Lehtësirat në lëvizje, përparimet në infrastrukturë dhe zhvillimet në teknologji, dhe më kryesorja, globalizimi kanë bërë që numri i emigrantëve të rritet pas çdo viti, në mbarë botën.
Në përgjithësi, numri i vlerësuar i migrantëve ndërkombëtarë është rritur gjatë pesë dekadave të fundit. Numri total i vlerësuar në 281 milionë që jetonin në një vend të ndryshëm nga vendet e tyre të lindjes në 2020, ishte 128 milionë më shumë se në vitin 1990 dhe mbi trefishi i numrit të vlerësuar në 1970, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit (IOM).
40% e fuqisë punëtore në Shqipëri ka emigruar jashtë vendit
Sipas këtij raporti vlerësohet se rreth 40% e fuqisë punëtore në Shqipëri ka emigruar jashtë vendit. Është përfundimi që del nga raporti i vitit 2024 i Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit (IOM), por fenomeni shpjegohet sipas një tendence globale që ka prekur thuajse të gjitha kontinentet dhe vendet e botës.
Raporti vlerëson se një pjesë e madhe e fuqisë punëtore shqiptare punon në vende të tjera, kryesisht në Europë, duke theksuar se kjo lëvizje masive ka ndikim të rëndësishëm në biznesin vendas, i cili vazhdon të humbasë punëtorë, jo vetëm në sektorët me kualifikim të ulët, por edhe në ato me profile më të larta. Sipas IOM, faktorët kryesorë që kanë nxitur këtë emigrim janë: normat e larta të varfërisë, diferencat e pagave me vendet e tjera, korrupsioni dhe mungesa e meritokracisë.
Raporti tregon se Shqipëria dhe Moldavia janë dy vendet më të prekur nga largimi i fuqisë punëtore. Sikundër ndodhte në fillim të ’90, për të kaluar kufirin, edhe në vitet e fundit, mijëra të rinj shqiptarë janë detyruar të ndërmarrin udhëtime të rrezikshme drejt Evropës Veriore, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, duke rrezikuar jetën e tyre në përpjekje për një mundësi më të mirë pune. Ky fenomen është i pranishëm në shumë sektorë në Shqipëri, duke përfshirë turizmin, bujqësinë dhe shërbimet, ku mungesa e punëtorëve ka krijuar vështirësi për bizneset lokale. Megjithatë, vërehet se Shqipëria, veçanërisht pas hapjes prej pandemisë, është duke tërhequr fuqi të huaj punëtore për të përballuar nevojat e tregut të punës.
Faktorët që kanë formuar “korridoret” e migrimit gjatë viteve
Të dhënat afatgjata tregojnë se migrimi ndërkombëtar nuk është i njëtrajtshëm në mbarë botën, por është i formësuar nga faktorë ekonomikë, gjeografikë, demografikë dhe të tjerë që rezultojnë në modele të ndryshme migrimi, të tilla si “korridoret” e migrimit të zhvilluara gjatë shumë viteve.
Korridoret e migracionit përfaqësojnë një akumulim të lëvizjeve migratore me kalimin e kohës dhe ofrojnë një pasqyrë të mënyrës se si modelet e migrimit kanë evoluar në popullsi të konsiderueshme të lindur jashtë vendit në vende specifike.
Aktualisht ka një numër më të madh të emigrantëve ndërkombëtarë meshkuj se femra në mbarë botën dhe hendeku gjinor në rritje është rritur gjatë 20 viteve të fundit. Në vitin 2000, ndarja mashkull me femër ishte 50.6 deri në 49.4 për qind (ose 88 milionë migrantë meshkuj dhe 86 milionë migrantë femra). Në vitin 2020 ndarja ishte 51.9 deri në 48.1 për qind, me 146 milionë migrantë meshkuj dhe 135 milionë migrante femra. Pesha e migranteve femra ka ardhur në rënie që nga viti 2000, ndërsa pesha e emigrantëve meshkuj është rritur me 1.3 pikë përqindjeje.
Evropa dhe Azia pritën secila rreth 87 dhe 86 milionë migrantë ndërkombëtarë, përkatësisht – që përbënin 61% të stokut global të migrantëve ndërkombëtarë. Këto rajone u pasuan nga Amerika e Veriut, me pothuajse 59 milionë migrantë ndërkombëtarë në vitin 2020, ose 21 për qind e stokut global të emigrantëve, Afrika me 9 për qind, Amerika Latine dhe Karaibet me 5 për qind dhe Oqeania me 3 për qind.
Kur krahasohet me madhësinë e popullsisë në secilin rajon, përqindjet e migrantëve ndërkombëtarë në vitin 2020 ishin më të lartat në Oqeani, Amerikën e Veriut dhe Evropë, ku migrantët ndërkombëtarë përfaqësonin, përkatësisht, 22 për qind, 16 për qind dhe 12 për qind të popullsisë totale. Në krahasim, pjesa e migrantëve ndërkombëtarë është relativisht e vogël në Azi dhe Afrikë (1.8% dhe 1.9%, respektivisht) dhe Amerikën Latine dhe Karaibe (2.3%).
Megjithatë, Azia përjetoi rritjen më të dukshme nga viti 2000 deri në vitin 2020, me 74 për qind (rreth 37 milionë njerëz në terma absolutë). Evropa përjetoi rritjen e dytë më të madhe gjatë kësaj periudhe, me një rritje prej 30 milionë emigrantësh ndërkombëtarë, e ndjekur nga një rritje prej 18 milionë në Amerikën e Veriut dhe 10 milionë në Afrikë.
Më shumë se 40 për qind e totalit të emigrantëve ndërkombëtarë sipas raportit kanë lindur në Azi.