Nga Leonard Veizi
Libri është në çorodi e sipër. Ai didaktik dhe vetë letërsia artistike. Pandemia, kriza globale e financave, por dhe teknologjia, e kanë goditur fort këtë produkt, pa të cilin as që mendohet se mund të ketë zhvillim. Sepse tek brenda librave gjendet gjithçka ka prodhur kjo botë, në mijëra vjet. Ndaj, ashtu siç thotë dhe protagonisti i kësaj interviste: Libri nuk mund të taksohet, sepse në këtë mënyrë i vëmë gjobë dijes.
Padyshim në kohë të tilla, njerëzit që vazhdojnë të merren me Librin, e bëjnë nga një pasion i çmuar dhe jo pse nga tregëtimi i tyre gjejnë parajsën aq sa të shtrihen e të flenë mbi dyshekë të mbushur më para. Po të shesësh këllëfë celularësh, fjala vjen, do të jesh më i sigurtë në ardhmërinë tënde. Por Albert Gjoka, ashtu si dhe pak të tjerë, vazhdojnë me këmbëngulje t’i bëjnë jehonë leximit të librit. E në gjithë këtë rokopujë, çartisje interesash dhe dendësi antivlerash, goditjen më të madhe e merr autori shqiptar i cili është ende në një pozicion të zhdrejtë me lexuesit e tij.
Për më tej, Albert Gjoka, menaxheri i platformës “Bukinist”, tregon për gazetën “Fjala”, se në çfarë situate ndodhet libri në tërësi, ai i autorit shqiptar në veçanti dhe se çfarë po inicion platforma në fjalë për të shkuar lexuasit aq pranë, sa ai të mos ketë mundësi ta rrefuzojë më:
-Si u motivuat për të hapur dhe menaxhuar një agjensi që merret me shitjen e librave online?
“Bukinist.al” është hapur si pjesë e kompanisë “Nettrade Albania”, e cila kishte disa platforma të tregtimit online të produkteve të ndryshme. Ne e nisëm rrugëtimin tonë më 21 korrik 2016, në kohën kur kishte nisur rënia e botimeve, kur mbyllja e librarive fizike në Tiranë dhe në rrethe ishte diçka mëse normale dhe kur marketingu i librit, sidomos në kanalet digjitale, nuk kishte nisur ende. Asokohe patëm bërë një studim tregu dhe kuptuam se nevoja për librin ishte e madhe, por mungonte një menaxhim dhe marketing profesional. Pikërisht në këtë situatë kritike e ndërmorën nismën, e cila u mbështet fillimisht nga kompania investuese. Lexuesit e parë të saj kanë qenë punonjësit e Nettrade Albania dhe Bukinist, miqtë tanë dhe më pas u shtrimë shumë shpejt në të gjithë Shqipërinë dhe kudo nëpër botë përmes një shërbimi shumë të mirë dhe një marketingu profesional. Sot, ne jemi të lumtur pasi kemi komunitetin më të madh të lexuesve në Shqipëri, të cilët na ndjekin dhe bëjnë porosi me libra të kategorive të ndryshme, çdo ditë. Përvoja e Nettrade Albania, si kompani lider në fushën e e-commerce në Shqipëri, ishte pika më e fortë e Bukinist, gjë që solli që edhe vetë Bukinist të kthehej në destinacionin numër Një për blerjen dhe informimin rreth librit shqip. Unë gjej rastin të falënderoj përzemërsisht investitorët e kësaj kompanie aso kohe dhe dy drejtuesit e saj, Valer Pinderi dhe Altin Luli, të cilët sakrifikuan shumë dhe investuan, duke sjellë një vlerë jo vetëm për portofolin e kompanisë së tyre, por edhe për librin dhe kulturën shqiptare sot. Ata e mirëpritën propozimin tim për ta hapur këtë platformë, më besuan dhe më mbështetën hap pas hapi në drejtimin e saj. Sot, pas pesë vitesh, jemi të lumtur që kemi bërë realitet shumë prej atyre ideve që kishim planifikuar dhe kemi nisur punën për të përmirësuar shërbimet tona dhe për të arritur të tjera qëllime më të mëdha sigurisht, gjatë pesë viteve të ardhshme.
-Cila është situata e librit sot, sa lexohet ai?
Për t’u ndaluar tek situata e librit, – duhet thënë se nuk jetojmë në kohë të mira. Ka rënie të numrit të botimeve nga viti në vit. Edhe për shkak të pandemisë, por edhe të krizës ekonomike që e shoqëroi dhe po vijon tani, ka ulje të kërkesave të lexuesve. Njëherësh, janë pezulluar apo ndërprerë kontratat e botuesve me agjencitë apo autorët. Panairet fizike të librit në Tiranë, Prishtinë apo nëpër qytete të ndryshme janë mundësi e mirë për botuesit për të mbajtur financiarisht të shëndetshme sipërmarrjet e librit. Përpjekja për formalizimin e tregut të librit përmes futjes së TVSH-së dhe fiskalizimin (proces i nisur gjatë muajve të fundit) ka ndikuar pjesërisht në disa segmente të tregut, – por ka dobësuar financiarisht rrjetin e librarive fizike dhe online dhe ka nxitur më tej tregun informal. Libri nuk mund të taksohet, sepse në këtë mënyrë i vëmë gjobë dijes. Deri më tani janë bërë politika për botimin dhe përkthimin, por jo për rrjetin e shitjes së librit, promovimin dhe nxitjen e leximit. Ngritja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit ishte një hap shumë i mirë, – dhe puna e saj deri më tani duhet përgëzuar, – por ende ka buxhete modeste për librin shqip. Shqipëria kontribuon më pak sesa edhe vendet fqinje. Por, duhet thënë se situata nuk është pesimiste, sepse tregu potencial është shumë më i madh sesa tregu real. Tani, për të kaluar tek pika e dytë: sa lexohet? Unë mendoj se nivelet e leximit nuk kanë rritje, – për të mos thënë se ka rënie, – për shkak të zhvillimit të teknologjisë, gjendjes së pafavorshme ekonomike, – por mbi të gjitha, për shkak se nxitja e leximit nuk konsiderohet si përgjegjësi e shumë faktorëve dhe aktorëve; duke nisur që nga familja, shkolla, botuesit, librarët, rrjeti i bibliotekave, universitetet, organizatat dhe institucionet. Librin nuk e shet i vetëm as botuesi, as librari, as autori, dhe askush tjetër. Të bësh një lexues duhet përpjekja dhe energjia e një brezi. Në këto kushte, mendoj se sot lexohet; ka një lexues cilësor, – gjithmonë nëse do ta krahasonim me vitet apo dekadat e kaluara, i cili sjell shije të reja estetike dhe kulturë të re leximi. Unë solla në vëmendje që tregu potencial i librit është shumë më i madh, dhe këtu kam parasysh se libri është aty, për të plotësuar nevojat e lexuesit, i vjen në ndihmë atij për tu rritur – prandaj ne të gjithë duhet të punojmë dhe kontribuojmë më shumë për menaxhimin dhe marketingun më të mirë të librit shqip.
-Çfarë tërhiqet më shumë, letërsi e huaj apo e autorëve shqiptarë?
Sigurisht, pjesën më të madhe të tregut e zënë letërsia, dhe kryesisht romani. Dhe, këtu mbi 70% e shitjeve vijnë nga autorë të huaj. Sigurisht, nevoja urgjente për të marrë njohuri bashkëkohore, për të njohur dhe përvetësuar kultura të mëdha e dikton këtë realitet. Nëse shohim tregun e librit sot, ai ka një dinamikë të brendshme, e cila është e diktuar edhe nga oferta e larmishme e botuesve shqiptarë, por edhe nga platformat e mëdha globale të librit, si Amazon, ku lexuesit mund të porosisin vetë libra në gjuhë të ndryshme.
Tashmë, po shfaqen disa prirje të reja në zhanre brenda romanit, ku romanet mister, thriller, psiko-thriller, romanet fantastiko-shkencore, etj., po pëlqehen gjithnjë e më shumë. Ndërsa tek libri non-ficion ka një rënie të interesit për librin e konspiracionit apo biografitë dhe ka rritje të madhe të interesit për librin e biznesit, zhillimit personal dhe motivimit.
Ndërsa letërsia shqipe vazhdon të zërë një peshë shumë të vogël krahasuar me tregun në tërësi. Autorët klasikë shqiptarë, por edhe ata bashkëkohorë përgjithësisht, “konsumohen” nga nxënësit e shkollave apo studentët. Por, duhet thënë se as botuesit dhe as librarët nuk po arrijnë që të ndërtojnë mënyra efikase për promovimin e autorëve shqiptarë, – pra nuk po arrihet të prodhohen bestseller-a të autorëve shqiptarë, siç ndodh me letërsinë perëndimore sot. Unë mendoj se kjo ka një sërë shkaqesh, ku më së pari ndikon tregu i vogël, buxhetet e vogla për marketing, vështirësitë e tregtimit të librit në Kosovë, Maqedoni apo diasporë (pra, ende ka pengesa të shumëllojshme, përfshirë edhe kosto të lartë transporti) dhe faktorë të tjerë. Platforma si Bukinist e kanë globalizuar disi tregun, duke ofruar mundësinë që ta tregtojmë atë kudo, nëpër botë, ku ka lexues të librit shqip, por mendoj se ka nevojë për një debat sesa i kënaq apo i përmbush nevojat e lexuesit sot, dhe çfarë duhet bërë nga të gjithë faktorët për ta promovuar më mirë letërsinë shqipe. Nuk dua të zgjatem më tej në këtë pikë pasi ka vend edhe për reflektim nga ana jonë si platformë, por edhe duhen kërkuar mundësitë potenciale për ta rritur interesin e lexuesit për autorët shqiptarë. Unë mendoj se letërsia shqipe është cilësore, ku ka autorë të cilët ofrojnë risi sidomos në fiction, ndërsa është pak i lëvruar libri non-fiction nga autorët shqiptarë.
-Para pak kohësh ju inicuat një muaj takimesh online me shkrimtarët, çfarë ecurie pati kjo nismë?
Në Ditën Botërore të Librit për Fëmijë, më 2 prill dhe në Ditën Botërore të Librit, më 23 prill ne menduam që të zhvillonim një festival në shenjë nderimi dhe mirënjohje për autorin dhe përkthyesin. Tashmë, ka një traditë të mirë për zhvillimin e panaireve që tregtojnë librin, por ky aktivitet ishte i fokusuar për të promovuar autorët dhe përkthyesit, – të cilët me punën dhe aftësitë e tyre krijuese e kanë pasuruar shumë botën mendore dhe shpirtërore. Nëse do të flasim për vlerë të matshme në shitje, – ky festival nuk e pati atë synim, por ne konstatuam se Festivali i Librit – Bukinist 2021 është mirëpritur, sepse për herë të parë u krijua mundësia e ndërveprimit virtualisht mes autorit dhe lexuesit. Tashmë, shpresojmë që këtë nismë ta kthejmë në traditë, ku çdo vit të ftojmë autorë dhe përkthyes dhe të krijojmë mundësinë e komunikimit me lexuesit përmes platformave online.
-Ju kërkoni të motivoni lexuesit duke bërë herë pas here oferta të ndryshme, qoftë dhe nëpërmjet minikonkurseve, a e ka zgjuar më tej kjo interesin e lexuesit?
Libri, si edhe çdo produkt tjetër, i nënshtrohet rregullave të tregut. Edhe libri duhet të ketë oferta. Ne kemi një plan mujor të fokusuar tek botuesi i muajit, autori i muajit, kategoria e librave në fokus, etj.. Në këtë mënyrë ne kontribuojmë sado pak në lehtësimin e barrës që ka lexuesi për të përballuar shpenzimet mujore për blerjen e librit shqip. Po ashtu, ne kemi krijuar edhe një status, Mik i Bukinist, ku ata që e përfitojnë këtë status kanë ulje të përhershme, oferta ekskluzive, shërbim specifikim dhe informim mbi titujt që rinj apo përshtypjet rreth librave. Këtu gjej rastin të falënderoj edhe të gjithë ata botues që ndajnë të njëjtën filozofi me ne, për ti dhënë lexuesit mundësi që herë pas here të përfitojë nga oferta. Në këtë mënyrë edhe stoku i librave qarkullon më shpejt.
Pjesë e punës tonë janë edhe mini-konkurset, apo ndarja e gift cards (çeçeve të librave), të cilën e kemi pjesë të rëndësishme të punës tonë. Çeku i librit është një zgjidhje fantastike për të gjithë ata që janë të pasionuar pas dhurimit të librave. Po ashtu, për të mbajtur në aktivitet ndjekësit tanë në rrjetet sociale organizojmë mini-konkurse të ndryshme për foton më të mirë, për përshtypjen më të mirë e kështu me radhë.
-A ishin të suskeshme për librin ditët e pandemisë?
Që në fillim të punës tonë, ne jemi fokusuar tek ndërtimi i një platforme profesionale për shitjen e librit online. Shfaqja e pandemisë dhe vendosja e karantinës së plotë në të gjithë vendin, e ktheu Bukinist si destinacionin e vetëm të librit për disa javë. Për pasojë u trefishuan brenda një kohe të shkurtër porositë, duke e detyruar stafin e kompanisë tonë që të punojë me orare të zgjatura dhe në kushte mbingarkese të plotë. Konstatoj me kënaqësi se gjatë asaj kohe vëmendja e lexuesit u rikthye tek letërsia cilësore, tek autorët klasikë, – qoftë klasikët modernë apo autorët e njohur të letërsisë shqipe dhe botërore. Dhe kjo është mëse e kuptueshme: Përmes letërsisë mirë, çdo individ zgjeron nivelin e lirisë së tij dhe di të përballet me situata kaq paradoksale sa ç’ishte ajo që kaloi shoqëria shqiptare dhe e gjithë bota në periudhën e pandemisë.
-Gjuha shqipe nuk njihet nga “Amazon”, përsa i përket shitjeve të librit në formë elektronike. Pra nga “Amazon” ai mund të shitet vetëm fizikisht. Jeni i kënaqur vetëm me shitjet online, apo po bëni përpjekje për të pasur një platformë ku libri të shitet dhe si produkt elektronik dhe jo vetëm fizik?
Çdokush mund të shesë në Amazon. Madje, edhe autorët vetë. Ka disa pengesa që duhen marrë parasysh, si mënyrat e reja të pagesës, tregu i vogël i librit shqip, kostoja e mbajtjes së stokut, etj. Por, tashmë është një mundësi e hapur për të gjithë: autorë dhe botues. Ka disa nisma brenda dhe jashtë Shqipërisë. Por, unë mendoj se nuk është ky problemi. Sfida më e madhe është si ta marketosh librin shqip si duhet?! Këtu është sfida e madhe: Sa dhe si ta çosh këtë botë të madhe mendore dhe shpirtërore tek lexuesi? Sa i vlen libri këtij lexuesi? Çfarë përfiton ai? Sa informohet, kupton apo zbavitet prej tij? Këtë punë duhet ta bëjnë profesionistët. Deri më tani menaxhimi dhe marketingu i librit nuk ka ardhur nga profesionistët e arsimuar në fushat përkatëse.
Për të kaluar tek nevoja e librit elektronik, – duhet thënë se ka disa përpjekje nga vetë botuesit. Ata po e marrin këtë sfidë vetë, – por me aq sa konstatoj unë, rezultatet janë larg pritshmërive të tyre. Unë nuk dua të ndalem më tej, përveç faktit se ne si Bukinist kemi qenë dhe jemi gati për ta tregtuar edhe librin online, por kjo është një çështje që iu përket kryesisht botuesve, autorëve dhe – të gjithë bashkë duhet të sfidojmë pengesat që dalin dhe të marrim përsipër kostot dhe përfitimet e kësaj pune. Do të ishte shumë më e lehtë që krahas librit fizik, tek Bukinist.al të tregohet edhe libri online, në formate të ndryshme.
-5 vjet bukinist, çfarë keni menduar për të ardhmen e tij?
Ne duam të zgjerojmë portofolin e librit, me libra anglisht. Aktualisht kemi mbi 11 mijë tituj online, ku rreth 1 mijë janë në gjuhën angleze. Do të shtojmë produktet bookish dhe të përmirësojmë shërbimet tona, që Bukinist të aksesohet shpejt dhe lehtë nga lexuesit për të porositur një libër, – kudo ku të ndodhen. Sigurisht, do të vijojmë aktivitetet tona online, siç kemi vepruar deri më tani. Konkurrenca po bëhet gjithnjë e më e fortë tashmë. Ka një rritje të interesit për këtë treg. Por, ajo çfarë ka rëndësi në këtë moment është se po flitet më shumë për librin dhe leximin. Të gjithë këto faktorë do të sjellin mundësi më të mira për tregun e librit shqip në të ardhmen e afërt.