BallinaKryesoreUdhëtim në zemrën “otomane” të Turqisë/Nga Kleves Bitro

Udhëtim në zemrën “otomane” të Turqisë/Nga Kleves Bitro

Nga Kleves Bitro

Kur mora vesh se isha ftuar të shkoja në Turqi për një vizitë disaditore e ndava lajmin me disa miq. Padyshim që të gjithë kishin diçka për të thënë për Turqinë, pasi shumë prej tyre e kanë vizituar në mos Stambollin, të paktën disa nga vendet bregdetare si Antalya e me radhë për shkak se Turqia është një destinacion turistik tashmë i mirënjohur për shqiptarët.

Mirëpo kur u thashë që nuk ishte qëllimi të vizitoja as Stambollin (qytet i një trashëgimie civilizimi të madh i shtrirë në dy kontinente dhe ku kam qenë) dhe as ndonjë destinacion të famshëm bregdetar, më panë disi me habi.

E vërteta është se kësaj radhe qëllimi ishte të zbuloja një Turqi më tradicionale, më afër të shkuarës së saj historike, diçka më të thjeshtë dhe njëkohësisht shumë tërheqëse që do të më dërgonte pas në histori, të paktën në kohën e ish perandorisë otomane dhe më përtej.

Destinacioni ishte rajoni i Sakarias, dy orë larg Stambollit me makinë përmes autostradës dhe rrugëve moderne që të çonin kudo e që i kanë ndryshuar imazhin gjithë Turqisë.

Tarakli (fshat i zonës) në veçanti ishte ajo që më interesonte më shumë. Një zonë mes gjelbërimit, zonë e mbrojtur kulturore e shpallur nga OKB-ja si shumë e veçantë për ruajtjen e arkitekturës otomane, kodrave dhe maleve, e mbuluar nga freskia edhe në mes të verës dhe me shumë vende për të vizituar siç do t’i tregoj në mënyrë të detajuar më poshtë.

Ajo çfarë pashë, ishte një Turqi e rimëkëmbur, vibrante, dinamike, entuziaste dhe e zhurmshme në qendrat urbane dhe shumë e qetë në periferi.

Një vend i stërmadh krahasuar me vendin tim, që nuk pushonte kurrë së lëvizuri, së punuari, së argëtuari dhe më e rëndësishmja, nuk harronte kurrë të restauronte, mirëmbante, zhvillonte dhe mbronte gjurmët historike të saj përmes rivitalizimit të një lloji tjetër turizmi, të një lloj tjetër atraksioni që ishte turizmi historik e kulturor në një ambient të qëndrueshëm, të mbrojtur, të kultivuar e të përmirësuar ku e shkuara dhe e tashmja shkriheshin në një.

Pa asnjë dyshim që Turqia është vendi i destinacioneve të pafundme që shkojnë dhe përtej ëndrrave më të çmendura. Të vizitosh Turqinë është një eksperiencë e paharrueshme.

Është një vend ku aventurat të presin në çdo hap dhe cep të vendit. Turqia ofron kujtesë historike, shijet unike dhe magji që të merr frymën me vendet e rralla që të ofron për të vizituar.

Siç e përmenda edhe në fillim, Stambolli nuk ishte qendra e këtij udhëtimi por padyshim që ishte stacioni para nisjes për në Sakaria dhe Tarakli. Kjo do të thotë që për të gjithë ata që nuk e kanë parë ende Stambollin duhet ta vizitojnë, sepse është një qytet gjigant që shtrihet në dy kontinente, në Azi dhe Europë.

Stambolli apo (Konstandinopoja) është kryeqyteti i lashtë i Bizantit, por edhe i Perandorisë Otomane. Stambolli di të kombinojë kulturën moderne me traditën e lashtë.

Stambolli është qyteti i disa detajeve arkitekturore që të shtangin dhe sot. Stambolli i gati 20 milionë banorëve (16 milionë zyrtarisht jetojnë aty sipas statistikave shtetërore, por numri i banorëve dhe nga burime vendase, por edhe nga ajo çfarë shohin në përditshmërinë e tyre njerëzit, besohet se arrin apo edhe tejkalon 20 milionë banorët) është një nga destinacionet më të vizituara të botës.

Qyteti i Sakaryas

 

Qyteti i Sakarias (Sakarya) ndodhet në brigjet e Detit të, Zi dhe ka marrë emrin nga lumi (Sakarya Nehri) i cili është 800 km i gjatë dhe përshkon këtë vend të bukur. Nëse pëlqeni natyrën, historinë, komfortin, Sakaria është vendi i duhur.

Sakaria, e cila ndodhet 150 km larg Stambollit mund të bëhet për rreth 2 orë me makinë dhe është e mbushur plot me thesare natyrore si liqeni Sapanca (Sapanca Gölü), apo parku i mrekullueshëm Acarlar dhe bregdeti i Karasu (Karasu Plajı), dhe ka një trashëgimi kulturore dhe guzhinë të pasur. Liqeni Sapanca është një nga vendet që mund ta vizitoni në ekskursion një ditor.

Mund të shijoni restorantet dhe kafet buzë liqenit. Vetëm 55 km larg nga qendra e Sakarias, liqeni Sapanca është vendi perfekt për njerëzit që dashurojnë piknikun dhe është alternativa e duhur për ata që duan të kalojnë kohën ndryshe jashtë në natyrën e virgjër.

Qyteti i Taraklit

Qyteti i Taraklit është 70 km nga qendra e Sakarias dhe është i vendosur përgjatë rrugës së famshme të mëndafshit. Qyteti është nga qytetet e cilësuara dhe përfshirë në rrjetin e qyteteve me zhvillim te kontrolluar (SlowCity) për shkak të trashëgimisë arkitekturore otomane, e cila është ruajtur ndër shekuj.

Vizita në këtë qytet është si një kthim mbrapa në histori dhe mikpritja e shkëlqyer e vendasve në konakët e tyre të famshëm, është diçka mahnitëse dhe që ia vlen të provohet. Është i vendosur mes Stambollit dhe Ankarasë dhe cilësohet si rajoni historik i Sakarias në rajonin e Marmarasë. 20% vendit është bujqësor, 60%  është pyje dhe 10%  përbëhet nga kullota dhe livadhe.

Tarakli është i vendosur në një luginë të ngushtë dhe rrethohet me male të lartë dhe është i famshëm për ruajtjen e shtëpive të shekullit të 19-të. Në kohët e lashta,Tarakli ishte pjesë e provincës romake të Bithinisë (Bithynia) e cila shtrihej nga Deti Marmara, rrugës së Bosforit deri në Detin e Zi.

Rrapi madheshtor thuajse pesë shekullor në lagjen e Jusufbeut është regjistruar monument kulture nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të Republikës Turke. Një nga ndërtesat më të famshme dhe të rëndësishme në zonë është xhamia e Jusuf Pashait. Xhamia është ndërtuar në vitin 1517 nga veziri i Sulltan Selimit, i nënti në dinastinë e sulltanëve të Perandorisë Otomane.

Afër Taraklit, gjendet parku natyror i Sakarias (Karagöl Yaylası), i cili është i mbuluar i gjithi me pisha, drurë ahu dhe lisa. Është një qendër natyrale e mbushur me oksigjen, ajër dhe ujë të ftohtë.

Ky vend i mrekullueshëm gjendet 21 km në verilindje të Taraklit në lartësinë e 1,200 metrave mbi nivelin e detit. Oksigjeni është me shumicë dhe aty gjenden shumë burime natyrore.   Parku ka disa rrugë për ecje dhe çdo të premte aty organizohet një pazar lokal i cili është shumë i njohur për lugët e drurit prej ahu.

Tarakli është i përfshirë në hartën e programeve të Kombeve të Bashkuara për zhvillimet turistike nga më mbresëlënëset, duke plotësuar të gjitha kriteret e vendosura nga Kombet e Bashkuara për zhvillim natyror të qëndrueshëm. Fshati gjithashtu ka marrë çmimin europian EDEN si një nga destinacionet e shkëlqyera për vitin 2013 (European Destinations of Excellence Aëard in 2013).

Parku natyror i Sakarias mbulon një sipërfaqe prej 1,030 hektarësh dhe është shpallur i tillë në vitin 2011.

Pamjet e pabesueshme të liqenit Sapanca nga kodrat e parkut i shtojnë vlerën pyllit të dendur të parkut duke krijuar një ambient krijues dhe clodhës për vizitorët e qyteteve përreth dhe gjithë zonës. Parku natyror i Sakarias është 12 km nga Sakaria dhe 4 km nga liqeni Sapanca.

Pylli madhështor që rrethon parkun natyror të Sakarias është një vend ideal për ecje me biçikletë, për argëtim, çlodhje dhe për ecje në këmbë në ajrin e pishave. Restorante, markete, kampingje janë të gjitha aty për vizitorët e shijeve të ndryshme.

Liqeni Poyrazlar

I ndodhur në veri të Adapazarı afër fshatit Poyrazlar, liqeni me të njëjtin emër si të fshatit (Poyrazlar Lake) është 8 km nga qendra e qytetit. Është i shtrirë në një sipërfaqe prej 67 hektarësh dhe ka një vijë liqenore prej 2,400 metrash dhe një thellësi që varion nga 3-8 metra.

Me natyrën përqark të paprekur, liqeni i parkut natyral Poyrazlar, pret vizitorë ditorë nga provincat fqinje, të cilët vijnë aty për të shpëtuar nga zhurma urbane dhe stresi i përditshmërisë.

Vizitorët mund të shijojnë ecjen, piknikun si dhe shumë kafshë e shpendë të jetës së egër aty rrotull. Liqeni është vendbanim i shumë zogjve të ndryshëm të ujit.

Sipas kërkimeve të zhvilluara rezulton se janë 154 lloje zogjsh që jetojnë në atë zonë. Rreth e rrotull liqenit janë të vendosura pisha të zeza dhe të verdha. Vetë liqeni me zonën përreth është shtëpia e kafshëve, si: dhelprave, ketrave, lepujve, breshkave, salamandrave, nuselaleve, iriqëve, hardhucave etj.

Lugina e biçikletave dhe lulediellit

I gjendur në Camili fqinj me rrethin e Sakarias, Lugina e luleve të diellit dhe biçikletave mbulon një zonë prej 170 dynym.

Aty gjendet një pistë e përmasave ndërkombëtare për të pasionuarit pas çiklizmit, lojëra për fëmijë, kafeteri, vend për fitnes dhe pistë vrapimi si dhe vendparkim për 150 automjete

Acarlar Longozu, Driloni i Turqisë

Nëse Shqipëria ka Drilonin në Pogradec një atraksion të veçantë, Turqia ka gjithashtu një të tillë, por shumë më të madh në shtrirje pranë Acarlar Longozu (Acarlar Floodplain).

Është një vend i mbuluar nga uji dhe gjethe të mëdha të hapura që jetojnë në ujë të cilat shihen vetëm në vende shumë të veçanta me bimësi të zhvilluar falë ruajtjes së natyrës dhe reshjeve e kohës së freskët.

Kjo mrekulli natyrore mbulon një sipërfaqe prej 1,562 hektarë dhe është një prej atraksioneve më të rëndësishme natyrore të Sakarias.

Është zonë e mbrojtur e klasit A dhe e gjithë zona është e mbushur dhe rrethuar me dru ahu. Kjo zonë e bukur është shtëpia e 243 llojeve të zogjve dhe rreth 2,300 llojeve të bimëve.

Ujëvara Doğançay

Ujëvara Doğançay është rreth 600 metra mbi nivelin e detit. Rruga për tek ajo është shumë e bukur dhe kalon përmes lajthive dhe pyllit që e rrethon.

Është një atraksion më vete dhe vizitohet nga ata që janë vizitorë jo shumë të përkëdhelur të natyrës për shkak të një lloj vështirësie, si në ngjitje ashtu dhe në zbritje përmes shtegut të ngushtë e të rrëshqitshëm natyror.

Është një vend që rrethohet nga banorë punëtorë e që nuk kanë kohë të merren shumë me teknologjinë dhe botën moderne. Ata duhet të punojnë shumë, sepse vera kalon shpejt dhe në lartësinë e maleve dimri është i gjatë dhe përgatitjet për dimër bëhen që në verë.

Duke përshkruar rrugën për të gjetur ujëvarën, na del para një burrë rreth 60 vjeç.

Kishte shtëpinë aty dhe nga kopshti që punonte pasi dëgjoi zhurmën e makinës doli në rrugë duke tundur duart dhe bëri shenjë të ndalojmë. Sigurisht që menduam se diçka nuk shkonte ose ne kishim ngatërruar rrugën dhe ai po na paralajmëronte.

Sapo ndaluam, shoqëruesit me mirësjellje e pyetën se çfarë kërkonte, pse bëri shenjë të ndalonim. Pak i ndrojtur dhe duke parë që ishim të huaj i tha diçka në turqisht shoferit dhe shoqëruesve. Këta të fundit qeshën me të madhe, diçka thanë me burrin që na ndaloi pastaj mes tyre dhe në fund na shpjeguan se ai njeri i mirë na kishte ndaluar për të pyetur për orën. E pra, një zonë krejt e shkëputur nga celularët, televizori, komunikimi përmes e-mailit apo internetit.

Një zonë shumë e bukur, plot me gjelbërim, mes maleve dhe e mbushur me njerëz punëtorë e të mirë që në rastin tonë nuk e dinin sa ishte ora në atë mëngjes (ora meqë flasim për të ishte rreth 09:30).

Si vizitorë kureshtarë na u bë qejfi që u treguam të vlefshëm të paktën për një gjë në ato anë që kishin mbijetuar ndër shekuj pa e vrarë shumë mendjen për botën rrotull.

Ura e Ali Fuat Pashait

Ura e Ali Fuat Pashait lidh qendrën e Geyve me qytetin e Ali Fuat Pashës dhe është e njohur gjithashtu, si ura e Sakarias dhe është ndërtuar në vitin 1495 nga Sulltan Bajaziti i dytë.

Kuzhina e shëndetshme dhe shumë e pasur turke

Kuzhina turke është shumë e pasur, por njëkohësisht edhe shumë sezonale me pjata të përgatitura në shumicën e vet me produkte të freskëta të stinës.

Frutat e freskëta, perimet, vezët, qumështoret dhe mishi janë baza e saj kudo në Turqi. Kjo garanton si cilësinë ashtu dhe proteinat me bollëk të domosdoshme për trupin e njeriut.

Brumërat dhe erëzat që përdoren bashkërisht me sa thamë më lart te kuzhina turke janë jo vetëm të shijshme, por produktet e përdorura kanë antioksidantët e duhur duke kontribuar në kolisterolin e ulët, eliminojnë toksinat dhe forcojnë imunitetin.

Bimët e freSkëta si koper, majdanoz dhe rozmarina përdoren shpesh në ushqimet e preferuara, ndërsa në zonat e Egjeut dhe rajonet e tjera ku rriten bimët që përdoren në ushqim, po të njëjtat bimë dhe bimë të tjera të egra përdoren dhe për prodhimin e ilaçeve shumë cilësore.

Erëzat si piperi i kuq dhe xhinxheri në vetvete janë në vargun e shijeve të preferuara që veprojnë përveç, se duke shtuar shijen e kuzhinës, por edhe si bimë mjekësore gjatë ushqyerjes për njerëzit që kanë nevojë për lëndët e tyre pozitive ndaj organizmit.

Vaji i ullirit tradicionalisht është përdorur për gatim dhe cilësitë e tij janë nga më të mirat për të luftuar peshën e tepërt dhe shërbejnë gjithashtu si antioksidantë natyralë. Në Turqi ushqimi është baza e kënaqësisë kulinare dhe nuk mund të kuptohet asgjë pa e provuar dhe shijuar atë në maksimum.

Prodhime sezonale

Turqia është një vend shumë i gjerë dhe me shumicën e popullsisë që jeton në qendra qytetesh, është më e lehtë për bujqësinë të ketë hapësirën e saj për të prodhuar një gamë të madhe produktesh. Sigurisht që çdo rajon ka specialitete të veta, shumëllojshmëri variantesh dhe plot si këto që në Turqi përdoren prej shekujsh. Përbërësit kryesorë të kuzhinës turke janë domatet, patëllxhanët dhe specat.

Të gjitha këto rriten nën dritën e diellit. Agrumet, shegët, ullinjtë dhe lajthitë rriten të shumta nën klimën bregdetare, ndërsa në luginat e Anadollit gruri dhe drithërat janë me bollëk.

Shumëllojshmëri produktesh do të thotë specialitete sezonale që ftojnë ndërrimin e stinëve dhe promovojnë shëndetin në organizëm përgjatë gjithë vitit.

Bimët dhe erëzat

Kuzhina turke përdor shumë gjethe bimësh të pasura në shije dhe që kanë një impakt përfitues në shëndetin e organizmit. E pasur në vitamina dhe minerale, bimët e egra të përdorura në kuzhinën turke janë me veti shëruese.

Përgjatë zonave të Egjeut dhe në Anadoll do të gjeni një varietet bimësh që janë shumë të çmuara. Ato gjenden në tregjet lokale ose dyqanet e erëzave (aktars).

Erëzat dhe tregu i erëzave janë pjesë thelbësore e kuzhinës turke kështu që, që nga pazari i madh i erëzave të Stambollit, deri në kuzhinën e çdo shtëpie, erëzat janë kudo të pranishme.

Përdoren për shije, por shumë erëza janë të pasura me vitamina dhe përdoren edhe me qëllim antiflamator. Për shembull për një fyt të acaruar një praktikë e zakonshme në kuzhinën e thjeshtë është pluhuri i xhinxherit, kanella dhe pluhuri i erëzave djegëse të përziera me pak mjaltë. Ky lloj ilaçi është kryesisht turk.

Ushqimi në shtëpi

Kuzhina është zemra e çdo shtëpie në Turqi. Kuzhina turke është ndërtuar në atë mënyrë që të ndahet me miq, familjen të ftuar etj. Kjo do të thotë që pjatat përgatiten të mëdha me ushqim të bollshëm dhe shoqërohen me mjaft gjallëri ndërsa përgatiten. Mbështetja e salcës së domates të përgatitur në kushte shtëpie është sekreti për shumë amvisa.

Dashuria dhe kujdesi që tregohet ndaj përbërësve bazikë janë një testament në rolin dhe rëndësinë e ushqimit dhe të ngrënit në mënyrë të shëndetshme në kulturën turke. Në restorantet në të gjithë Turqinë ku shërbehet “ev yemekleri” gatim shtëpie, do mund të gjeni pjata të kuzhinës tradicionale turke, plot me shije dhe shumë vlera ushqyese.

Vaji i ullirit

Ushqimi turk në shumicën e vet gatuhet me vaj ulliri. Madje dhe keku gatuhet me vaj ulliri në vend të gjalpit. Vaji i ullirit ndikon në uljen e kolesterolit dhe ul riskun e diabetit, minimizon goditjet në tru dhe mundësinë e halzajmerit.

Përdorimi i gjerë i vajit të ullirit në ndërveprim me antioksidantë të shumtë që gjenden në bimët dhe erëzat, me të cilat gatuhet në Turqi ndoshta shpjegojnë pse turqit kanë një lëkurë të pastër dhe flokë jetëgjatë e të shëndetshëm.

Për vegjetarianët dhe veganët

Ushqimi turk gjithashtu ka një përqendrim të madh vegjetarian dhe vegan. Me oriz apo drithëra mund të gatuhet shumë mirë si një kompensim ndaj peshkut ose mishit.

Perimet dhe vaji i ullirit, pjatat e përgatitura me sallatë, mezet e të tjera shoqëruese përgatiten me produkte sezonale dhe bimë të freskëta. Meqenëse vaji i ullirit është me shumicë dhe më i lehtë për t’u mbajtur dhe magazinuar se gjalpi, shumë pjata të gatuara me bazë vajin e ullirit janë krejt miqësore me veganët.

Ushqimi i gatuar në Turqi

Yaprak Sarma (japraku) prej gjethesh rrushi të mbushura. Japraku i përgatitur me gjethet e rrushit që mbushen brenda me oriz, rrushin pa fara dhe ullinj të skuqur janë shumë të përdorur dhe të disponueshëm në çdo stinë të vitit. Ngrënia e tyre mund të shoqërohet me lëng limoni që shtrydhet mbi japrakun e që i jep një shije delikate ushqimit.

Enginar Kalbi (angjinarja). Agjinaret qërohen me kujdes duke lënë vetëm zemrën e tyre. Në dimër shpesh mund të shihni brenda dyqaneve, pastruesit e angjinares që punojnë “furishëm”, në këmbët e tyre do të shihni qeset me fletët e qëruara të angjinares dhe duart e palodhura të qëruesve që përdorin thikat pa pushim dhe pa u lodhur rreth angjinareve. Pastaj angjinarja gatuhet deri në  perfeksion dhe shërbehet me vaj ulliri dhe lëng limoni.

Barbunya (mashurka apo bishtajat) janë një tjetër pjatë tradicionale turke. E përgatitur nga fasulet e vogla që gjenden tek bishtaja, pjata është e mbushur me shije dhe një ushqim shumë komod. Llojet e fasuleve të vogla që përzgjidhen nga bishtajat janë ngjyrë kremi me pak ngjyrë rozë. Të gatuara në mënyrë specialë në vaj ulliri dhe salcë domateje, bishtaja apo mashurka është një pjatë plot dashuri që mund të provohet siç është ose me oriz dhe meze të ndryshme.

Çiğ Köfte (petë bullguri) mund të jetë një gjë e shpejtë, tip snack, ushqim i lezetshëm. Bëhet duke përdorur bullgur që është ngjyer në salcë të bollshme pikante domateje.

Për të përftuar këtë ushqim të lezetshëm, bullguri derdhet në petë dhe shërbehet me gjethe sallate krokante, pelte shege dhe limon të freskët. Krokantja e gjethes së sallatës dhe e thartë e limonit kalojnë direkt në bullgurin e shijshëm duke zbutur dhe bërë më të lehtë ushqimin në çdo kafshatë.

Şakşuka (shakshuka) është një pjatë që gëzon reputacionin e përzierësve kryesorë të kuzhinës turke. Domatet egjiptiane dhe patatet piqen dhe mbulohen me një salcë të bollshme domateje dhe ullinjsh. Shpesh shërbehet me kos. Shakshuka është një meze e dashur, e freskët ose pjatë plotësuese për të gjitha shijet.

Mücver (perime  të skuqura) pa diskutim që perimet e skuqura kanë në përbërje më së shumti perime, por sidoqoftë receta më e përhapur është zucchini. Perimet janë të gatuara me përzierjen edhe të koprës dhe majdanozit.

Perimet në fjalë janë të skuqura në vaj ulliri por u shtohet dhe pak gjalpë për shije nëse këtë e do dikush. Shërbehen gjithashtu dhe janë shumë të shijshme me kos ose djathtë të bardhë.

Kalem Böreği (rrotulla të skuqura turke) janë perfekte për t’u ndarë ose ngrënë vetëm si një gjë e shpejtë për të shuar urinë. Brenda mbështjellëses krokante gjendet një përzierje e djathit me bimë të freskëta.

Kripa e djathit me përzierjen në fjalë dhe krokanten të shijojnë kaq shumë sa çdo herë ti kërkon edhe pak më shumë për të kënaqur shijet e tua.

Ëmbëlsirat turke. Shumica e ëmbëlsirave turke kanë nga një histori pas. Falë trashëgimisë kulturore, të pasur dhe mjaft të ndryshme turke, shumica e ëmbëlsirave janë të lidhura me histori urbane që lidhen me formulën e recetës në mënyrë intriguese. Shumë nga recetat e ëmbëlsirave e kanë zanafillën në periudhën otomane apo nga koha e Anadollit apo edhe më mbrapa në histori të Azisë Qëndrore që nga fiset nomade turke.

Ëmbëlsira me bazë frutat: Ayva tatlısı (ftua i zierë me shurup); kabak tatlısı (kungull i zierë me shurup); incir tatlısı (fik i tharë me arra dhe shurup) dhe kestane şekeri (gështenja të ziera me shurup).

Ëmbëlsira me bazë qumështi. Fırın sütlaç (sykliash apo i njohur gjerësisht si oriz me qumësht); tavuk göğsü (puding me qumësht dhe gjoks pule të grirë); aşure (ashure, e njohur dhe si pudingu i Noes (ëmbëlsirë sezonale e përgatitur me qull dhe kokrra gruri, rrush të thatë apo fruta të thata dhe lajthi);  kazandibi (puding me qumësht i karamelizuar); güllaç (gulash i përgatitur me fletë gulashi të holla me shtresë qumështi dhe ujë trëndafili); keşkül (puding me qumësht dhe bajame); pepeçura (puding rrushi); zerde (puding me shafran).

Ëmbëlsira me shurup, si: Bakllava; Kadaif; Künefe (Grurëi shtypur me djathë i shërbyer i nxehtë); Şekerpare (Sheqerpare); Tulumba- (Topa brumi pa maja të skuqura në temperaturë shumë të lartë); Kadaif Ekmek ose Ekmek kadaif një lloj kadaifi turk me puding.

Hallva (Helva) do të thotë e ëmbël dhe është një ëmbëlsirë shumë tradicionale që daton të paktën që në kohën e perandorisë otomane. Hallva me miell ose bullgur bëhet shpesh për festimin e lajmeve të mira si ditëlindja, shërimi i një pacienti, një dasmë, por përdoret gjithashtu për ndodhi të pakëndshme si vdekjet, apo përvjetor vdekjeje.

Tradicionalisht ndahet mes familjarëve, miqve apo fqinjëve pas lutjeve. Hallvaja vjen në forma të ndryshme në Turqi ku lokalitete apo rajone të veçanta bëjnë recetën e vetë të hallvasë.

Disa nga llojet më të famshme janë İrmik helvası hallvaja e thjeshtë prej bollguri, hallvaja me miell, hallvaja e djathit, hallvaja e qumështit, pishmanije (lloj ëmbëlsirë e pambuktë) etj.

Llokumi u shpik në fund të shekullit të 18-të, është një përzierje shijesh me ose pa lajthi. Kjo ëmbëlsirë e butë shërbehet me një gotë kafe turke për të ëmbëlsuar kafen që zakonisht pihet shqeto. Llokumi është një prej suvenirëve më të mirë ëpr të marrë me vete nga Turqia.

Ëmbëlsira turke që nuk janë në kategorinë e bakllavasë, si muhalebi (muhalebija) një tjetër ëmbëlsirë nga më famshmet për turqit. Është ëmbëlsirë me bazë qumështi. Përgatitet me puding që përgatitet me mastikë dhe shpesh mbulohet me fistikë të grirë.

Pişmaniye (pishmanije) është ushqimi më i zakonshëm që mund të gjeni në Turqi është ëmbëlsira e pambuktë, pishmanije që përbëhet nga miell i veçantë skuqur në gjalpë. Në disa vende mund të gjeni ëmbëlsirën të mbuluar me çokollatë me qumësht që e bën atë ekstremisht të ëmbël dhe të famshme.

Revania përgatitet në Turqi me bullgur keku të njomur në shurup të thjeshtë. Disa receta revanish mund të kenë gjera ekstra si për shembull ujë trandafili të hedhur në shurup për ta bërë ëmbëlsirën më aromatike.

Cevizli Sucuk. Kjo lloj ëmbëlsire është e njohur në Turqi si salcë e fermentuar bimësh, sidoqoftë me kalimin e kohës ëmbëlsira është zhvilluar krejtësisht në një gjë tjetër. Ëmbëlsira është e përbërë nga një varg arrash që njomen me molasë rrushi miks, pra të përzierë.

Vetë emërtesa suxhuk i ëmbël ka të bëjë me natyrën e ëmbëlsirës që pasi lihet të thahet pritet në copa dhe shijohet si një çamçakëz i ëmbël.

Të gjitha sa shkruhen krijojnë vetëm një ide të vogël mbi atë që ofron një vend i stërmadh dhe i bukur si Turqia.

Vizitojeni nëse mundeni Turqinë dhe në kujtesën e gjithsecilit do jetë një moment ku mund të ndalesh e të thuash me plotë gojën se ia vlen….

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular