Kandidatët e Koalicionit Euroatlantik kanë nisur punën për identifikimin dhe regjistrimin e votuesve jashtë vendit, e teksa afati fundor për regjistrimin në platformën PER po afron, Basha kërkon vëmendje të shtuar për të maksimalizuar çdo votë.
Në mesazhin e shpërndarë, Basha shpreh mirënjohje për punën e bërë deri në këtë moment dhe u kërkon kandidatëve të angazhohen së bashku, me strukturat e Demokratëve Euroatlantik në identifikimin dhe regjistrimin e votuesve jashtë vendit sipas zonave të tyre zgjedhore. Gjithashtu kandidatëve të Koalicionit Euroatlantik, u kërkohet të caktojnë koordinatorët e tyre edhe për në shtetet dhe qytetet ku ndodhen votuesit e tyre.
Ata duhet t’i asistojnë në procesin e identifikimit, si votues me postë apo pa postë, si dhe në procesin e votimit. Duke marrë parasysh rastin e Kosovës, ku një numër i madh i votave janë deklaruar të pavlefshme, për shkak të mosrespektimit të rregullave të vendosura, koordinatorët tuaj, së bashku me strukturat e Demokratëve Euroatlantikë, duhet të asistojnë dhe të ndihmojnë që të gjithë të regjistruarit të votojnë dhe që votat të jenë të vlefshme.
