Shorti i Botërorit “Katar 2022”, i 22-ti në histori është vetëm pak orë larg. Sot në orën lokale 19:00 (18:00 me orën tonë), në Qendrën e Shfaqjeve dhe Kongreseve në Doha të Katarit, 32 kombëtaret finaliste do të pozicionohen në 8 grupet e Botërorit të parë që do të mbahet në tokën arabe dhe i dyti në kontinentin aziatik pas atij në Japoni dhe Korenë e Jugut 2002.
Si funksionon?
Por a ka disa vende që nuk janë kualifikuar ende?
Po, për herë të parë në histori shorti do të hidhet pa u njohur të gjitha skuadrat finaliste. Pritet të luhen 3 “play off”-et, një në Europë, me Skocinë që do të luajë kundër Ukrainës dhe dy “play off”-et ndërkontinentale me tek ndeshje që do të luhen në qershor. Zelanda e Re do të përballet me Kosta Rikën, ndërsa Peruja pret fituesit e “play off”-it të Azisë mes Australisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Si ndikon kjo te shorti?
Ka vetëm 5 ekipe të kualifikuara në Vazon 4 dhe tri çiftet e “play off”-it do të plotësojnë tri vendet e fundit të kësaj vazoje.
Cilat janë vazot?
Vazo 1: Katar, Brazil, Belgjikë, Francë, Argjentinë, Angli, Spanjë, Portugali. Vazo 2: Holandë, Danimarkë, Meksikë, Gjermani, SHBA, Uruguai, Zvicër, Kroaci. Vazo 3: Senegal, Iran, Japoni, Marok, Serbi, Poloni, Kore e Jugut, Tunizi. Vazo 4: Kanada, Kamerun, Ekuador, Arabi Saudite, Ganë plus tri fitueset e “play off”-eve.
A është shorti i lirë?
Jo. FIFA do t’i ndajë skuadrat gjeografikisht, por me 13 kombëtare europiane në 8 grupe, do të thotë se 5 nga grupet do të kenë dy ekipe nga kontinenti plak. Kur do të luhen ndeshjet? Oraret do të jenë 11:00, 14:00, 17:00 dhe 20:00.