Zyrtarë të lartë talebanë apeluan të shtunën për ndihmë ndërkombëtare për të luftuar një krizë të thelluar ekonomike që ka nxitur frikën për një tjetër eksod refugjatësh nga Afganistani.
Thirrjet, në një takim të posaçëm për të shënuar ditën ndërkombëtare të emigrantëve të OKB-së, nënvizuan prirjen e qeverisë së re islamike talebane për t’u angazhuar me komunitetin botëror, katër muaj pasi ata morën pushtetin në Kabul
Zëvendësministri i Jashtëm i lëvizjes, Sher Mohammad Abbas Stanikzai tha se ishte përgjegjësi e vendeve si Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë bllokuar miliarda dollarë rezerva të bankës qendrore, për të ndihmuar Afganistanin të rimëkëmbet pas dekadash lufte.
“Ndikimi i fondeve të ngrira është tek njerëzit e thjeshtë dhe jo tek autoritetet talebane”, i tha ai konferencës, ku morën pjesë përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare për Migracioni dhe UNHCR, organizata e Kombeve të Bashkuara për refugjatët.
Organet e OKB-së vlerësojnë se miliona afganë mund të përballen me urinë gjatë dimrit pa ndihmë urgjente, por ndihma është penguar nga mosgatishmëria ndërkombëtare për t’u angazhuar drejtpërdrejt me talebanët, pjesërisht për shkak të shqetësimit mbi të drejtat për gratë.
Tërheqja e menjëhershme e ndihmës së huaj pas fitores së talebanëve e ka çuar ekonominë e brishtë të Afganistanit pranë kolapsit. Miliona janë pa punë dhe sistemi bankar është vetëm pjesërisht funksional.