Pamjet “horror” të paraqitura në këtë video janë marrë nga ndeshja e 24 tetorit mes Esperance Tunis dhe Al-Ittihad, e vlefshme për Championsin Afrikan, e cila përfundoi 1-0 për vendësit, që falë barazimit 0-0 në takimin e parë u kualifikuan në fazën e grupeve.
Në minutën e 75-të, teksa tunizianët ishin në epërsi falë golit të Ben Khalifas në minutën e 63-të, portieri libian, Muad Allafi, bën një ndërhyrje të frikshme ndaj bashkëkombësit të tij, Hamdou Elhouni, duke e goditur me takë në qafë. Pamjet janë të rënda, madje u mendua se të dëmtuarit mund t’i ishte rrezikuar jeta. Pas tri minutash, të dy largohen nga fusha, njëri i shoqëruar nga stafi mjekësor, tjetri i ndëshkuar me karton të kuq direkt.
Edhe më i pabesueshëm reagimi i portierit “killer”, që i kërkon llogari gjyqtarit për ndëshkimin maksimal.
Në fund të ndeshjes, Esperance Tunis qetësoi tifozët në Twitter: “Videoja e tentativës për vrasjen e Hamdou Elhouni ka bërë xhiron e botës. Një imazh i keq për futbollin afrikan. Hamdou Elhouni është mrekullisht mirë. Faleminderit Zotit, dëmtimi i Hamdou Elhouni nuk është i rëndë!”
Portieri Muad Allafi iu drejtua rrjeteve sociale për t’i kërkuar falje kundërshtarit fatkeq:
“Betohem në Zot që nuk kisha ndërmend ta lëndoja shokun tim Hamdou Elhouni. Përplasja ndodhi në pak sekonda, qëllimi im ishte të hiqja topin. I kërkoj falje mikut tim Hamdou dhe të gjithë fansave.” Sulmuesi libian i Esperance ka postuar foton e një dite më pas në Instagram, duke u treguar ndjekësve plagën e shëmtuar në qafë.