Kryetari i LZHK Dashamir Shehi, i ftuar në emisionin Log. të moderatorit Endri Xhafo në News 24 foli për takimin e kryeministrit Edi Rama me punonjësit e Bashkisë së Tiranës.
Shehi tha se të dyja partitë politike, si PS, ashtu edhe PD, kanë treguar se janë kundër SPAK. Ai shtoi se prokurorët e SPAK-ut duhet duhet që të mbrohen.
Dashamir Shehi, kreu i LZHK:
Diskursi i Ramës duket i agravuar. Erion Veliajt ia hoqi prizën SPAK-u. Edhe shkruarja e mbështetësve të Veliajt në SPAK, për mendimin tim, është skenar i njëjtë, e njëjta gjë që ka bërë edhe Sali Berisha.
Partitë janë bërë kundër SPAK. Prokurorët duhet të mbrohen. Sinjali është që kujdes kur ta ngrini dorën kundër nesh. Të dyja partitë politike po sulmojnë SPAK-un, me gjuhë anormale.
Rama e ka sulmuar SPAK, sepse nuk ka menduar që Struktura e Posaçme do shkojë deri këtu. Kjo situatë krijon perceptimin se Rama nuk e kontrollon SPAK. Sali Berisha nuk e ka në dorë gjithashtu SPAK-un. Këtu ka një gijotinë të vogël, që herë pas here ‘pret’ nga një kokë, nga secili krah. SPAK theu mitin se drejtësinë e ka në dorë Rama. SPAK po bën realitet atë që shqiptarët nuk e kishin menduar, që në burg të jenë kryebashkiakë, ish-kryeministra, ish-presidentë. Rezultantja e SPAK është pozitive. Rama e sulmon SPAK, për t’ju thënë mbështetësve se unë jam i fortë, se shefi juaj është ende i fuqishëm.