Në orën 11 të ditës së sotme pritet që kreu i opozitës Lulzim Basha do të firmosë një marrëveshje me artistët dhe aktivistët të cilët prej një viti e gjysmë protestojnë kundër shembjes së Teatrit. Robert Budina tha se nëse vjen policia, kemi të bëjmë me diçka politike, dhe ka rdhur momenti sipas tij për një lëvizje politike.
“Kostot politike do të jenë të mëdha, ju e keni parë që na kanë futur duart në fyt, kanë sulmuar njerëzit. Jemi një hap larg diktaturës dhe nëse mposht artistët nuk do ta ketë aspak të vështirë të merret me këdo tjetër”.
Budina u pyet nga Fax News se pse ka një tërheqje të Policisë.
“Që të vijë policia duhet të ndodh diçka, pra që të vijnë punëtorët. Ju e patë se sa u bëmë dje, por ne mund të bëhemi nesër edhe 20 mijë veta. Ministria e Brendshme del në mbrojtje të krimit, por populli mund të mos përmbahet më. Prandaj them se ka ardhur koha për një marrëveshje politike, që kryeministri të marr vendimin për mosprishjen e Teatrit”.
Çfarë përmban marrëveshja që pritet të nënshkruhet ditën e sotme me Bashën?
“Bëhet fjalë për Teatrin dhe mbrojtjen e demokracisë. Është propozuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, sepse brenda nesh ka juristë dhe PD ka pasur propozimet e veta si dhe ka rënë dakort. Ne bëmë detyrat e shtëpisë dhe këto detyra duhet të kalojnë përmes një lëvizjeje politike aktive që të mos ngelet vetëm në letër por të praktikohen dhe të na kthehet liria”.
Për sa kohë do ta vazhdioni rezistencën tuaj?
“Në fakt, pse nuk shkoni të pyesni kryeministrin? Nëse ai është i paepur për ta vijuar këtë betejë, ne do ti përgjigjemi. Nëse ai vendos të reflektojë dhe ta ndalojë këtë gjë, ndryshon puna. Ai po shkatërron edhe njerëzit që ka pranë, dhe këta njerëz duhet të bëhen të përgjegjshëm dhe të largohen sa më parë nga një politikë e papërgjegjshme”, tha Budina.