Primaret e PD në Qarkun e Elbasanit “eliminojnë” femrat nga gara e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit 2025

0
137

Primaret e Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit kanë shkaktuar një situatë të diskutueshme, pasi thuajse i “eliminuan” femrat nga gara për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Pas përfundimit të procesit të primareve, shumica absolute e votave të anëtarësisë së PD rezultojnë se kanë shkuar te kandidatët meshkuj, edhe pse në listë ishin të përfshira kandidate me integritet të lartë dhe personalitete të njohura nga fushat e ndryshme.

Çuditërisht, femrat kandidate, përfshirë emra të njohur dhe me reputacion, si deputetja mjeke, Zheni Gjergji dhe pedagogia e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Aleksandër Xhuvani“, Doris Madhi, morën pak vota nga votuesit në Qarkun e Elbasanit.

Deputetja Zheni Gjergji, një mjeke e mirënjohur, mori vetëm 160 vota, duke u renditur pas Klodjana Çapjas që fitoi 198 vota.

Disa nga këto gra që garuan në Primaret e fundjavës janë figura të rëndësishme të PD dhe të të djathtës shqiptare.

Ato shquhen si potencial intelektual dhe kanë dhënë kontribute të çmuara në fusha të ndryshme.

Kandidatët e përzgjedhur nga primaret tani do të kalojnë në filtrin e kryesisë së PD-së. Megjithatë, ende nuk është publikuar një informacion i plotë për numrin e anëtarëve që morën pjesë në primaret e Qarkut të Elbasanit.

Në fund të numërimit të votave, më të preferuarit ishin kandidatët meshkuj, përfshirë deputetin Dashnor Sula, pedagogun Blendi Himçi, ish-futbollistin Ilirjan Alliu, ish-deputetin Aurel Bylykbashi dhe sipërmarrësin Dritan Cani.

Gjithsesi rezultati final i Primareve ka nxitur diskutime të shumta në opinionin publik, pasi rezultati final kanë lënë jashtë garës një pjesë të rëndësishme të elitës intelektuale femërore të PD-së, duke ngjallur shqetësime për përfaqësimin e drejtë dhe të barabartë të grave në politikën shqiptare.