Qeveria dhe kryeministri Edi Rama i refuzuan këshillat e ekspertëve për të mbyllur vendin gjatë fundjavës. Syri TV siguron dokumentin ekskluziv, ku Komiteti i Ekspertëve iu ka sugjeruar mbylljen prej orës 22:00 të së premtes deri në orën 6:00 të së hënës, por që nuk është vënë në zbatim. Këto masa u shtynë me një javë dhe pritet të zbatohen fundjavën e ardhshme. Refuzimi i vendimit të Komitetit të Ekspertëve nga qeveria ngre pikëpyetje mbi menaxhimin e pandemisë.
Shqipëria do të shkojë drejt një mbylljeje të dytë, fundjavën që vjen. Syri TV ka siguruar informacionet dhe një e-mail me vendimet e Komitetit Teknik të ekspertëve, që sugjeron këtë fundjavë, mbylljen totale të vendit, por që me sa duket nuk është vënë në zbatim nga ana e Qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Në këtë dokument, sipas sugjerimit të Këshillit të Ekspertëve duhej të ndalohej lëvizja e qytetarëve nga ora 22: 00 e së premtes deri në orën 6: 00 të mëngjesit të së hënës dhe gjatë kësaj periudhe duhej të lejoheshin vetëm emergjencat, lëvizjet për arsye shëndetësore apo të domosdoshme, për të cilat duhet aplikim në e-albania.
Në pikën e dytë të kufizimeve parashikohej ndalimi i aktiviteteve tregtare nga e premtja në mbrëmje deri mëngjesin e së hënës, përveç farmacive, marketeve dhe dyqaneve ushqimore.
Ndërsa në pikën e tretë sanksionohet mbyllja e aktiviteteve si bare dhe restorante prej orës 10:00 të mëngjesit të së premtes deri mëngjesin e së hënës, përveç shërbimit “delivery”, i cili do të vijojë të funksionojë.
Pas zbulimit të këtij dokumenti, pikëpyetje të forta ngrihen mbi menaxhimin e pandemisë dhe marrjen parasysh të këshillave të Komitetit të Ekspertëve, që sipas kryeministrit janë ata që vendosin për çdo masë të marrë apo për protokollet e trajtimit mjekësor.
Po të njëjtat burime konfirmuan për Syri TV se masat e sipërcituara, të refuzuara nga Qeveria për t’u futur në fuqi, pritet të zbatohen fundjavën e ardhshme, por ato mund të rishqyrtohen me lehtësira nëse situata pandemike nuk do të ketë përkeqësim.
Madje zyrtarët e lartë janë kujdesur që në materialin qeveritar që pritej të bëhej publik, të përdornin nota patriotike gjatë adresimit ndaj qytetarëve.
Ky material niste me fjalinë se kush është patriot dhe e do kombin, për të mbrojtur familjen dhe jetën duhet të qëndrojë në shtëpi, duke vënë tashmë në dyshim nëse personat që kanë refuzuar të miratojnë vendimin e Komitetit të Ekspertëve, e duan më pak kombin.