Ish-kryeministri Sali Berisha u shfaq me një kapele kaubojsi në një takim të fundit me disa biznesmenë shqiptaro-amerikanë. “Kaubojsi i ri në qytet” ka shkruar Berisha krahas fotos.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha kapelen prej kaubojsi e ka marrë dhuratë nga një shqiptaro-amerikan nga Teksasi Lodovik Tetaj.

Postimi i Berishës:
Miq, dje prita në një takim të ngrohtë dhe miqësor,
Z. Ramiz Tafilaj, biznesmenin e mirënjohur shqiptaro-amerikan, intelektualin, filantropistin dhe botuesin e shquar, si dhe avokatin e palodhur të çështjes kombëtare, laureatin e Çmimit Presidencial të Arritjes së Jetës, dhënë nga Presidenti Trump.
Z. Zek Nokshiqin, biznesmenin e njohur shqiptaro-amerikan, zëvendëspresidentin e komunitetit shqiptar-amerikan të Teksasit, filantropist dhe veprimtar të palodhur të çështjes kombëtare.
Z. Ludovik Tetaj, biznesmenin e suksesshëm dhe veprimtarin e palodhur të çështjes kombëtare në Teksas.
Z. Florent Zeqaj, gazetarin dhe publicistin e njohur.
Z. Ramiz Lushaj, drejtorin e gazetës Alpet.

Në këtë takim falënderova me shumë mirënjohje bashkatdhetarët tanë për mbështetjen e tyre të çmuar për Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe për angazhimin e tyre në promovimin e historisë, kulturës dhe artit të kombit shqiptar.
Në veçanti, diskutuam për organizimin e përkujtimit të përvjetorit të Betejës së Nokshiqit, një betejë e cila, së bashku me betejat e tjera të Plavës dhe Gucisë, Hotit dhe Grudës, u bë djepi i lindjes së ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve dhe që për çerek shekulli pengoi dorëzimin e këtyre trojeve shqiptare Malit të Zi nga Perandoria Osmane.
Në këtë takim, bashkatdhetarët më dhuruan botimin e Prof. Salih Krasniqit, “Krimet serbe në Kosovë 1997-1999”.