HomeKryesoreFOTOT/Abdulla Diku: Të pastrojmë Shqipërinë, apo mendjen tonë?!

FOTOT/Abdulla Diku: Të pastrojmë Shqipërinë, apo mendjen tonë?!

spot_img

Nga Abdulla Diku

Prej më shumë se 30 vitesh Shqipëria i është nënshtruar një proçesi të përditshëm ndotje.
Në monizëm ndotja ishte minimale. Jo se kishim ndonjë qasje miqësore me mjedisin atëherë, por çfarë të hidhnim?! Nuk kishte shishe e qese plastike, kanaçe, rrobat po ashtu krejt me pakicë. Shkurt, asgjë për të hedhur.
Emirgrimi drejt perëndimit na dha një dorë të mirë drejt kulturës qytetare edhe ndaj mjedisit, por sërish ishte e pamjaftueshme. Emigrantët jetonin jashtë më së shumti, duke ndikuar pak me sjellje mjedisore këtu. Një ndikim të madh kishte fakti që nuk kishim as legjislacion e as struktura të konsoliduara për mjedisin. U krijua kështu një hapsirë e madhe kohore, ligjore e institucionale për mjedisin. Mjedisi nuk ishte askund në axhendat politike dhe ekonomike. Askund!
Tani pas 30 vitesh, po ndjejmë përditë e më shumë pasojat e asaj çfarë i kemi bërë mjedisit. Duam plazhe te pastër, lumenj të pastër, toka të pastra, burime të pastra, produkte ushqimore të pastra. Asgjë nga këto nuk kemi. Ndotja ka mbuluar vendin nga maja e Korabit deri në det. Ndihemi keq kur na del emri në mediat e huaja se mbetjet tona kanë përfunduar në brigjet e Kroacisë, Italisë a Greqisë. Ndihemi keq edhe kur të huajt na thonë – ‘keni vend shumë të bukur, por shumë i pistë’.
Por nga ana tjeter ndihemi krenarë se jemi shqiptarë. Po çfarë ka për tu krenuar në fakt?!
A mund të krenohesh se ndot vendin tënd?
A mund të krenohesh se nuk edukon dot fëmijët e tu që të mos ndosin?
A duhet të jesh krenar që ngjit maja malesh dhe për të treguar faktin se ti ishe aty, i mbush ato me mbeturina pastaj?
Pse duhet të jesh krenar teksa zbulon një vend të bukur dhe pastaj ja shtron me birra dhe shishet i fsheh nëpër shkurret aty afër?!
Për hir të së vërtetës duhet thënë që s’ka asgjë për tu krenuar. Asgjë!
Ne kemi një problem të madh me mendjen tonë si shoqëri.
Jemi krenarë dhe ‘shpalosim’ flamurin tonë sa herë kemi festa apo evente tjera, por kjo nxjerr në pah gjithashtu faktin sa fallco jemi.
Ç’kuptim ka atdhetarizmi fallco para faktit që ne e ndosim dhe e përdhunojmë tokën tonë?!
Pse duhet të mendojmë presim që do zhvillohemi mbi mbeturinat tona?!
Besoj e dini shprehjen “si gjeli majë plehut”. Ja, kështu jemi në fakt! Ose më saktë, veprojmë si qeni që veçse e largon paksa nga këmbët e veta pisllëkun. Kaq bëjmë ne.
Sot ishim në Shirokë me “Atdhetarët për Shqipëri të pastër” për një aksion pastrimi. Teksa ne pastronim, ashtu si kudo tjetër vendasit rrufisinin kafen dhe zgëdhesheshin me ne që pastronim oborret e tyre. Kjo është Shqipëria sot!
Edhe qeveria ka inicuar plot nisma për ‘Pastrimin e Shqipërisë’. Por duhet pranuar që nuk ka asnjë shqnc që Shqipëria të pastrohet me aksione. Aksionet janë veçse aktivitete ndërgjegjësuese, asgjë më shumë.
Nuk ka kuptim që 50 veta pastrojnë një ditë në muaj ndërkohë që tre milion të tjerë ndosin përditë. As terorikisht nuk ka shqnce që të pastrohet vendi kështu. Me aksione të tilla do rritet akoma më shumë dembelizmi dhe neglizhenca jonë ndaj mjedisit. Le ta ndosim ne se vijnë tjerët të na e pastrojnë…etj.etj.
Ne shqiptarët, së pari duhet të pastrojmë mendjen tonë. Atë e kemi më shumë se pis. Pa i mbushur mendjen vetes që duhet të ndryshojmë sjelljen tonë ndaj mjedisit dhe tokës, s’ka shance të kemi një Shqipëri të pastër.
Duhet që çështja e mjedisit të bëhet çështje kombëtare. Duhet një program masiv edukimi dhe ndërgjegjësimi. Edhe ligji duhet se s’bën.
Duhet futur në ndërgjegjen tonë si komb që ne duhet të sillemi mirë me mjedisin e trojeve tona. Shqiptarët kanë vetëm një Atëdhe, Shqipërinë. Dhe ajo duhet e pastër!
Nuk është vetëm çështje turizmi. Por mbi të gjitha ka të bëjë me shëndetin tonë, dukjen tonë si vend i qytetëruar në sytë e botës dhe në fund i jep kuptim pastaj edhe shprehjes ‘O sa mir me qenë shqiptar’.
Ndryshe gjithçka shumëzohet me zero dhe vazhdojmë me fallsitetin tonë siç kemi bërë deri tani.
Pastrimi i territorit do të thotë të merresh vetëm me pasojat, por jo me shkakun!
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular