Nga Kastriot Dervishi
Ore këta shokët e Ministrisë së Mbrojtjes, çfarë pike kishin parasysh nga neni 5 i ligjit nr. 109/2018 “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, për shpalljen “dëshmor” të viktimave të 21 janarit 2011. Jo për gjë, por Mark Nika, ka harruar viktimat e veta si hetues komunist dhe po kërkon “drejtësi”. Kjo puna e “dëshmorëve” ka humbur fare kuptimin, sepse te ne “dëshmorët” janë gjithnjë numër sasior që i përshtaten një qeverisje që mbështetet kryesisht te propaganda që nuk respekton asnjë kriter ligjor.
Neni 5 i ligjit të dëshmorëve:
Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut” Dëshmorë të atdheut shpallen ose u njihet statusi, si të tillë:
a) personat, të cilët kanë humbur jetën për lirinë, pavarësinë kombëtare dhe mbrojtjen e territoreve shqiptare apo në përpjekje për mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe para datës 28 nëntor 1912; 2 b) shtetasit shqiptarë e të huaj, të cilët kanë rënë në luftë për mbrojtjen e integritetit territorial, të lirisë e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe për arsye të kundërshtimit të pushtimit të trojeve shqiptare nga ushtritë e huaja dhe të qëllimeve shoviniste të tyre, nga data 28 nëntor 1912 deri më 7 prill 1939;
c) shtetasit shqiptarë, të cilët kanë humbur jetën në mbrojtje të vlerave kombëtare e patriotike të kombit shqiptar para datës 7 prill 1939;
ç) shtetasit shqiptarë, të cilët kanë marrë pjesë me armë në dorë ose në formë të organizuar në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe kanë rënë duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë e bashkëpunëtorëve të tyre, nga data 7 prill 1939 deri më 9 maj 1945;
d) shtetasit shqiptarë të pushkatuar për pjesëmarrjen në formacionet luftarake të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare apo për mbështetje të pjesëmarrësve të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, si dhe të pushkatuar për hakmarrje nga pushtuesit nazifashistë apo bashkëpunëtorët e tyre, nga data 7 prill 1939 deri më 9 maj 1945;
dh) shtetasit shqiptarë, të cilët janë ekzekutuar apo kanë vdekur në burgjet dhe kampet nazifashiste të përqendrimit apo kanë vdekur si pasojë e plagëve apo sëmundjeve të ndryshme të marra në këto vende deri më 9 maj 1945;
e) shtetasit shqiptarë, pjesëtarë të formacioneve ushtarake të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të cilët kanë rënë në luftën kundër pushtuesve nazifashistë jashtë kufijve shtetërorë deri më 9 maj 1945;
ë) shtetasit shqiptarë, pjesëmarrës në formacione të rregullta të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të cilët kanë humbur jetën brenda datës 9 maj 1947 për shkak të sëmundjeve dhe plagëve të marra ose fatkeqësive të ndryshme, duke qenë në krye të detyrës luftarake;
f) shtetasit shqiptarë që kanë rënë duke luftuar në Spanjë (1936-1939) ose në vende të tjera, të inkuadruar në formacionet e koalicionit antifashist ose kanë vdekur nga plagët apo sëmundjet e ndryshme të marra në këto luftëra deri në 9 maj 1945;
g) shtetasit e huaj, pjesëtarë të formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që kanë rënë duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë;
gj) shtetasit e huaj, pjesëtarë të formacioneve të ushtrive aleate në Luftën e Dytë Botërore, në ndihmë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, të cilët kanë humbur jetën brenda territorit të Shqipërisë;
h) shtetasit shqiptarë, të cilët kanë rënë duke luftuar për pavarësinë e Kosovës, si dhe shtetasit shqiptarë të rënë për të drejtat kombëtare në konfliktet e tjera etnike të zhvilluara në Ballkan;
i) shtetasit shqiptarë që bien në mbrojtje të integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë, mbrojtjen e institucioneve shtetërore nga terrorizmi ose në luftën kundër bandave të armatosura dhe krimit ndaj jetës së individit;
j) shtetasit shqiptarë, të cilët vriten nga elementë kriminalë për shkak të detyrës shtetërore që kanë kryer, në luftë kundër krimit dhe përpjekjeve për vendosjen e rendit dhe të qetësisë publike;
k) shtetasit shqiptarë që bien në krye të detyrës, për mbrojtjen e paqes dhe të lirisë së kombit shqiptar, ose ata që bien në krye të detyrës me misione në mbrojtje të paqes e të sigurisë së popujve të tjerë;
l) shtetasit shqiptarë që humbin jetën në krye të detyrës, për mbrojtjen e pasurisë publike ose nga rreziqet e fatkeqësitë natyrore;
ll) shtetasit shqiptarë të vrarë gjatë tubimeve paqësore dhe pa armë për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe ata që kanë humbur jetën në krye të detyrës në mbrojtje të procesit zgjedhor, pas datës 8 dhjetor 1990;
m) shtetasit shqiptarë, të cilët kanë humbur jetën ose që e humbin jetën në përpjekje për të ndihmuar popullsinë në raste fatkeqësish natyrore, në përpjekje për mbrojtjen e pronës publike ose për shpëtimin dhe mbrojtjen e jetës së individit nga krimi;
n) shtetasit shqiptarë që vriten nga forcat apo elementët antishqiptarë në mbrojtje të flamurit, simboleve kombëtare dhe manifestimit të ndjenjave kombëtare;
nj) shtetasit e huaj, pjesëtarë të formacioneve në ndihmë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë apo Policisë së Shtetit Shqiptar, të cilët humbin jetën në krye të detyrës, në ndihmë të popullsisë apo në përpjekje kundër terrorizmit ose krimit ndaj jetës së individit;
o) shtetasit e huaj, pjesëtarë të formacioneve ushtarake të NATO-s, në ndihmë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që humbin jetën në krye të detyrës, në mbrojtje të integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë;
p) ekuipazhet, të cilët bien në krye të detyrës shtetërore gjatë fluturimit.
q) shtetasit shqiptarë pjesëmarrës në formacionet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare që janë ekzekutuar me vendim të gjyqeve partizane për shkelje të moralit partizan dhe që më vonë ka rezultuar që gjykimi ka qenë i pambështetur në prova.