Një ngjarje e rëndë tronditi Tiranën dy ditë më parë, ku 34-vjeçari Rudolf Nikolli sulmoi me mjet prerës 5 besimtarë myslimanë teksa po kryenin ritet fetare në Xhaminë “Dine Hoxha” në Rrugën e Kavajës.
Autori u neutralizua menjëherë pasi kreu sulmin, ku fillimisht u ndalua nga qytetarët dhe më pas mbërritën forcat policore të cilat e arrestuan. Ndaj Nikollit Prokuroria e Tiranës do të kërkojë masën e sigurisë “Arrest me burg” për akuzën e veprimeve me qëllime terroriste, së paku derisa të përfundojnë të gjithë ekspertizat ndaj tij.
Nisur nga deklaratat e të atit dhe një shoku të tij, mësohet se 34-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor. Ndërkohë para hetuesve Nikolli ka dëshmuar se arsyeja se përse e kreu sulmin ishte se prej disa kohësh përndiqej nga disa myslimanë në shtëpinë ku jetonte.
“Arsyeja pse e kreva sulmin me thikë në xhami është se ka shumë kohë që disa myslimanë më përndjekin në shtëpinë ku jetoj me qira. Ata më shoqërojnë vazhdimisht duke më shikuar, por nuk më flasin,” tha ai.
Mësohet se ai ka punuar për një kohë si picier në Strugë, ku ka ndihmuar një person të besimit islam, i cili e ka orientuar edhe që të falet. Më tej Nikolli tregoi se ka punuar gjithashtu në një piceri në Medrese, por gjatë pandemisë Covid kishte mbetur pa punë.