Policia ka shpallur në kërkim Trifon Muratajn, administratorin e ‘Banaking’, pasi një punëtor i kompanisë së tij, që operon në portin e Durrësit, është dëmtuar rëndë në sy duke humbur shikimin.
Ngjarja ka ndodhur më 18 shkurt dhe policia pas hetimeve paraprake ka identifikuar dhe shpallur në kërkim Murataj, i cili akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Vijon puna për kapjen e tij.
Njoftimi i policisë:
Durrës
Në lidhje me një lajm të publikuar në media, për dëmtimin e një shtetasi në vendin e punës, bëjmë me dije se:
Më datë 18.02.2025, shtetasi A. G., 48 vjeç, banues në Durrës, punonjës i një kompanie që operon në portin e Durrësit, është dëmtuar aksidentalisht në sy, gjatë punës.
Për këtë rast, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet e para për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e shtetasve përgjegjës.
Materialet procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës i kanë referuar në Prokurorinë e Durrësit, më datë 18.02.2025.
Në vijim të veprimeve, më datë 18.02.2025, është shpallur në kërkim shtetasi T. M., 56 vjeç, banues në Tiranë, administratori i kompanisë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Vijon puna për kapjen e tij.
Trifon Murataj ndodhet në kërkim edhe për kapjen në vitin 2022 të një sasie prej rreth 33 kilogramë kokaine në portin e Durrësit, e fshehur mes arkave me banane që vinin nga Ekuadori.
Pas zbulimit të kokainës, tre persona përfunduan në pranga, dy prej të cilëve punonjës të portit të Durrësit nga ku kaloi ngarkesa me kokainë.
Trifon Murataj, nga arratia mohoi të kishte lidhje me kokainën e gjetur mes bananeve. Ai jeton në Shtetet e Bashkuara dhe drejton prej atje kompaninë e importit dhe tregtimit të bananeve të njohura në treg si “Banka King”.