Nën tik-takun e afateve që ngushtohen për koalicionet parazgjedhore, ecejaket e aleatëve në selinë blu janë shtuar orët e fundit.
Negociatat në gjirin e partive opozitare nuk duken te lehta pasi kërkesat për vende te sigurta në listën e sigurtë të Partisë Demokratike tejkalojnë kuotën që Sali Berisha ka në mendje për aleatët.
“Sigurisht që aleatët do kenë kandidat dhe kjo kuotë është në negocim dhe sipër. Koalicioni bëhet mbi bazën e një rekordi elektoral dhe ai nuk mund të shkelmohet”, tha Berisha.
Me Ilir Metën në burg marrëveshja politike mes dy aleatëve duket e vështirë. Në ditën e dytë të negociatave, të mandatuarit e kreut te Partisë së Lirisë dolën duar bosh.
“Janë drejt përfundimit negociatat, kaq mund tu them”, tha Tedi Blushi.
Fatmir Mediut iu desh të ngjiste dy herë brenda pak orësh shkallët e selisë blu. Një vend i sigurte në listën e PD, nuk josh aleatin historik të demokratëve.
“Kam marr mandat në Tiranë dhe raportet e PR kanë qene me peshe në Tiranë, por do shqyrtojmë çdo lloj opsioni sepse nuk është vetme fakti personal, por është fakti për të kontribuar në të gjithë territorin e Shqipërisë”, tha ai.
Me oreks të shtuar për vendet e sigurta në listën e PD, shkoi edhe Vangjel Dule.
“Nuk kemi arritur ne kandidime, do kem aq kandidate sa i shpërbejnë mbarëvajtjes së koalicionit”, deklaroi Dule.
I vetmi që mbylli marrëveshjen ishte Agron Duka.
“Një në listë mbyllur dhe nga një në listë hapur në dhjete qarqe nëse si mbahet kontratës prishet kontrata”, u shpreh Duka.
Sali Berisha po nxiton të mbyllë një marrëveshje politike para 3 marsit, ditë kur skadon afati për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore.