Dy vite pas tragjedisë në Larisa ku humbën jetën 57 persona, kujtimet janë ende të freskëta për shqiptarin Kristian Ruçi, i cili humbi të vëllanë Denisin.
Për të nderuar kujtimin e tij, por edhe të gjithë personave që humbën jetën gjatë përplasjes tragjike të një treni mallrash me një tren pasagjerësh, ai po dërgon një mesazh të fortë.
“Nuk kam oksigjen’’ është fraza që është shkruar nga i riu shqiptar, i cili i referohet fjalisë së përdorur nga një prej personave që ndërroi jetë në aksident. Viktima e tha këtë frazë teksa po komunikonte me shërbimet e urgjencës.
Kjo shprehje është përdorur si slogan i protestave dhe është parë shpesh në pankartat e demonstruesve. Për Kristianin dhimbja është e fortë si ditën e parë të tragjedisë të 28 shkurtit të vitit 2023.
“E gjithë kjo më ka lënduar vërtetë, që kur ai u largua, më dhemb. Më mungon çdo ditë”, tha vëllai i viktimës, Kristian Ruçi.
Me përdorimin e traktorëve dhe ndihmën e mikut të tij Anestis Glias, familja e të cilit zotëron fushat në fshatin Galarinos, në rajonin verior të Kalkidikisë, Ruçi thotë se realizoi shprehjen brenda një dite.
“Ne menduam se çfarë mund të bënim, në mënyrën tonë, për të treguar se ne ende po luftojmë dhe ende po kërkojmë drejtësi. Ne menduam për këtë për një javë, se si do të funksiononte kjo në një hapësirë prej 500 metrash. Kuptuam se do të na duheshin 10 metra nga qoshet dhe pesë metra për çdo shkronjë. Filluam në orën shtatë të mëngjesit deri në orën shtatë të mbrëmjes, brenda një dite mundëm ta përfundojmë atë”, tha Kristiani.
Ruçi tha se donte të dërgonte një mesazh se do të vazhdojë beteja me autoritetet për të gjetur të vërtetën dhe përgjegjësit të dënohen.
“Jam shumë i lumtur së bashku me Anestin që bëmë diçka për viktimat dhe nderuam kujtimin e tyre. Doja që të gjithë ta shikonin dhe jam i lumtur për vëmendjen që morëm”, tha Kristiani.
22-vjeçari thotë se është i zhgënjyer nga sistemi i drejtësisë në Greqi dhe hapat që janë marrë deri më tani për të zbardhur tragjedinë.
“Eshtë për të ardhur keq për të gjithë sistemin qeveritar në Greqi dhe shoh padrejtësi, tradhti nga vendi ku kam lindur”, thotë Kristiani.
Kristiani kujton për gazetarët e agjencisë së lajmeve Reuters herën e fundit që u takua me të vëllanë.
“Kontakti i fundit që kam pasur me vëllanë ka qenë një ditë më parë, kemi biseduar në telefon sepse ai kishte shkuar në një vend në Athinë që më pëlqente dhe i thashë se do të shkonim sërish bashkë në një moment. Fatkeqësisht, ne e planifikuam një gjë të tillë, por nuk shkuam kurrë”, thotë Kristiani.
Babai i Denisit tregon për mediat greke telefonatën e fundit me të birin.
“Babi do të vij vonë më tha, do t’ju telefonoj, mos hajdeni më herët. Po pres ende telefonatën e tij…”, thotë Panos Ruçi, babai i viktimës.
Prindërit e Denisit në atë kohë deklaruan për mediat greke se djali kishte prerë një biletë elektronike për në vagonin e 5-të, por mendohet se ai ka lëvizur pak minuta para përplasjes për të shkuar në të 2-tin ku ishte edhe mensa. 3 vagonët e parë ishin ato që u dëmtuan më së shumti pas përplasjes kokë më kokë të trenave.
Përveç Denisit, në aksidentin e rëndë humbën jetën edhe 5 shqiptarë të tjerë.
Ndërkohë, hetimet për ngjarjen e rëndë ende vijojnë. Dhjetëra persona janë akuzuar deri më tani, duke përfshirë një drejtues stacioni hekurudhor.
Sipas një raporti të ekspertëve të punësuar nga familjet e viktimave, përplasja çoi në një shpërthim dhe më pas një zjarr të madh. Familjarët kanë akuzuar autoritetet se po përpiqen të mbulojnë provat. Ata thonë se gati gjysma e personave humbën jetën nga zjarri që pasoi më vonë për më shumë se një orë pas përplasjes, dhe jo nga vetë përplasja.
Dy vite më vonë, nuk ka asnjë raport zyrtar se çfarë e shkaktoi tragjedinë.