Spitali Bashkiak i Mirditës, tashmë tërësisht i rikonstruktuar do të ofrojë shërbime shëndetësore me standarde dhe kushte bashkëkohore për rreth 20 000 banorë të Mirditës si dhe zonave përreth, një tjetër investim në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu gjatë vizitës në ambientet e reja të godinës theksoi se “ky transformim vjen në vazhdën e investimeve në nfrastrukturën shëndetësore në të gjithë vendin, jo vetëm në spitale, por edhe në Qendra Shëndetësore”.
Koçiu nënvizoi se “me fondet e rindërtimit u bë i mundur që ne të kemi një infrastrukturë spitalore me kushte më të mira dhe standarde më të larta në shërbim të qytetarëve”.
Ministrja e Shëndetësisë vuri në dukje se në Spitalin e Mirditës janë instaluar aparatura dhe pajisje të teknologjisë së fundit duke krijuar lehtësi dhe siguri për stafin e mjekëve dhe infermierëve në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Sipas saj, transformimi i infrastrukturës së godinës prej 3 kate me dhoma pritëse, salla operatore dhe aparatura të teknologjisë së lartë, e shndërron Spitalin e Mirditës në një strukturë të rëndësishme në veri të vendit.
Për shkak të shtrirjes dhe pozicionit gjeografik që ka kjo strukturë spitalore, ministrja Koçiu vuri në dukje mundësinë për aksesimin e shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor edhe nga banorë përtej zonës së Mirditës.
“Është një infrastrukturë shëndetësore nevralgjike, për faktin që jo vetëm u shërben banorëve në zonat përreth, por dhe për faktin që është shumë afër Rrugës Kombit, e kushdo që mund të ketë nevojë për shërbim shëndetësor, pika e parë ku vjen dhe e merr shërbimin është pikërisht Spitali i Mirditës”, – shpreh ministrja Koçiu.
Spitali Bashkiak Mirditë ofron shërbime në Patologji të përgjithshme, Pediatri, Kujdesi Paliativ, Reanimacioni, Obstetrikë-Gjinekologjia, Kirurgjia e Përgjithshme, ORL, Okulistikë, Neuropsikiatri, Laboratori Klinik-Biokimik, Shërbimi i Imazherisë dhe Poliklinika



