Mërgim Mavraj, ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, ishte kandidat për deputet nga Koalicioni për Familje në Zgjedhjet e vitit 2025 në Kosovë.

Pasi janë numëruar të gjitha votat, është mësuar se ish-mbrojtësi kuqezi ka marrë 1806 vota. Numër ky i vogël për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Mavraj i cili ishte kapiten i Shqipërisë pas pensionimit të Lorik Canës, u largua nga futbolli gjatë vitit 2022 kur ishte 35 vjeç. Ai ishte te skuadra e Turkgucu Mynih kur vendosi të tërhiqej nga futbolli.
I vetmi që ka siguruar një karrige në Kuvendin e Kosovës është trajneri i mirënjohur, Bylbyl Sokoli. Ai garoi si pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje, duke siguruar plot 14,554 vota.

Duke pritur ende votat nga Diaspora, shanse të mëdha për t’u bërë deputet ka edhe babai i Granit Xhakës, Ragip Xhaka. Aktualisht, ai numëron 13,221 vota, ndërsa me votat nga mërgimtarët mund të sigurojë një karrige në Kuvend.