ka problem edhe opozita. Se shtrohet pyetja: Presidenti Trump dhe administrata do ta rishikojë pozitën e qëndrimin ndaj z.Berisha apo jo?, tha Fuga.
Sfumimi nga jeta politike do të duhet të ndodh për një nga drejtuesit e dy partive kryesore pas votimit të sovranit, sipas Fugës i cili parashikon një fushatë zgjedhore më të tensionuar në këtë situatë.
“Unë mendoj që në 11 maj njëra nga dy figurat politike do jetë e detyruar të lëshojë vendin. Ose zoti Rama rinovon mandatin ose nëse humbet zgjedhjet nuk ka sens më të vazhdojë si kryetar ndërkohë që ka bërë tre. Edhe zoti Berisha ose fiton zgjedhjet, në momentin që nuk i fiton zgjedhjet ai bëhet viktimë në thonjëza e kritikës që ka bërë vetë ndaj Bashës. Pse? Se do jetë një humbës”, shtoi akademiku.
Urdhrat e presidentit Trump kanë prekur edhe reformën në drejtësi, e cila për Artan Fugën është në presionin ndërkombëtar.
“Pezullimi i fondeve për SPAK sigurisht akoma nuk do të thotë asgjë. Por një shenjë është, që do të thotë se SPAK nuk u trajtua në mënyrë më specifike në krahasim me OJF. U bllokuan të tëra. Prokurorët nuk e di çfarë kanë menduar, por unë në vend të tyre do mendoja që dobia ime shoqërore ka hije dyshimi që në të ardhmen mund të kthehen në dyshime serioze në rrezik për ekzistencën dhe në një përgjegjësi personale. Në atë rast, çfarë do bënin prokurorët? Të gjitha dosjet që do ti kishin nuk do ti vononin më. Dhe nuk do të presin para apo pas zgjedhjeve se është vetë në trysni. Në trysninë që po e bëni punën apo jo?”, përfundoi akademiku, Artan Fuga.