“I forti” i Dobraçit, Safet Bajri u arrestua nga RENEA mesditën e sotme në banesën e tij. Tre ditë më parë, forcat speciale zhvilluan kontrolle në Shkodër, në kërkim të Bajrit, por dështuan ta prangosin. SPAK kishte lëshuar një urdhërarresti për të, ndërsa GJKKO vendosi masën e sigurisë arrest në burg. Safet Bajri akuzohet për vasjen e Fatbardh Licit, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2018 në Shkodër.
Fatbardh Lici është vëllai i “Tatës”, Mustafa Lici dhe xhaxhai i Ibrahim Licit, i shpallur gjithashtu në kërkim ndërkombëtar, për vrasjen e Endri Mustafës.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se SPAK ka bashkuar në një vetme dosjet e disa ngjarjeve kriminale në Shkodër, të dyshuara se janë kryer nga grupi kriminal Bajri, por brenda këtij grupi besohet se ka disa fraksione.
Përplasjet më të njohura në Shkodër, vitet e fundit, janë ato mes fiseve Bajri dhe Lici.
Nga hyrje-daljet familjare te vrasjet
Dy fise të njohura në Shkodër, kanë patur hyrje-dalje familjare dhe harmoni të polotë deri në 2018 kur në tregun e Shkodrës iu vendos tritol Lulzim Kullës, dhëndrit të familjes Lici. Nga shpërthimi i të cilit mbetën të plagosur Kulla dhe 8 persona të tjerë. Konsiderohej ndër ngjarjet më të rënda kriminale në Shkodër.
Edhe pse pati një pajtim mes palëve, në 2018 u ekzekutua Fatbardh Lici, vëllai i “Tatës” Mustafa Lici dhe që nga ai moment ka patur 15 viktima mes dy grupeve kriminale, ndër to edhe njerëz të pafajshëm.
Ibrahim Lici që konsiderohet kundërshtari i betuar i Bajrave, në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e Endri Mustafës dhe po ashtu dyshohet se ka qenë në automjetin ku u qëllua mbi të në 30 tetor 2024 ku mbeti i vrarë vëllai i tij Hamza Lici.
Si pjesë e grupit është i dyshuar edhe Eljo Hato, vendndodhja e të cilit ende nuk dihet.
Mësohet se SPAK ka gjetur prova për përfshirjen e Safet Bajrit në ngjarjet kriminale për të cilat akuzohet.
Atentati ndaj Lulzim Kullës, prologu i sagës kriminale Bajri-Lici
Gjithçka dyshohet se ka nisur që prej atentatit në 13 janar 2018 ndaj biznesmenit Lulzim Kulla. Shpërthimi i telekomanduar shkaktoi tetë persona të plagosur, mes të cilëve dhe Kulla. Më 18 qershor, u vra në servisin e tij teksa po riparonte brava makinash shtetasi Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje. Ende ajo ngjarje është pa autor, ndërsa riparuesi i bravave u qëllua me plumb në kokë, duke mbetur i vdekur në vend.
Më 15 korrik 2018, poshtë banesës që kishin me qira ekzekutohen çifti Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci, ndërsa bashkë me ata në makinë ndodhej edhe një fëmijë 3 vjeç, që u shpëtoi mrekullisht plumbave.
Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin Bajri që aktualisht janë të arrestuar dhe po ashtu ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje në atentatin ndaj Lul Kullës në janarin e 2018-ës dhe vrasja dyshohet se është kryer nga fisi Lici në Shkodër, që kanë lidhje me Lul Kullën, duke qenë se është dhëndri i tyre.
Më 10 gusht të 2018-ës vritet Fatbardh Lici, pjesëtar i familjes Lici, vëllai i të fortit Sokol Lici dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Mustaf Lici. Kjo vrasje dyshohet se erdhi si hakmarrje nga fisi Bajri pas vrasjes së ish-policit Bërcana.
Më 23 gusht zhduken shtetasit Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip dhe dajë, dhe ende sot nuk janë gjetur. Këta dy shtetas dyshohet se kishin lidhje me fisin Lici, ndërsa mendohet se pasi janë zhdukur, janë vrarë.
Pa kaluar shumë ditë, vjen vrasja e Arjan Ferracakut, i cili u qëllua teksa ndodhej me kalin e tij në zonën e Livadheve, më 1 shtator të vitit të kaluar. Arjan Ferracaku, pak minuta para se të vritej, kishte komunikuar me Astrit Bilalin dhe ky i fundit e kishte thirrur që të dalë me kalë, pasi Astriti do shoqëronte disa turistë nga Kosova në Liqenin e Shkodrës.
Më 14 nëntor vritet Fatos Ferracaku, kushëri i Arjan Ferracakut. Fatos Ferracaku u vra në mes të ditës, teksa po shiste peshk në lagjen “Rus”. Më 20 mars ndodh një tjetër vrasje, teksa ekzekutohet me 20 plumba Ferdinand Polia, por që është një vrasje që është zbardhur nga Policia dhe nuk ekziston asnjë lidhje me përplasjet e grupeve Bajri-Lici, por me disa ngjarje të ndodhura në Itali, ku viktima ka qenë pjesë e një grupi kriminal atje, 9 vite më parë.
Më 30 mars 2019, ekzekutohen vëllezërit Astrit dhe Brahim Bilali, babai dhe xhaxhai i Asmer Bilalit. Ky i fundit është i arrestuar bashkë me grupin Bajri i dyshuar si një prej anëtarëve të këtij grupi.