Të dashur miq, demokratë, opozitarë, bashkëpunëtorë idealistë dhe qytetarë të Qarkut Dibër,
Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se po shpall kandidimin tim për Primaret e Partisë Demokratike, për Qarkun Dibër, vendlindja ime.
Gjej rastin të falënderoj kryesinë e Partisë Demokratike, që pranoi kandidimin për këto primare, duke konfirmuar se Partia Demokratike është e hapur për meritokraci dhe mirëpret intelektualët e rinj, që duan të kontribuojnë në ndryshimin e shumëpritur, por asnjë derë nuk hapet pa qëndruar dhe rezistuar fort deri në fund.
Duke parë angazhimin e anëtarëve të familjes sime sidomos vëllai im që ka sakrifikuar pafund dhe të shumë demokratëve, ndjeja një detyrim të fortë për të qenë pranë jush në çdo betejë, takime, përballje, denoncim, reagim dhe qëndresë.
Kam takuar shumë demokratë të vendosur dhe të gatshëm për ndryshim. Ata janë frymëzim për mua, dhe besoj se ndryshimi do të vijë shumë shpejt. Këta demokratë të ndershëm dhe të qëndrestarë nuk u përkulën asnjëherë gjatë 12 viteve të opozitës dhe janë shembulli më i mirë i qendresës stoike.
Cilido qoftë rezultati i primareve dhe vendimi i kryesisë për listën përfundimtare, synimi im është të bashkojmë të gjitha forcat dhe energjitë për të sjellë ndryshimin dhe fitoren e shumëpritur!
Dy fjalë për veten, jam e diplomuar në “Financë-Kontabilitet” dhe “Marketing-Menaxhim”, dhe me një mori trajnimesh si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Për më shumë se njëzet vjet kam qenë e fokusuar tek puna në banka dhe kompani të mëdha private, por tani, nuk mund të rri indiferente ndaj vështirësive që po kalon vendi ynë. Nuk mund të rri indiferente kur gjërat po bëhen gjithnjë e më të vështira.
Prisnim të hynim në Bashkimin Europian, por realiteti është tjetër. Është tejet e vështirë kriza që po kalon vendi ynë dhe shpopullimi masiv është këmbanë alarmi se “Atdheu është në rrezik”.
Të rinjtë e shohin si të natyrshme punën e pisët, arsimi është shkatërruar, Shqipëria po shpopullohet dhe varfëria mbizotëron kudo, të dobëtit i nëperkembet e drejta dhe dinjiteti…. Këto ndodhin sepse jemi të vjedhur, jemi të mashtruar dhe drejtohemi nga njerëz që nuk kanë asnjë përgjegjësi për dështimet e tyre!
STOP! BASTA! ENOUGH! ÇA SUFFIT!
Ka ardhur koha për një ndryshim të vërtetë. Duhet të reagojmë! Duhet të bashkohemi për të sjellë ndryshimin dhe për t’i dhënë fund këtij cikli regresesh, dështimesh dhe abuzimesh që kanë pllakosur Shqipërinë për shumë vite.
Pse zgjodha kandidimin për Qarkun Dibër?
Jo vetëm që jam krenare që jam Dibrane e lindur dhe e rritur, por gjithashtu kam familjarët e mi në disa zona të Qarkut Dibër, si Peshkopi, Brezhdan, Kërçisht, Maqellarë, Dibra e Madhe, Bulqize, Sohodoll, Grevë, Shimçan etj. Ia kam borxh vendlindjes time kontributin, veçanërisht në këtë periudhë pasigurie dhe dyshimesh për shkak të rrezikut që paraqet projekti i Skavicës.
Dibra rrezikon braktisjen dhe shpopullimin, dhe kjo nuk mund të ndodhë! Projekti i Skavicës rrezikon të sjellë përmbytje dhe dëme të mëdha për banorët tanë dhe për tokat e pasura bujqësore që janë thelbësore për jetesën dhe historinë e komunitetit tonë. Është koha që t’i dalim zot vendlindjes sonë dhe të luftojmë për një të ardhme të sigurt për të gjithë!
Historia tregon: “Hajradin pasha more kry hutraç, S’merret Dibra me gërbaçe”… por tashmë kemi një Hajredin Shqiptar që sillet e përpëlitet por që Dibranët do dinë t’ja tregojnë shumë shpejtë vendin!
Mbështetja dhe njohja me gra të forta dhe qëndrestare ka shtuar forcën dhe frymëzimin tim. Ata janë garancia që e ardhmja europiane e Shqipërisë do të vijë shumë shpejt dhe më shpejt vjen kur bashkojmë forcat dhe mbështetim qëndrestarët dhe dinjitozët.
Zoti e bekoftë rrugën tonë në këtë betejë për Kombin!
Përzemërsisht,
Blerta Gazidedja