Anëtari i Kryesisë së Partisë së Lirisë, Denis Hidri në një postim në Facebook ka njoftuar largimin e tij nga kjo forcë politike, duke e shoqëruar me akuza të forta për manipulime të brendshme e mungesë meritokracie.
Hidri është njëherazi edhe anëtar i Komitetit Drejtues, ndërsa ka qenë edhe kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 2021.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Hidri shkruan se që nga kandidimi i tij për deputet në 2021 dhe për kryetar bashkie në Krujë në 2023, ka qenë dëshmitar i tjetërsimit të votave dhe manipulimeve të garave brenda partisë.
Po ashtu, ai thekson se me rikthimin e Ilir Metës në krye të Partisë së Lirisë priste që kjo forcë politike të merrte tjetër drejtim dhe gjithçka të bazohej mbi meritokraci.
“Distancim! Të Nderuar Kolegë! Falënderoj të gjithë ata që deri më sot, miqtë, shokët, dashamirësit, e familjarët që me mbështeten deri me sot, përfshirë kandidaturën time në vitin 2021, për deputet, nën logon e LSI. Duke besuar në meritokracinë e shumëtrumbetuar, mendova se isha pjesë e kësaj force, ku në të vërtetë lufta më e madhe, rezultoi të ishte mbrojtja e votave, por jo nga kundërshtari im politik, por nga vetë partia “ime”, sepse tjetërsimi i votave, nga emri im tek individë të tjerë anonimë, ishte një praktikë që vijimësisht kishte penalizuar edhe kolegë të tjerë të mi.
Në 2023 isha kandidat në primaret për zgjedhjet per Kryetar të bashkisë Krujë, duke besuar përsëri se vlerat në garë do peshonin… Por kjo nuk ndodhi dhe unë sërish zgjodha heshtjen, vendosa të mos flisja, i mbajtur peng nga sedra ime e keqshpenzuar, në emër të së cilës, si njeri i fjalës së dhënë, vendosa prap të mos flisja, pavarësisht se shihej qartë se përcaktimi i fituesit ishte një proces abuziv dhe i manipuluar.
Dhe ky proces i solli “rezultatet”. Te gjithë hynë në armiqësi me njeri-tjetrin dhe përçarje me daljen e rezultateve, kur u pa qartë se rezultati ishte i paracaktuar. Përsëri nuk kurseva besimin tim, kur urova se me kthimin në drejtim e partisë të Kryetarit z. Ilir Meta gjërat do merrnin tjetër drejtim, si njeri i besës, i fjalës së dhënë, duke sjellë në ekujlibër kandarin e meritokracisë në Partinë e Lirisë. Por sërish zhgënjim…. Besimi përshfaqej si qasja më e pajustifikuar në një ambjent kaq toksik. Diçka që edhe sot e shohim.
Partia e Lirisë u mbush me njerëz anonimë, pa asnjë lloj kontributi, ndërkohë që militantë të kësaj force politike, të cilët kanë dhënë shpirtin, emrin, djersën, nuk u vlerësuan, po u lanë në hije, në harresë të plotë dhe përsëri nuk u vlerësuan, për të qenë pjesë e strukturave të larta drejtuese. Në këtë parti ka sot deputetë, që me 300 vota janë në parlament. Njerëz që vijnë nga rruga për t’u bërë Sekretar të Përgjithshëm… Raste të përsëritura kur llojlloj njeriu, futet në sekretariate, përsëri pa asnjë lloj kontributi. “Meritokracia” si standard dhe kriter, fton për protagonizëm dhe sukses, profesionistët e lëpirjes dhe të avancimit në gjunj. Sport i vjetër, të cilin për fat nuk e njoh dhe nuk e ndaj.
Ndaj sot, ky kod moral dhe politik, po bën që të jemi këtu ku jemi, me këto rezultate. Një fjalë e urtë thotë: “…Më mire vonë se kurrë”. Ndaj, unë Denis Hidri, vlerësova t’a ndaj me ju, vendimin e tërheqjes time nga çdo angazhim në mbështetje të kësaj partie dhe strukturave të saj”, shkruan Hidri.