Qeveria britanike do të shpallë një “paketë të madhe sanksionesh” kundër Rusisë nesër 24 shkurt, ditën që shënon 3-vjetorin nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, njoftoi Sekretari i Jashtëm britanik, David Lamy.
Është koha për të “shtrënguar lakun rreth Rusisë së Putinit”, tha kreu i diplomacisë britanike.
“Do të shpall paketën më të madhe të sanksioneve kundër Rusisë që nga ditët pas fillimit të luftës, për të minuar makinën e saj të luftës dhe për të zvogëluar të ardhurat që nxisin shkatërrimin e Ukrainës”, shtoi ai.
Bashkimi Evropian pritet të miratojë një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë të hënën, e cila do të përfshijë, ndër të tjera, ndalim të importit të aluminit rus.
Londra ka vendosur tashmë sanksione ndaj mbi 1,900 individëve dhe personave juridikë që nga fillimi i pushtimit ushtarak rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
“Ky është një moment kritik në historinë e Ukrainës, Britanisë së Madhe dhe të gjithë Evropës,” tha Lamy, vendi i të cilit është ndër mbështetësit kryesorë të Kievit.
“Kjo është arsyeja pse është koha që Evropa të dyfishojë mbështetjen e saj për Ukrainën,” shtoi ai.
Ai kujtoi se Britania mbetet e angazhuar për të ofruar ndihmë ushtarake prej 3 miliardë paund (rreth 3.6 miliardë euro) çdo vit për Kievin dhe është e gatshme të vendosë ushtarë britanikë “si pjesë e një force paqeruajtëse nëse është e nevojshme” në rast se arrihet një marrëveshje armëpushimi.
Kryeministri britanik Keir Starmer më 22 shkurt zhvilloi telefonata të veçanta me shefen e BE-së Ursula von der Leyen dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke përsëritur një mesazh të ngjashëm me atë të Lammy-t.
Starmer do të udhëtojë në Uashington për t’u takuar me Presidentin e SHBA Donald Trump më 27 shkurt, duke shpresuar të veprojë si një “urë” midis SHBA dhe Evropës për të siguruar garanci territoriale dhe të sigurisë për Kievin në rast të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës.