Edi Reja nuk vendos objektiv, por as limite përpara nisjes së aventurës me kombëtaren e Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit 2022. Në një intervistë për “La Gazzetta Dello Sport”, trajneri italian zbulon se çfarë i duhet kuqezinjve për të rivalizuar gjigandë si Anglia, apo skuadra të forta si Polonia e Hungaria.
“Ngjitja në Ligën e Kombeve ka sjellë entuziazëm. Grupi është shumë i fortë. Anglia, Polonia dhe Hungaria duken larg, por në sport nuk nisesh asnjëherë si i humbur. Organizimi dhe motivimi, ndonjëherë bëjnë mrekulli”, ka thënë Reja. Nëse do të vijë ndonjë mrekulli, kjo mbetet për t’u parë, por për ta provuar, Reja do të mbështetet te moduli i tij i preferuar dhe lojtarët që po kalojnë një formë të mirë.
“Hysaj po kalon një moment të shkëlqyer. Gjimshiti është një xhevair, ndërsa Kumbulla ka shumë hapësira për t’u përmirësuar. Moduli 3-5-2 na jep më shumë besim, por kemi përdorur shumë edhe atë 4-3-3 dhe 3-4-3”, vijon tekniku. Përveç tre mbrojtësave të pëmbendur më lart, Reja ka grumbulluar edhe shtatë lojtarë të tjerë që luajnë në Itali. Ky vend mund të jetë një minierë për të ardhmen e kombëtares kuqezi, siç zbulon edhe vetë Reja.
“Në sistemin italian të futbollit, nga kategoritë më të ulta dhe deri lart ka 11500 lojtarë të federuar me origjinë shqiptare. Shumë prej tyre janë fëmijë të personave që lanë vendin e tyre në vitet 90’ për t’u transferuar në Itali”, përfundon trajneri i Shqipërisë.