Gazetari Artan Hoxha ka publikuar ditën e sotme një regjistrim audio në të cilin dëgjohet sesi kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Artan Lame u jep udhëzime punonjësve për të vepruar në shërbim të fushatës zgjedhore.
Në një bisedë me Juli Xhokaxhi në ABC, Hoxha tregoi se ky regjistrim është bërë para nisjes së fushatës, nga një prej të pranishmëve me celular. Nga sa shpjegoi Hoxha dhe nga se dëgjohet në audio, bëhet fjalë për rreth 100 mijë ndërtime pa leje, pronarët e të cilëve kanë aplikuar për legalizim.
‘Jemi në pak a shumë në situatë të njëjtë si me rastin e patronazhistëve. Në një kohë fushate, një agjenci shtetërore kaq e rëndësishme si Kadastra, me të cilën qeveria ka bërë fushatë për një kohë të gjatë. Një mbledhje që bëhet me drejtuesit e Kadastrës. Po u jepet udhëzime si të sillen gjatë fushatës. Që puna e tyre, pavarësisht se çfarë parashikon ligji, të jetë në favor të fushatës.’
Janë 320 mijë dosje, aplikime për legalizim, nga këto, 150 janë mbyllur. Por ngelet shifra tjetër, pasi bëhet fjalë për 100 mijë legalizime që nuk mund të aprovohen, pasi siç e thotë edhe Lame, janë kriminale.
‘Qartësisht Lame thotë, bëhet fjalë për ndërtime të palejueshme për t’u legalizuar, madje janë kriminale.’
Udhëzimi në këtë rast është që pronarëve të mos u thuhet që shtëpia e tyre nuk mund të legalizohet, por ‘duhen mbajtur varur që të mos bëhen mish për top për partinë kundërshtare.’
‘Nuk do t’u thoni, këtyre 200 mijë votues, diku 20 mandatë në Kuvendin e ardhshëm që kjo nuk bëhet, por do t’i mbajmë varur, do ketë hapësira të tjera. Nëse u themi që nuk do të legalizoni, i bëjmë mish për top për palën tjetër,’ shprehet Hoxha.
Por, nuk mbaron me kaq, Artan Lame, siç dëgjohet në audio, thotë se duhen bërë gati 20 mijë dosje që do të s’kualifikohen menjëherë pas zgjedhjeve. Pra, 20 mijë pronarëve do u thuhet që legalizimi i tyre është në proces, për të siguruar votën, dhe më pas projektet do të s’kualifikohen.
‘Punonjësve u kërkohet te jenë të qartë, të saktë, bindës me qytetarët. 1/3 e ndërtimeve në Shqipëri nuk mund të legalizohen. Në këto kushte, kjo gjë nuk do t’u bëhet e qartë shqiptarëve para zgjedhjeve. Kjo bisedë merr rëndësi sepse dëshmon sesi një agjenci kaq e rëndësishme bëhet pjesë e një fushatës, dhe mundohet t’ua shesë shqiptarëve sapunin për djathë.’
Gjithashtu, siç dëgjohet në regjistrim, Lame shprehet se po përgatitet prishja e 40 mijë objekteve, por edhe në këtë rast porosia është që të mos thuhet gjë përpara zgjedhjeve.
Zbardhja e audio përgjimit te Artan Lames:
Është bërë një takim tek kryeministri para rreth nji muaji për proçesin e legalizimeve në vijim, unë kam paraqitur situatën e kam iniciuar unë vetë takimin për të informuar dhe atë po dhe për të marrë një input politik që ore si do vazhdoj proçesi, ëëë dhe llogjika ime ka qene kjo:
Në këto 320 mijë, objekte që, që kanë bërë vetëdeklarim pra që janë fizikisht dosje reale, janë mbyllur rreth 150 që do të thotë kanë mbetur 170 tjera, në këto 170 të tjera vetëm rreth 60, se sapo diskutonim që parë që kjo 60 mijëshe për sa kohë i mbyllim, vetëm rreth 60 mijë bëhen…
…të tjerat janë të pabëshme ose që nuk duhen bërë se janë kriminale që do të thotë që në këtë moment na dalin rreth 100 mijë leje, 100 mijë objekte të cilët ne me vetëdije do vazhdojmë ti mbajmë se janë njerëz po i the që nuk të bëhet ja hodhe palës tjetër, u bënë mish për top për palën tjetër, pra do vazhdojnë të trajtohen, do shikohet, do ta trajtojm, do ta diskutojm, do ta rishohim ëëë, atë, ëë kur të rishihet ëë legjislacioni…
…i hodhe në krahun tjetër dhe me një herë në qoftë se legalizimet nuk u përdoren nga PD-ja nuk u zunë në gojë këto katër vjet, nuk u zunë pikërisht se e konsideruan betejë të humbur, kudo që do ta përmendnin menjëherë ne do ti thonim njerëzve që po këta se bënë ndërsa këta e bënë, dhe zgjodhën këtë mënyrë heshtën fare, në momentin që ti shkon iu gërmon vetë tani edhe iu thua 100 mijë unë do i skualifikoj se nuk ju legalizohen këta i ktheve në mall për palën tjetër, atëherë u ra ndakort në këtë takim që llogjika është që ne do vazhdojmë ta mbajmë situatën varur për këtë pjesë, pra do vazhdojm të bëjmë këtë 60 mijëshe dhe do vazhdojmë ta mbajmë situatën varur ëëë duke ëëë sepse mund të ketë ndryshime nesër ligjore, sepse ëëë do ta rishohim dhe njëherë e keshtu me rradhe, por kjo bën, ka bërë, bën dhe do bëjë që shumë nga këta do të thonë më erdhën një herë më erdhën dy herë pse sma bëni, më kan ardhur në shtpi, prapa kësaj ëë të jeni të bindur që në shumicën në shumë raste qëndron kjo arsyeja pra që neve nuk duam ti themi ëë që shtpija jote nuk legalizohet dhe ti do prishesh, është…
…Millosheviçi ti thoj që të ta legalizoj unë ai bëhet me Millosheviçin, në rregull, se ka shtëpinë, të jeni të qartë, kjo nuk përjashton faktin që ne po përgatisim nja 40 mijë objekte me bashkitë, kryesisht me bashkinë e Tiranës të cilat do ti nxjerrim për skualifikim masiv që do të thotë janë rrangalla, plera, rrangalla, depo, magazina, ëëë kshu si quhen këto, garazhe shtesa anësore një katëshe plera që shkatërrojn qytetin brënda, do përgatisim një masë të madhe nga këto dhe në bllok këto ti skualifikojm në bashkëpunim me bashkitë që të lëm sa më pak këtë masën që nuk legalizohen dot që nuk legalizohen dot diku për shkak te nenit 35, diku në zonat që janë që përmbyten ça ti thuash atyre që nuk ë, që do tua skualifikoj, edhe unë po të isha kandidat atje të nesërmen do veja ti thoja që të gjithë juve ditën e parë pas zgjedhjeve do jeni të legalizuar, edhe ikën ata u bënë me atë, natyrisht i intereson atij se ça është politika, ai thotë të shpëtoj shtëpinë…