Partia Demokratike, ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me procesin e primareve të mbajtura dje në çdo degë të PD-së për Kuvendin e 11 majit. PD njofton se kanë votuar 50,854 anëtarë dhe se rezultatet finale të KOKOE publikohen vetëm pas verifikimit te materialeve origjinale zgjedhore.
Njoftimi i PD:
Duke ju përgjigjur interesit të madh të mediave por edhe të kandidatëve apo anëtarëve të PD, KOKOE njofton:
- Në datë 1 mars u organizuan zgjedhje për Primare 2025 për Kuvendin e 11 Maj
- Procesi i primareve u organizua në të gjitha degët e PD.
Votimi filloi në orën 8.00 dhe u mbyll pothuajse në të gjitha Qendrat në orën 18.00. Në disa Qendra votimi vijoi derisa votoi edhe anëtari i fundit i PD në radhë.
- Procesi i votimit ka qenë i qetë dhe në respekt të rregulloreve dhe udhëzimeve te KOKOE.
- Pjesëmarrja në votimet për Primare ka qenë më e larta ndër zgjedhjet e organizuara nga ndonjë parti politikë në Shqipëri.
Siç ju kemi njoftuar në kohë reale, numri i votuesve (bazuar në të dhënat paraprake të ardhura në formë elektronike pranë KOKOE) është: 50,854
Procesi i numërimit të votave i cili, përfundoi në orët e para të mëngjesit të sotëm, ishte i hapur për mediat dhe gazetarët, gjerësisht i transmetuar LIVE, dhe u zhvillua në mënyrë të përqendruar në qendrat e qarqeve, në prezencë të kandidatëve ose përfaqësuesve të autorizuar prej tyre.
Siç përcaktohet në Vendimin e KOKOE Nr. 36, “një kopje origjinale e procesverbalit të mbylljes së votimit dërgohet dorazi pranë KOKOE jo më vone se ora 12.00 e datës 2 Mars 2025.
Dorëzimi i materialeve zgjedhore pranë KOKOE, nga Komisionet e numërimit bëhet deri në orën 13:00 të datës 2 mars”.
- KOKOE njofton që pranë saj kanë ardhur pjesa më e madhe e materialeve zgjedhore dhe është në pritje të materialeve që nuk kanë ardhur ende, kjo, shkaktuar edhe nga procesi i zgjatur i numërimit në disa degë.
- KOKOE po shqyrton të gjitha materialet zgjedhore e do të publikojë në vijim Vendimet për rezultatin e Primareve në nivel Qarku.
- KOKOE bën me dije që dy QV në Tiranë dhe 1 QV ne Vlorë kanë pasur problematika të cilat kërkojnë vendimmarrjen e KOKOE.
- Çdo rezultat konsiderohet paraprak, dhe aty ku mungojnë rezultate QV, konsiderohet jopërfundimtar, deri në vendimin përfundimtar të KOKOE.
- KOKOE njofton që po qëndron e mbledhur duke verifikuar materialet zgjedhore sipas radhës së mbërritjes, në mënyrë të pandërprerë.
- Rezultatet finale të KOKOE publikohen vetëm pas verifikimit te materialeve origjinale zgjedhore dhe vendimeve të KOKOE për rastet e sipërpërmendura.