Një përplasje e ministrit të Diasporës, Pandeli Majko me Meron Baze, drejtor i gazetës ‘Tema’, nxjerr në pah tensionin që ekziston brenda kampit të kryeministrit Edi Rama.
I akuzuar gjithnjë nga opozita si gazetari “që paguhet nga kryeministri për të sulmuar kundërshtarët politikë”, Mero Baze ka publikuar dje një editorial ku ndër të tjera sulmon (jo drejtpërdrejt) ministrin Majko.
“Ai (Basha) është i pari që ka nisur një aksion politik, për të delegjitimuar palën tjetër dhe për ta caktuar ai se me kë do flasë, e me kë do të ndeshet në betejë. Luzlim Basha do zgjedhje, i do tani, i do pa Edi Ramën dhe do që të caktojë dhe një kryeministër që e pranon ai, në këtë rast Pandeli Majkon, me siguri ngaqë ka dëgjuar kur ka qenë emigrant se ai është kryeministër dezhurn, sa here është nevoja. Kjo gjë është më shumë se banale kur merret seriozisht si tezë politike”, shkruan Baze.
Gazetari përpiqet ta banalizojë lakimin e emrit të Pandeli Majkos për kreun e qeverisë tranzitore, kur thotë se edhe kryeministri Rama mund të caktojë kryetar të PD-së, Lefter Maliqin dhe kryetar të LSI-së, Ylli Shehun.
“Përpjekja e tij për të caktuar udhëheqësin e palës tjetër dhe duke pasur guximin ta quajë këtë dhe lëvizje politike, përveçse e bën njeri qesharak, e bën dhe Edi Ramën të rrezikshëm, pasi i jep atij të drejtë të caktojë kryetar të PD-së, Lefter Maliqin dhe kryetar të LSI-së, Ylli Shehun, pasi ata e pranojnë për kundërshtar në Parlament”, shkruan Baze.
Këtij provokimi i është përgjigjur sot ish-kryeministri Pandeli Majko, i cili ngre edhe dyshime se kush e ka shtyrë Mero Bazen të ndërmarrë këtë sulm. Duke theksuar se i njeh rregullat e politikës shqiptare, Majko e konsideron Bazen ‘lajmës’, i cili po përcjell mesazhin, dhe si i tillë nuk ka faj.
“Jetojmë në kohë të vështira dhe ankthi për politikën! Në dijeninë time, nuk më ka marrë malli të bëj gjëra të cilat i kam përbuzur që ditën që i kam hyrë politikës. Zoti Baze e di këtë edhe kur ai (pa ironi) ishte një bashkëpunëtor luajal i Sali Berishës. Pena e Meros është e rrallë në gjetjën e dobësive të politikës. Sot, ajo, më bëri të qartë frikën e saj. Kësaj të fundit nuk kam cfarë i bëj. Padyshim, frika e frikacakut të vret ndonjëherë më shumë se trimëria e trimit. Në korridoret e politikë shqiptare i njoh rregullat. Një prej tyre është se “Lajmësi nuk ka faj”! Ai është dezhurni i kohës! Sigurisht”, shkruan ndër të tjera ministri socialist.
Baze ka replikuar sërish sot dhe thotë se: “As unë, as gazeta Tema, nuk kemi shkruar që Pandeli Majko është i preferuari i opozitës për kryeministër. Unë e kam perceptuar si tallje të Monika Kryemadhit kur e ka thënë me zë dhe figurë në tv këtë gjë. Por me sa po shikoj nga reagimi zotit Majko, atij i ka ardhur keq që nuk e kam marrë seriozisht idenë e Monikës. Kjo më ka ndodhur ngaqë kam marrë seriozisht Majkon. Nuk e përsëris më.”