Nga Tomor Kotarja
Sot po sjellim nje cikel me poezi te Tomor Kotares nga libri “Stuhi Yjesh”.
DREJT TEJE
Fluturim nisem drejt teje
Dashuria ime
Si pëllumb flatrabardhë
Dashuria ime,
Tej malit të hirtë
Tej detit trazuar
Tej zjarreve të akullta
Tej ishujve vetmuar.
Perëndi e dashurisë
Gatuar me lot
Me zjarr përvëluar!
Dashuria ime
Stuhi yjesh të dielltë!
SONTE ORËN DUA TA NDAL
Sonte, dua të dehem
Sonte dua kujtimesh të humbas
Sonte, dua shi të bjerë
Sonte dua të rrjedh lumë
Vera e bardhë.
Çastet sonte në zemër dua t`i fiksoj
Orën në mur dua ta ndal
Aromëm e yjeve të marr në krahëror
Të dehem me fjalë.
Sonte gotat dua t`i rrëkëllej me fund
Shpirtin plagë ta mjekoj
Vlagës në gjoks, t`i hedh pakëz nektar
Yjet i dua të ndizen zjarr.
Kjo natë sonte nuk dua të mbarojë
Orët e saj, borxh të m`i japë
S`e dua t`ia them botës me zë të lartë
Jam unë, njeriu me fat!
Sonte çastet i ndezën në vatra zjarret
Shpirtin me flakë ma shëruan
Mbi buzë, të etura mbetën fjalët
Si ditën e parë që u dashuruam.
Sonte gjumi më mori si fëmi në gjirin tënd
Sonte, të dy e ndalëm kohën
Të putha syrin, më puthe shpirtin përvëlim
Se dashuria ime mban gjallë botën.
Sa dua këtë mëngjes,
Të mos kishte zgjim!
Të dy…
Të dehur…
Në përqafim…
PËR DASHURINË TIME
Për dashurinë time,
Zjarret le të digjen
Detet le të ndizen
Malet le të shemben
Yjet le të fiken .
Zemrat, thërrime të bëhen
Dhimbja në lak le të shkojë
Ziliqarët të gremisen honeve
Me zjarrin e shpirtit i sfidoj
Nëse mundet,
Edhe toka le të çahet
Dielli perëndimeve le të shuhet
Qielli le të ndërrojë bojë
Vdekja le të vdesë,
Memece, e pagojë!
Të flasin gojët llafazane
Rruga le të flasë
Guri të pëlcasë!
S`kam frikë të ndizem vullkan
Të fortë si lisat janë krahët e mi
Nuk ndalem pritash, kurrsesi!
Zjarre vullkanesh,
Ishuj smeraldesh,
Anije piratësh,
Guxoj të rrëmbej.
Për Dashurinë time,
Ç`gjej përpara,
Copëtoj e thej!
Dashuria ime,
Jam skllavi yt
Para teje, nuk di të gënjej.
NË KAFENE
Rrezet e Diellit
Mbi filxhanin e kafesë
Formojnë ishuj të vegjël
Vëzhgoj magjepsur figura abstrakte.
Një herë,
Më ngjajnë me flokët e tu
Një herë,
Me flokët e nënës
Një herë me sytë e sime bije.
Pastaj,
Më bëhen
Ndërtesa me shumë kate.
Mes rërës së nxehtë
Plazhistët pinë kafe
Më tutje, një grua lexon filxhanin.
Vetpunësim,
Pa detyrim tatimor
Pa fonde për shtetin
Kosto minimale!
TË DUA ARBËRI
Të dua Arbëri,
Të dua Ty, jo vajzën me emrin tënd
Ty i shtrenjti vendi im
Të ëmblin çdo pëllëmbë.
Me ler të ta them sa të dua
Arbëria ime më je derman
Je toka ku kam rrënjët e degët
Ku rrënjët kanë të parët tanë.
Të thërras me zë të plotë, ta dëgjojë qielli
Hënë e diell ta dëgjojë
Të tunden malet, të dehen mallet
Me asgjë në botë s`të krahasoj!
Perëndi e Olimp ta marrin vesh
Dete e lumenj që të përshkojnë
Në zemër e mbaj moj ylleshë!
Flamurin tënd me shqiponjë!
E bukura ime Arbëri
Shpirtin ma mbush e zemrën ma gufon
Çdo pikë uji, çdo gur e plis
Bukuri qiellore që mbretëron.
Mos u trishto o Zonjë Dardane
Se trupin grabitqarët ta kanë grisë
Dita e së vërtetës ka me ardh
Arnat e shekujve, me ti qëndisë!
Të desha, të dua, e do të të dua
Ti, më e bukura, e imja dashni
Se unë e ti, robërinë s`e duam
Të kam nën lëkurë, Zonja Arbëri!
PUTHMË
Puthmë Jezercë
Puthmë Sazan
Puthmë o Det
Puthmë e merrmë në gji
O dashuri oqean!
Puthmë Tomorr
O mal i shenjtë
Puthmë Dumre
Pllajë lozanjare
Puthmë Valbonë
Puthmë o breg
Siç di të puthë një shtojzavalle
Puthmë o bjeshkë
Korab e kurorë
Puthmë Gjallicë
Stolisur me borë
Më lag shpirtin, ujvarë e Thethit
Më lagni dhe ju, Drin e Ohër
Më lag dhe ti, Bunë lundruese
Që m`fton me zemër të ulem në sofër.
Puthmë e lagëm
Ani!
S`kam merak
Dashnia për ju
Më ka zënë lak.
PULBARDHA DHE SHKËMBI
Një shkëmb
Të moçëm
Kam përballë.
Më tej një lumë
Shtratin e tij
Një dallgë e zemëruar shkumëzon
Me dhëmb, mbi shkëmb
Bën dashuri.
Bën dashuri dhe dashuron!
Diku më tej
Një pulbardhë
Vitet mbi shpinë
Zë ia numëron
Shkëmbi nuk tundet,
Kurrsesi!
N`liri t`jetojë
I mjafton.
DASHURI HYJNORE
Mos u fshih njeri, drizash e ferrnajash
Mos kujto se shkoi dielli e u err
Botës i bën roje një Zotni
Që të sheh, kur frymë jep e merr.
Le ta heqim maskën e përdalë
Që njerëzinë anembanë vesh e mbulon
Në rrugë të drejtë po të ecim
Mbi kokë është Zoti që na mbron.
O krijues i Allahut
Përkujdesi i Padishahut
Qënia jote gjithësinë mbretëron
Tek ti, gjejmë shërimin
Tek ti, gjejmë shpëtimin
Tek ti, gjejmë forcën që na mbron!
QYTETIT TIM
Qytet i dashtun
Je kaq hyjnor
Gjallicën trime
Ke për kurorë.
Në prush, e gatove LIRINË
E lage shtatin me uji Drini
Me zjarr ushqeve dashurinë
Me besë të fortë si Kostandini.
Përflakur rrënjë e taban
Mbrojtur me gjak t`shenjtin vatan
Për guxim e burrëri
Je ti moj Lumë, llavë e vullkan!
FLAS ME RËRËN
Rërës së plazhit
I fola njëherë
Sa breza të shkelën
Ti s`bëre zë
Prite një palë
Përcolle të tjerë
Edhe ata, që s`janë më.
Jeta merr shije në tharmin tënd
Kush nuk të deshi
Kush nuk u çmend
Mbete ilaç për çdo brez
E vlerë si vera
Musht e pekmez
Një herë të vetme
Nuk derdhe lot
Jetë e stinë,
Shkojnë çdo mot…
FOLEZË
Ahishte, akacie, dushk e lajthi
Kumbulla të kuqe plot hijeshi
Kajsi e ftua, rrush kokërr inxhi
M`tregojnë ku kam lënë, folëzën shtëpi.
Kaloj përmbi urën n`vetmi të mbetur
Mulliri vjetër më ndjell si melodi
Me shikim të tretur, kërkoj rininë e ikur
Më duket e plakur, rruga për n`shtëpi
Malet dhe lugjet, m`duket se vajtojnë
Vajin ua ndi, sa herë vijmë e shkojmë
S`ka më këngë e valle, gaz e alegri
E shurdhët më duket, rruga për n`shtëpi
Foleza e fëmijërisë, e shtrenjtë më je
Kur dhimbje të kesh, e plakur të jesh
Sa frymë të kem, e gjallë të jem
Në krahë do të marrë, e ëmbla folezë.
I DESHA YJET
Yjet i mblodha
Grusht në një dorë,
Desha me ta të thurja
Më t`hijshmen kurorë
Duke u dridhur
Më shihnin në sy
Ndjeheshin të vegjël
Ndjeheshin fëmi.
Lotësh më përgjëroheshin
Qëniet e gjora
Burgu i tyre
Po bëhej kurora.
Andaj, nëse dua
Dritë t`më bëjnë prap
Qiellit t`i lëshoj
T`i nxjerr nga ky çark.
T`i shoh tek marrin rrugën
Tutje në perëndim
Kur muzgun pikturojnë
Plot nur e shkëlqim.
Pasi i lashë të lirë
Me veten nisa qesha
Ç`më duhej kurora
Për princa e perëndesha?