Nga Ermal Peçi
Në disa prej shkrimeve apo analizave në të cilat kam shtjelluar këndvështrimin tim, kam shpjeguar se si politikisht përtej propagandës që përdoret në media që tenton t’i pasqyrojë si armiq të egër këta janë vetëm dy bashkëpunëtorë të hershmën, të cilët i shërbejnë njëri-tjetrit në momente të vështira.
Pas Amnistisë Penale dhe votitimit të Reformës Zgjedhore ku favorizon Ramën në çdo aspekt, Sali Berisha i erdhi përsëri në ndihmë Edi Ramës me retorikën e tij të ashpër për shkrirjen e SPAK apo edhe burgosjen e prokurorëve të SPAK.
Në momentin kur SPAK goditi numrin 2 të PS, njeriu më të fuqishëm politikisht të Tiranës, jo vetëm duke shkundur PS por dhe duke rrëzuar narrativën propaganduese të Berishës dhe njerëzve pranë tij, se SPAK nuk guxonte të prekte Veliajn, ai iu rikthye akuzave madje edhe më fort për shkrirjen e SPAK por edhe burgosje të prokurorëve duke shtrënguar dhëmbët kundër Altin Dumanit.
Pavarësisht takimeve dhe propagandimit në media për takimet me amerikanë të cilët kanë dalë në pension dhe nuk përfaqësojnë asgjë institucionale nga administrata Trump. Pavarësisht “Trampistëve” të Berishës për ndryshimin e politikës mbi non gratën duket se kërcitja e prangave mbi Veliajn paska trembur edhe Berishën, i cili ditën e sotme përsëriti thirrjen për të shkrirë SPAK.
Po kujt i shërben kjo retorika kaq e ashpër kundër SPAK, kur në çdo sondazh të publikuar dhe në çdo anketim del se SPAK është institucioni më i besueshëm për shqiptarët.
SPAK ka arrestuar gati 60 zyrtarë dhe bashkëpunëtorë të afërt të Edi Ramës, i ka treguar shqiptarëve që mandati i Ramës në Durrës është i rrëzuar moralisht sepse 3 deputetë të listës së tij gjenden pas hekurave për lidhjet me krimin dhe korrupsionin. SPAK i ka treguar po ashtu që nga Shkodra deri në Fushë-Krujë deputetë të PS janë të lidhur me krimin e në çdo cep të Shqipërisë po tregon se si janë të lidhur fijet e krimit me politikën.
Atëherë pse Berisha kërkon shkrirjen e SPAK , kur SPAK po godet Ramën dhe PS në çdo qelizë të saj. Është e thjeshtë, si Rama dhe Berisha janë të qartë që mbështetja e partnerëve strategjikë si SHBA dhe BE pavarësisht fitores së Trump nuk do të ndryshojë për SPAK. E në këtë realitet politik ata i frikësohen të ardhmes që mund t’ju vijë si një paralajmërim për fatin e tyre politik e penal.
Siç thoshte edhe Platoni “Vlera e një burri është ajo se çfarë bën me pushtetin” e këta në fakt si dy politikan të cilët kanë të paktën 20 vite në këtë simbiozë politike ata e dinë se çfarë kanë bërë, ashtu siç shumë mirë e dinë se rrëzimi i njërit vjen si boomerang për rrëzimin e gjithë klasës politike, e cila mban në shpinë mëkatet për shkatërrimin e Shqipërisë.