Gjykata e Bosnje-Hercegovinës në Sarajevë e ka dënuar presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës së presidentit, për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt.
Ky është dënimi i shkallës së parë, ndaj të cilit Dodik ka mundësi të ankohet.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të këtij entiteti, Millosh Llukiq, është liruar nga të gjitha akuzat.
Në pritje të vendimit, në Banjallukë është mbajtur një protestë si shenjë mbështetjeje për Dodikun.
Disa janë parë duke mbajtur mbishkrime “Dënimi i presidentit, sulm ndaj Republikës Sërpska” dhe “Sërpska është krenaria jonë, presidenti mbrojtësi ynë”.
Vetë Dodiku është parë duke hyrë në ndërtesën e Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska në Banjallukë, i cili ka mbajtur seancë pak para shpalljes së aktgjykimit.
Më herët ai kishte thënë se nuk do të paraqitet në shpalljen e aktgjykimit para Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës në Sarajevë.
Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshme dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, të cilat më parë ishin shfuqizuar nga Përfaqësuesi i Lartë.
Bëhet fjalë për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, dhe moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republika Sërpskas. Llukiq akuzohet për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska.
Kodi Penal i Bosnje-Hercegovinës për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë parashikon dënim me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe mundësinë e shkarkimit nga detyra të një individi dhe ndalimin e veprimtarisë politike.
Në fjalën përfundimtare, më 19 shkurt, Prokuroria e Bosnjës kërkoi nga Gjykata të shqiptojë një dënim me pesë vjet burgim për Dodikun dhe t’i ndalojë veprimtarinë politike për dhjetë vjet. Po të njëjtin dënim maksimal prokurorët e kërkuan edhe për Llukiqin.
Dodik, në fjalën e tij përfundimtare, tha se “të gjithë bashkë duhet të luftojmë që Bosnje-Hercegovina të mos jetë më një protektorat, por të rikthejë sovranitetin e saj”, duke përsëritur pretendimet e vjetra se Schmidt nuk ka legjitimitet, pasi emërimi i tij nuk është konfirmuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, siç ka ndodhur me përfaqësuesit e mëparshëm të Lartë./rel