Regjimi 41-bis në burgjet shqiptare parashikon që të burgosurit me rrezikshmëri të lartë apo që thyejnë rregullat gjatë paraburgosjes ose burgosjes, mund të marrin një trajtim më të ashpër e të rëndë përmes këtij regjimi.
Ky regjim, parashikon izolimin e bosëve të krimit, pasi mund të drejtojnë aktivitetin kriminal edhe nga dhomat e qelive
Gazeta SHQIP mëson se sot janë bërë pjesë e këtij regjimi edhe 3 emra të njohur të drejtësisë.
Aeksandër Llanaj, Redjan Rraja dhe Fatmir Pjetri do të qëndrojnë në izolim për 1 vit, duke pasur edhe reduktim të takimeve me të afërmit apo familjarë të tyre, reduktim të telefonatave, si dhe vëzhgim 24 orë me kamera sigurie.
Ka qenë ministria e Drejtësisë që i ka dhënë “OK” kërkesës së SPAK, ndërsa në diskutim janë edhe disa emra të tjerë.
Po kush janë “të fortët” që u vendosen në izolim?
Aleksandër Llanaj është i dënuar për veprën penale “Vrasje kundër dy ose më shumë personave” dhe është i përfshirë sipas policisë në disa seri atentatesh në Vlorë dhe jo vetëm.
Zanafilla e vrasjeve dhe atentateve që kanë përfshirë familjen Llanaj dhe një grup tjetër, i përbërë nga disa persona me rrezikshmëri të lartë, ka nisur prej vitit 2015.
Sipas policisë një zënkë adoleshentësh pas një feste ditëlindjeve përfundoi me atë që konsiderohet “masakra e Çoles”, me tre të vdekur e tre të dënuar me burgime të gjata, njëri me të përjetshëm dhe dy të tjerë me nga 35 vjet.
Në 7 Prill 2015, pas një konflikti të armatosur, mbeten të vdekur Haki Rakipi, Albi Limaj dhe Alfred Velaj.
Për këtë ngjarje u akuzuan dhe u dënuan Aleksandër Llanaj, me burgim të përjetshëm, si edhe Bertil Aliaj e Ani Begaj me nga 35 vjet burgim.
Redjan Rraja rezulton të jetë përfshirë në dy ngjarje, që krijuan një impakt të madh në opinionin publik shqiptar, siç ishte vrasja e Elton Çiços dhe dhuna ndaj Xhisiela Malokut. Ai rezulton i përfshirë edhe në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja.
Pak ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sekuestroi pasuritë e Redjan Rrajës e familjarëve të tij. Bëhet fjalë për një apartament në Tiranë, dy njesi tregtare, dy garazhe, dy makina tip “Audi – A8”, një automjet ‘Bentley’, një orë “Roleks” dhe një sasi eurosh.
Fatmir Pjetri, i njohur ndryshe me nofkën “Babagjyshi” u ekstradua në shtator të vitit 2019 nga Amsterdami/Holandë drejt vendit tonë. 33-vjeçari është nga Puka dhe rezulton i dënuar më parë në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendimin penal të vitit 2018, e ka dënuar me 30 vjet burg për veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Pak kohë më parë ai tentoi edhe arratisjen nga burgu 313. Ai së bashku me Arbër Çekajn kanë shfrytëzuar momentin e ajrosjes dhe më pas kanë tentuar të hidhen në shesh pushimin e hyrjes së administratës.
Burgjet të cilat po vihet në zbatim regjimi “41 bis” janë të vendosur në Peqin dhe në Tiranë, paraburgimi 313. Pikërisht në këto dy burgje, nga ana e ministrisë së Drejtësisë është montuar teknologjia e monitorimit të të dënuarve, pajisje valë bllokuese dhe sisteme të tjera përgjimi.
Shkon në 10 numri i të izoluarve
Tashmë ka shkuar në 10 numri i të burgosurve të izoluar. Deri tani, ishin vetëm 7 personazhe të njohur të botës së krimit në vend në regjim të posaçëm dënimi.
Arbjon Aliko, i dënuar për vrasjen e efektivit të policisë Ibrahim Basha gjatë aksionit të 2015-s në Lazarat; Emiljano Shullazi, Blerim Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, dhe Endrit Zela, të dënuar si pjesëtar të Bandës së Shullazit; si dhe Genci Balla, i dënuar si Xhihadist dhe rekrutues luftëtarësh që i dërgonte në Siri, janë shtatë të parët që u izoluan në regjimin 41 bis, ku kontaktet një herë në muaj me familjarët dhe telefonatat, do t’i kenë të përgjuara.
Kjo për shkak se ata, edhe pse kane qene të dënuar në burg, kanë mundur të komunikojnë me anëtarë të bandës së tyre apo edhe me anëtarë të bandave të tjera kriminale.
41 bis, është një model italian, që po implementohet për herë të parë në vendin tonë. Ndërkohë që një ndër personat që ka ankimuar këtë vendim të SPAK ka qenë Emiljano Shullazi./