Spitali i Pediatrisë së Specialiteteve në QSUNT ka hapur dyert sot me ambiente të transformuara dhe kushte bashkëkohore ku do të ofrohen shërbime shëndetësore universitare sipas standardeve evropiane nga e gjithë Shqipëria.
Transformimi i infrastrukturës së godinës do mundësojë diagnostikim të avancuar, trajtim multidisiplinar dhe mbështetje për rastet më komplekse pediatrike.
Kryeministri Edi Rama i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit tha se “sot mund të flasim për ndërhyrje realisht të paimagjinueshme, deri disa vite më parë në Qendrën Spitalore, për operacione fëmijësh, për shembull, me probleme që, deri dje adresoheshin vetëm në spitalet jashtë vendit”..
“Më vjen shumë mirë, që mjekëve dhe infermierëve të Pediatrisë u japim mundësinë e një tjetër strukture të standardeve më të larta bashkëkohore, ndërkohë që së shpejti me financimet e këtij viti do të realizojmë dhe transformimin e strukturës së tretë të Pediatrisë Infektive. Është viti me buxhetin më të lartë për shëndetësinë, 1 miliardë euro, një buxhet i lartë dhe paimagjinueshëm disa vite më parë, të cilin do të bëjmë çmos ta realizojmë me cilësi dhe duke rritur kapacitetet, jo vetëm këtu në Qendrën Spitalore, por edhe në të gjithë rrjetin e shërbimit shëndetësor të Republikës”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se “jemi thuajse në përfundim të punës për të futur dhe një shërbim tjetër, i cili është një shërbim i ri, falë një bashkëpunimi me një organizatë shumë të njohur në fushën e mbështetjes së fëmijëve, miq izraelitë që janë ofruar të sjellin këtu këtë shërbim që është shkolla pranë Pediatrisë dhe që do t’u japë mundësinë fëmijëve që qëndrojnë në Spitalin Pediatrik, që njëkohësisht të marrin dhe mësim dhe të mos mbeten mbrapa me shkollë, por natyrisht me një metodë dhe me një program që i përshtatet edhe gjendjes së tyre jo optimale shëndetësore”.
Kryeministri Rama foli edhe për projektin e partneritetit në menaxhimin e spitaleve. “Kanë ardhur menaxherët nga Turqia, të cilët do të qëndrojnë për disa ditë në Spitalin Memorial dhe pastaj do të vendosen në spitalet që tanimë kanë kartën e autonomisë spitalore, përfshirë dhe Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, çka do të na japë një ndihmë shumë të madhe në atë që vërtetë na mungon ose që është vërtetë pika më dobët sot në sistemin tonë spitalor, që është menaxhimi profesional, përtej administrimit që bëhet në pavijone nga shefat e pavijoneve”, tha ai.
Gjithashtu, Rama foli edhe për partneritetin me qendrën spitalore SHEBA në Izrael e cila është në rrugën e duhur. Ai bëri me dije se janë në diskutime për “hapjen e një laboratori të Inteligjencës Artificiale në Spitalin e Onkologjikut i cili do të jetë rajonal dhe do të ndihmojë personelin shëndetësor, por edhe në të gjithë rajonin dhe njëkohësisht që do të na japë mundësi që të përfitojmë nga puna e laboratorëve të tjerë të këtij kostelacioni, duke hapur praktikisht një perspektivë të re për mjekët që janë të dëshiruar të eksplorojnë më shumë në profilin e tyre dhe janë të dëshiruar të kontribuojnë më shumë për të sjellë inovacion dhe zgjidhje të reja përmes teknologjisë”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh se Misioni i shëndetësisë tonë është të shërojë dhe të shpëtojë jetën e çdo qytetari, por kur bëhet fjalë për fëmijët ky mision kalon në dimensione përveç se profesionale edhe njerëzore.
“Ndaj ne sot jemi këtu për ta vijuar këtë mision, për rritjen e kapaciteteve dhe të shërbimeve për trajtime inovatore dhe kushte më të mira për pothuajse 10 mijë fëmijë e familje që marrin shërbim çdo vit. Në këtë godinë që hap dyert sot “ Godina e Specialiteteve” janë të vendosura reparte të rëndësishme si ai i Nefrologjisë, i Dializës Pediatrike, i Fizioterapisë, i Pneumologjisë, i Alergologjisë, Shërbimi i Kirurgjisë Infantile dhe Laboratori i Biologjisë Molekulare. Janë vendosur në fakt dhe ofrohen shërbime më të sofistikuara siç është Shërbimi i Laboratorit që Gjenetikës Klinike, një shërbim ky unik për të gjithë Shqipërinë. Ajo dhe Laboratori i Citogjenetikës Molekulare që për herë të parë na ofron trajtime të specializuara dhe të personalizuara, shumë më shumë efikase dhe me një përqindje më të lartë suksesi në trajtimin e leucemive”, tha Koçiu.
Ministrja nënvizoi se ky spital tashmë i cili ofron 140 shtretër, 17 poltron atë trajtimit ditor dhe mbi 230 punonjës që do të shërbejnë në këto ambiente, do të bëjnë një ndryshim cilësor në shërbimin që ofrohet ndaj fëmijëve.
“ Ambientet e reja janë konceptuar jo vetëm si ambiente ku ofrohen shërbim shëndetësor, por dhe si ambiente miqësore dhe pse jo edhe argëtuese për fëmijët që vijnë dhe marrim shërbim këtu. Për herë të parë kemi akomoduar dhe ambiente dedikuar shkollës, për të asistuar ata fëmijë e ata të vegjël që kalojnë një kohë më të gjatë në këtë spital. Sigurisht që puna për të arritur deri këtu ka nisur vite më parë. Ka nisur me fazën e parë që është ambienti ku ne kemi vendosur urgjencën e pediatrisë, reanimacionin dhe sallat e kirurgjisë. Dhe sot vijon me këtë fazë të dytë me këtë godinë që hap dyert sot, ku kemi shërbimet e specialiteteve”, u shpreh ajo.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se “i gjithë ky investim do të vijojë edhe me Pediatrinë Infektive për ta mbyllur kështu të gjithë Korpusin Pediatrik, për ta bërë një model shërbimi për të vegjlit tanë në të gjithë Shqipërinë. Është një investim i buxhetit të shtetit realizuar me mbështetjen edhe të Bankës Botërore, i cili ka bërë të mundur që të kemi një hapësirë më të organizuar, më të avancuar në kapacitete dhe më të transformuar në kushte”.
Sipas saj, “diferencën midis pediatrisë që ishte dhe asaj që është sot më mirë se ju nuk e bën askush”.
Ministrja Koçiu bëri me dije se “për të përmirësuar edhe më shumë protokollet klinike dhe kapacitetet jemi duke bashkëpunuar dhe me spitalet e institucionet ndërkombëtare me vendet fqinje, por edhe me vende më larg, ku mjafton të përmendim këtu Italinë, Turqinë, Holandën. Princess Maxima Centre është një nga Qendrat me të cilën Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza lidhi një memorandum bashkëpunimi jo më larg se dy ditë më parë për të ofruar gjithashtu një shërbim të rëndësishëm dhe mbështetës për të gjithë stafin që punon një onkopediatri. Unë besoj fort që marrëveshja me një Qendër më nga prestigjiozet në Europë përsa i përket onkopediatrisë do të mbështesë akoma më shumë kapacietet në spitalin tonë. Dhe mjafton të kujtoj këtu dhe Sheba Medical Center me qendër në Izrael, një nga qendrat më prestigjioze në botë e cila gjithashtu do të ofrojë shërbim për onkopediatrinë”.
Koçiu foli edhe për programet e imunizimit, depistimit, parandalimi dhe diagnostikimi të hershëm tek fëmijët dhe së fundi edhe dy programet më të reja që kanë të bëjnë më Depistimin e Skoliozës për fëmijët e shkollave 9-vjeçare si dhe programi i dëgjimit tek neonatët.
“Pas disa javësh ne do të fillojmë ndërtimin e një Qendre Kombëtare Rehabilituese për Fëmijë me aftësi speciale, shumë afër qytetit të Elbasanit e cila gjithashtu përmbush detyrimin dhe angazhimin tonë për t’i ofruar fëmijëve shërbim në të gjitha format. Sigurisht që jam e bindur se me fuqizimin e përgjithshëm të të gjithë sektorëv të shëndetësisë duke zbatuar ngushtësisht edhe strategjinë e shëndetit 2025-2030 për fëmijët, për nënat për familjet shqiptare do të ofrojmë akoma më shumë”, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu.
Kryeministri Rama dhe ministrja Koçiu vizituan edhe mjediset e reja të spitalit ku u takuan me stafin e mjekëve dhe infermierëve.
Spitali i Pediatrisë së Specialiteteve e organizuar në 5 kate ofron shërbime në Nefrologji dhe Dializë Pediatrike, Shёrbimi i Laboratorit tё Gjenetikёs Klinike, Shërbimi i Onkohematologjisë, Shërbimi i Specialiteteve 2 për neuropsikiatri, gastroenterologji, endokrinologji dhe okulistikë, Shërbimi i Specialiteteve 1 Pneumo-alergologji, Shërbimi i Kirurgjisë Infantile, Njësia e Konsultave Pediatrike si dhe Njësia e Rehabilitimit Fizik (fizioterapia).
Spitali ka një kapacitet prej 140 shtretërish ku parashikohen rreth 35000 konsulta në vit, mbi 24500 ekzaminime të tjera specifike (eko, ct, grafi, timpanografi, spirometri, audiograme etj) dhe mbi 5000 ekzaminime laboratorike përmes konsultës ambulatore pediatrike.
Mjekët dhe infermierët do mund të ofrojnë shërbime përmes aparaturave të teknologjisë më të fundit dhe në ambiente moderne duke garantuar rritje të cilësisë sipas standardeve më të mira bashkëkohore dhe mundësi më të mira për trajtimin e pacientëve. Investimi në Spitalin Pediatrik të Specialiteteve mbyll ciklin e një investimi kapital, faza e parë e të cilit ishte ngritja e Spitalit të Ri Pediatrik ku është vendosur Urgjenca, Reanimacioni dhe Kirurgjia dhe me investimin në Pediatrinë Infektive përmbyllet i gjithë Korpusi pi Spitalit Pediatrik Pediatrik në QSUNT.