Një transplant i vështirë dhe i veçantë i një pjese të mëlçisë është kryer në një spital në Torino të Italisë.
Sipas media të huaja, një burrë me origjinë greke i ka dhuruar një pjesë të mëlçisë vajzës së tij 11-muajshe.
Babi i vajzës, Melinës, ka treguar për mediat greke se e bija ndodhet ende në spital dhe po rikuperohet, ndërsa deklaron se “është një mrekulli të shpëtosh fëmijën tënd”.
“Ishte më e pakta që mund të bëja. Ishte mrekullia e Krishtlindjes ”, ka thënë ai për mediat greke. “Është dhurata më e mirë që mund të kemi si prindër, të shpëtojmë vajzën tonë”, shtoi ai.
Sicc tregon ai, Melina kishte atrezi biliare dhe kishte nevojë për një transplantim të menjëhershëm.
“Bëmë dy operacione në Greqi, një metodë që nuk funksionoi dhe u larguam jashtë vendit”, tha Pantelidis.
Familja qëndroi në Torino për katër muaj pasi u vërtetua fillimisht se babai ishte një dhurues i pajtueshëm.
“Falë Zotit ishim mirë me shëndet dhe e ndihmuam të voglën”, tha ai.
Melina qëndron në spital dhe pritet të dalë brenda javës së ardhshme. Familja do të qëndrojë në Torino për tre muaj që mjekët të monitorojnë shëndetin e fëmijës dhe më pas të kthehen në Greqi për t’u bashkuar me vajzën tjetër trevjeçare të familjes.
“Është e vështirë por duhej të gjenim forcën për ta trajtuar mirë të voglën. Falenderojmë mjekët që e shpëtuan vajzën tonë të vogël”, përfundoi ai.