Gjatë një interviste në emisionin “NOW me Erla Mëhillin”, në Euronews Albania, gazetari Eni Ferhati ka zbuluar detaje të reja mbi seancën gjyqësore ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas tij, seanca ka qenë tepër e tensionuar, veçanërisht mes prokurorit Olsi Dado dhe kryebashkiakut, dhe vetëm ndërhyrja e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, ka shmangur përshkallëzimin e debatit në një situatë të paprecedentë.
“E thashë dhe po e theksoj edhe një herë: ka qenë zoti Dumani ai që e ka frenuar atë seancë, sepse ndoshta debati do të shkonte edhe më ashpër sesa çfarë ka zbardhur gjykata, ose më shumë, siç pretendon zoti Veliaj apo mbrojtësit e tij ligjorë”, tha Ferhati.
Një nga çështjet që ka shkaktuar debat të fortë në seancë ka qenë historia e lejes së ndërtimit të një pallati, ku një nga përfituesit rezulton të jetë edhe prokurori Olsi Dado.
“Sa i takon konfliktit të interesit për lejen, është bërë një verifikim paraprak. Olsi Dado është një nga përfituesit, por nuk është i vetmi. Ai nuk e ka marrë pallatin në emër të tij, pasi ka edhe trashëgimtarë të tjerë – pothuajse dhjetë persona – që janë gjithashtu përfitues. Ata duket se kanë pasur mesazhe ku Veliaj thotë se ka ardhur Olsi Dado për leje, ndërsa Olsi Dado thotë: ‘E kam mesazhin këtu’. Por, nëse ti ke pasur një marrëdhënie me dikë dhe pas disa vitesh gjendesh në pozitë për ta hetuar atë person, mendoj se ka një konflikt interesi. Gjithsesi, kjo çështje është verifikuar dhe gjithçka ka qenë në rregull – dhe gjithkush mund ta zhvillojë pronën e tij”, shpjegoi Ferhati.
Ferhati theksoi se prokurori Dado ka treguar shenja përfshirjeje emocionale përtej funksionit të tij, duke përmendur një tjetër seancë ku ai bëri një gabim në leximin e pretencës.
“Sa i takon ngarkesës që u përmend këtu, një ditë pas seancës, prokurori Olsi Dado, mëngjesin e datës 13, në orën 09:00, lexoi pretencën për ish-kryebashkiakun socialist, Jorgo Goro. Nuk po e sjell këtë si shembull, por ai ishte i papërgatitur dhe në këtë pretencë kishte bërë një gabim në shkrim, i cili u konstatua nga gjykata. Unë isha vetë në seancë, ku ai kishte harruar të shkruante edhe formën e bashkëpunimit për të cilën akuzohej si Jorgo Goro, ashtu edhe vartësit e tij në Bashkinë e Himarës”, tha gazetari.