Nga Doriana Musai
Më 16 shkurt 2018, subjekti Fusha shpk, me administrator Z.Shkëlqim Fusha, i drejtohet me një letër, Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës, me subjekt “Shprehje interesi mbi zhvillimin e zonës së Teatrit Kombëtar”, ku ndër të tjera, vë në dukje se shoqëria e tij, “ka në pronësi një pjesë të zonës”, pa specifikuar asnjë të dhënë për pronën të cilës i referohet. E megjithatë, edhe pa këtë përcaktim se për cilën pronë bëhej fjalë, Erion Veliaj, gjashtë ditë më pas, i drejtohet Këshillit të Ministrave, duke i përcjellë letrën me “shprehje Interesi”. Në shkresën që mban numër protokolli Nr. 6848/1, datë 23-02-2018, kryebashkiaku tanimë, nën “arrest me burg” nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si i dyshuar për veprën “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendore” dhe veprën “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, i kërkonte, atëkohë, Këshillit të Ministrave, që të merrte hapat e mëtejshëm mbi këtë propozim të paraqitur nga subjekti privat.
*(Bashkia Tiranë, në kuadër të ushtrimit të funksioneve dhe përgjegjësive të saj në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike, si edhe atyre në fushën e kulturës lidhur ngushtë këto me plotësimin e kushteve bashkëkohore për organizimin e tyre, po ju përcjellim për t’u shqyrtuar dhe vlerësuar nga ana juaj shprehjen e interesit të paraqitur nga ana e shoqërisë “Fusha”shpk dhe marrjen e hapave të mëtejshëm mbi këtë propozim të paraqitur.)
*Ekstrakt nga letra e cituar
Fusha nuk ishte i panjohur për Bashkinë Tiranë dhe Qeverinë shqiptare, në fakt në të njëjtën kohë, kur dërgoi letrën e shprehjes së interesit, subjekti ishte në marrëdhënie kontraktuale me Bashkinë Tiranë, për tenderin e punimeve të sheshit Skënderbeje, shpallur fitues më 15-08-2016. Sheshi ‘Skënderbej’ u inagurua në maj të vitit 2018, disa muaj pas “shprehjes së interesit”. E njejta kompani, del në tenderat dhe prokurimet publike, praktikat e të cilave, prokuroria speciale SPAK, i ka tërhequr në Bashkinë Tiranë në kuadër të hetimeve paraprake, dhe gjenden të renditura në faqet (95-96-97). Ku ndër më të spikaturit janë dy shtesa të kontratës së sipërmarrjes “Rikualifikimi Urban i Sheshit Skënderbej Faza I-rë”, datë 27.12.2018 “; Shtesë kontrate për objektin “Rikualifikimi Urban i Sheshit Skënderbej Faza I-rë”, kontraktor Fusha shpk, me vlerë totale pa tvsh 105,331,520,83 lekë dhe shtesë kontrate datë 19.04.2018 për objektin “Ndërtim parkim nëntokësor, sheshi Skënderbej”; me vlerë totale 44,543,018 lekë. Ku më herët ishte fituar tenderi me kontratë prokurimi 06.09.2016, me vlerë 527,535,937 lekë pa TVSH, identifikuar si oferta e suksesshme. Nga tre operatorë ekonomik, që kishim aplikuar në sistemin elektronik, dy prej tyre nuk kishin paraqitur në sistemin elektronik ofertën ekonomike.
Shqetësimi i Fushës, për financat publike në ndërtimin e një teatri ende të paprojektuar “…duke qenë se vlera e investimit parashikohet shumë e lartë dhe e papërballueshme për financat publike aktuale…”. duke e mbështetur “idenë” tij, tek interesi publik i shfaqur “…mbështetur në interesin publik të shfaqur në media për ndërtimin e një teatri të ri…“, në një moment që pak kush e dinte se çfarë planesh kishte qeveria dhe bashkia, e shfaq biznesmenin në një pozitë me informacione përtej publikut.
Fusha shpk shpreh gatishmërinë të bashkëpunoj me Qeverinë, për realizimin e një godine të dedikuar vetëm për Teatrin Kombëtar dhe në përputhje me parametrat modern dhe bashkëkohor dhe 24 ditë më pas, kreu i qeverisë në takimin me dyer të mbyllura, të zhvilluar më 12 mars 2018, në COD, me kreun e Bashkisë, dhe një trupë të aktorëve të Teatrit Kombëtar, prezanton projektin e Teatrit të ri, projektuar nga danezi Bjarke Ingels, projekt i cili më vonë do të dilte se ishte paguar nga Fusha.
“Godina do shëmbet, dhe mbi gërmadhat e të shkuarës do të ngrihet teatri i ri kombëtar”- Rama në takimin e 12 marsit të 2018.
Rama, me nje projekt të paguar nga një privat, dhe me një letër për shprehje interesi, të cilës ende nuk i ishte përgjigjur zyrtarisht, ritheksoi në këtë takim, vendosmërinë e tij për idenë e shembjes së teatrit duke e krahasuar teatrin e vjetër me një “një teatër komune”, ku më shumë se sa të ndërtonte një teatër të ri, kryeministri më shumë po i gëzohej idesë së shembjes së të vjetrit.
Rama do të flasë për Projektin e Zonës i cili do të fillonte nga Teatri, dhe ku “Teatri do të jetë faza prioritare e projektit dhe garancia e ndërtimit të tij brenda tre … procedure që do të finalizohet në kuvendin të Shqipërisë për një investim kaq të madh për kulturën, dhe për Tiranën, pasi studioja”. Ndërsa Fusha e përshkruan, si zhvillimi që “do të plotësojë si hallkë e fundit, gjerdanin e ndryshimeve që qendra e Tiranës, ka pësuar gjatë viteve.”Pak muaj më vonë ky “gjerdan” do të shndërrohej në një kurth ku Bashkia, Ministria, Këshilli i Ministrave dhe vetë Fusha, do të përballeshin, me beteja ligjore dhe mediatike, dhe një protestë.
Nën lenten e re që solli Vendimi i Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë për “Korrupsionin dhe krimin e organizuar” AKTI nr.7, i datës 09.02.2025, marrëdhënia Bashki-Fusha, e nisur që nga 2016, me tenderin e lotit të parë (janë gjashtë tendera për të njejtin projekt), të sheshit Skënderbej, mund të rikornizohet. Nga dosja e përgatitur nga prokurorët specialë, del se Fusha shpk është një nga kompanitë, që kishin bërë dhurata të dyshuara dhe si të pajustifikuara ndaj OJF-së dhe shoqërive në pronësi të Ajola Xoxës, bashkëshortes së Veliajt në nëntor të vitit 2020 (faqe 65). Jemi në të njejtin vit, kur në muajin shkurt, Fusha u tërhoq nga kontrata e “fusha shpk” për ndërtimin e teatrit kombëtar, në 26 shkurt të 2020, dhe katër ditë pas pas shembjes së teatrit, më 21 maj 2020, në një intervistë me “Tv T”, Shkëlqim Fusha, do të shprehej se “Projekt-ideja është bërë nga Bjarku dhe porositur nga ne, është e paguar nga ne te Bjarku dhe ne nuk na duhet më, në fund fare mund t’ia dhurojmë bashkisë. Po, u kam premtuar, është e tyre”.
Përgjigja e Ministrisë së Kulturës, e cila, do të duhej të ishte – sipas zinxhirit të vendimarrjes,- ajo që do t’i hapte dritën jeshile “zhvillimit të përbashkët”, në protokollin e të njëjtës ministri është e regjistruar me Nr. 1393/1 Prot., datë 29.03.2018. edhe pse me një projekt të prezantuar publikisht nga shefi i saj, më herët se sa letra për “shprehje interesi” t’i shkonte në tavolinën e Ministrit, Mirela Kumbaro, më 29 mars 2018, i kthen përgjigje se “Ministria nuk disponon mjetet e mjaftueshme financiare për realizimin e një godine të re të Teatrit Kombëtar, sipas standardeve ndërkombëtare”. Ky togfjalësh do të ishte edhe kali i betejës të cilit i hipi qeveria, bashkia Tiranë, dhe instrumentat apo njerëzit e përdorur prej tyrë, për të justifikuar shembjen e teatrit kombëtar. Kumbaro më herët, në një intervistë të datës 14 shkurt 2018 u shpreh se ““Ne i kemi kërkuar kryetarit të bashkisë që të parashikojë në të njëjtin truall një projekt për Teatër Kombëtar”, duke u futur në vallen e nisur më herët, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak më 23 nëntor 2017, nga Erion Veliaj: “Kemi marrë një propozim, ndoshta një nga propozimet më të bukura që kam parë ndonjëherë, për teatrin ri kombëtar. Arkitekti i famshëm Bjarke Ingels, që sot cilësohet si arkitekti më i famshëm dhe më i suksesshëm në botë, na ka bërë një propozim tejet interesant për teatrin kombëtar.
Bashkia Tiranë, pas pesë muajsh nga kjo deklaratë e Veliajt, informon Ministrinë e Kutlurës, për “mundësinë e realizimit të një projekti zhvillimi urban..ku më kryesorja ka të bëjë me ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar”, me shkresën Nr. 6848/6, vetëm në datë 14.5.2018, tre muaj pas shprehjes së interesit nga ana e Fushës dhe dy muaj pasi Kryeministi e kishte bërë fait-açomplis.
Koha tregoi, se ai plan u vendos në një projekt, më herët se sa 12 marsi i vitit 2018, i cili edhe pse nuk u zhvillua nga Fusha shpk, dhe nuk u përfundua në tre vite siç u premtua, u pajis me leje ndërtimi në vitin 2023, nr.163/3 datë 19.06.2023 me afat përfundimi punimesh 27 muaj, ku Sipërmarrësi i punimeve është, B.O.E., BE-IS dhe AGIKONS shpk, administratori i kësaj të fundit, Gentian Sula bashkë me Shkëlqim Fushën janë persona në hetim që nga 9 shkurti i 2025, mbi të cilët rëndon akuza të të dyshuar për “korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal. Ndërsa Fusha shpk, mori kullën që donte, një kullë 23 katëshe do të ngrihet pas Teatrit Kombëtar, mbi një sipërfaqe publike prej 1,266 m2, të cilën Bashkia Tiranë e “dhuron” përmes një marrëveshje ku merr në këmbim sipërfaqe ndërtimi.
Kjo është vetëm një pjesë e dosjes së teatrit, e cila, duket se do të jetë protagoniste në shumë dosje të tjera hetimore dhe do të konkludojë me shumë gjasa, të jetë siç edhe Fusha e përcaktoi, gjerdani që do të lidhë të gjithë aferën korruptive të zhvilluar nga Bashkia e Tiranës dhe Qeveria Shqiptare.
