Aventura e pasaardhësit të Merkel në krye të CDU-së ka zgjatur vetëm pak muaj. Armin Laschet ka thënë se është gati të japë dorëheqjen si kreu i Unionit Kristian Demokratik (CDU) më pak se dy javë pas zgjedhjeve që partia e tij i humbi përballë rivalëve Social Demokratë
60-vjeçari tha se do të kërkonte një kongres special të CDU për të përcaktuar “të ardhmen dhe riorganizimin” e udhëheqjes së partisë. Laschet ka marrë përgjegjësinë personale për rezultatin më të keq elektoral të konservatorëve (24,1%) në historinë moderne gjermane.
Njoftimi, të cilin shumë vëzhgues e prisnin, erdhi pasi Social Demokratët-të cilët përfunduan të parët në votimin e 26 shtatorit-vendosën të vazhdojnë bisedimet paraprake javën e ardhshme me të Gjelbrit dhe Liberalët me qëllim formimin e një koalicioni trepalësh qeverisës.
“Ne do të trajtojmë shpejt pyetjen e ekipit të ri CDU, të kryetarit dhe përfshirë ekzekutivin federal”, tha Armin Laschet në Berlin, më pak se një vit që nga marrja e drejtimit të partisë së Angela Merkel.
“Që nga tërheqja e Angela Merkel nga presidenca e partisë ne kemi pasur një debat të pandërprerë” për lidershipin e ardhshëm, shtoi ai.
Sipas gazetës Bild, kongresi i jashtëzakonshëm i CDU -së mund të mbahet në dyjavorin e parë të dhjetorit në Dresden.