Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, sheiku Mohammed Bin Zayed Al Nahyan do të vizitojë nesër Shqipërinë. Lajmi u bë i ditur nga kreu i qeverisë, Edi Rama në Facebook.
Rama e konsideron sheikun mik të vjetër të shqiptarëve. Sheiku i është gjendur shqiptarëve pranë në kohë të vështira.
Kreu i qeverisë, tha se vizita e tij në Shqipëri, shënjon një gur të rëndësishëm kilometrik dhe të një partneriteti të forcuar kohët e fundit.
“Mirëmbrëma nga Kryeministria. Nesër kemi një vizitë shumë speciale. Për herë të parë zbret në Shqipëri si president i Emirateve të Bashkuara, sheiku Mohammed Bin Zayed al Nahyan, një mik i vjetër i shqiptarëve dhe një mik shumë i dashur i imi personalisht. Ai ka zbritur në Shqipëri më parë, në vitin 1999, me aeroplanin e tij, mbi pistën e aeroportit të Kukësit, që u shtrua nga i ati, sheiku Zayed. Themeluesi i Emirateve të Bashkuara, më mbështetje të vëllezërve dhe motrave të shpërngulur me dhunë nga Kosova.
Asokohe Emiratet, nën porosinë e sheikut Zayed sollën sasi shumë të mëdha ndihmash, përmes asaj piste të ndërtuar enkas dhe presidenti që na nderon nesër, erdhi në këmbë të të atit, së bashku me zëvendëspresidentin dhe sundimtarin aktual të Dubait, Muhamed bin Rashid Al Matum, që të dy ishin djem të rinj në forcat ushtarake të Emirateve. Vizita e presidentit të Emirateve dhe një prej udhëheqësve më të respektuar të botës së sotme, shënjon një gur shumë të rëndësishëm kilometrik, në rrugën e një miqësie dhe partneriteti që është forcuar shumë në vitet e fundit. Presidenti Bin Zayed ishte donatori më i madh për fondin e rindërtimit pas tërmetit shkatërrimtar në Durrës dhe lagja e re në Spitallë është ndërtuar e gjitha prej tij. Po ashtu nxiti marrëveshjen e rëndësishme të Portit të Durrësit, si dhe ishte kyç në marrëveshjen trepalëshe me Italinë për investimin strategjik për lidhjen nënujore energjetike që do të jetë themelore në transformimin e Shqipërisë në eksportuese neto të energjisë elektrike dhe shtet i pavarur nga ana energjetike në të gjithë rajonin.
Po ashtu me mbështetjen e pakursyer të presidentit Bin Zayed, KESH-i ynë dhe kompania e ekselencës “Masdar Group, kanë hyrë në rrugën e bashkimit, në një plan tejet ambicioz, në rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë së gjelbërt. Një tjetër vlerë e shtuar e këtij bashkëpunimi strategjik është programi i monitorimit të rrugëve dhe shkollave me teknologjinë më të lartë, si dhe krijimi i ndërmarrjes së përbashkët të letrave me vlerë. Miku ynë i çmuar vjen nesër me një delegacion të nivelit të lartë, për të vendosur të tjera piketa, në rrugën e një partneriteti që bazohet tek interesat e përbashkëta, por ushqehet nga një miqësi shumë e sinqertë shtetërore por edhe personale. Jam shumë krenar që Shqipëria sot mirëpret miq si sheiku Mohammed Bin Al Zayed, diçka që deri pak vite më parë as nuk mund të imagjinohej!”.