HomeTe tjera“Neli im i dashur, ti s’duhet të synoje në asnjë mënyrë te...

“Neli im i dashur, ti s’duhet të synoje në asnjë mënyrë te vajza e Qazim Turdiut për t’u fejuar me të, pasi…”- Zbulohet letra e panjohur që Mehmet Shehu i shkroi djalit të tij Skënderi në Suedi në 3 dhjetor 1981

spot_img

Nga Dashnor Kaloçi/ Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë 18 dhjetori i vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës 31 të Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!

Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, gazeta ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë e de-klasifikuar dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota, me faksimilet përkatëse.

Në dosjen në fjalë, përveç dëshmive në hetuesi të dëshmitarëve apo të pandehurve, gjenden të plota dhe akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, zv/ministri Xhule Çiraku, kryetari i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Elham Gjika, zv/drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Lahedin Bardhi.

Në këtë dosje, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit, grupit të tij të shoqërimit dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje e, deri korrespodenca me letra të Mehmet Shehut dhe Fiqretes (shkruara me dorën e tyre), për djemtë, Bashkimin dhe Skënderin, deri në ditët e para të dhjetorit 1981.

Por, edhe pse kemi të bëjmë me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur se si ka funksionuar regjimi komunist i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga dëshmitarët dhe personat e pandehur, që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga disa prej hetuesve të kësaj çështje, (kryesisht pas viteve ’90-të), është bërë e ditur se ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe tortura e dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.

Madje për disa prej të pandehurve të këtij procesi hetimor, konkretisht në rastin e Fiqret Shehut, pyetjet janë hartuar nga vetë Enver Hoxha personalisht (me shkrimin e tij) dhe u janë dërguar hetuesve, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai (të cilat i kemi bërë publike me faksimilet përkatëse në shkrime të kaluara) dhe të gjitha këto, për të bërë të mundur “zbulimin e grupit armiqësor të poli-agjentit Mehmet Shehu”, me qëllim për të justifikuar vetëvrasjen e tij (sipas variantit zyrtar)!

Në këtë kontekst të paranojës së diktatorit Enver Hoxha, u arrestuan dhe u vunë në bankon e të akuzuarit; Kadri Hazbiu (ish-anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ministri Brendshëm e i Mbrojtjes), Feçor Shehu (ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Brendshëm), Nesi Nase (ish-ministër i Punëve të Jashtme), Llambi Ziçishti (ish-ministër i Shëndetësisë), Llambi Peçini (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së), Elham Gjika (ish-kryetar i Hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme), Gani Kodra (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe familjes së Mehmet Shehut), Kristofor Martiro (ish-hetues i “grupit armiqësorë të Beqir Ballukut”), Ali Çeno (ish-përgjegjës i grupit të shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu), Xhavit Ismailaga (ish-berber i Hotel “Dajti”), Idriz Seiti (ish-kolonel i Sigurimit të Shtetit, kryetar në Degët e Punëve të Brendshme në Kukës e Lezhë dhe kryetar dege në Ministrinë e Brendshme, për ruajtjen, sigurimin dhe ekzekutimin e personave antiparti), Lirim Pëllumbi (ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit), Qamil Mane Islami (ish-kolonel në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve pranë Ministrisë së Brendshme), Duro Shehu (vëllai i Mehmet Shehut, ish-komisar në drejtorinë e Aviacionit Luftarak të Ministrisë së Mbrojtjes), Fiqret Shehu, bashkëshortja e Mehmet Shehut, me dy djemtë e tyre, Bashkimin dhe Skënderin, etj., etj.

Nga ky “grup armiqësor”, katër të parët (Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini), u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, kurse të tjerët u dënuan me burgime të rënda, nga ku u liruan vetëm në vitin 1991, me përjashtim të Fiqret Shehut, e cila vdiq në burg në vitin 1987, në rrethana misterioze dhe ende të pazbardhura, si dhe djalit të madh të familjes Shehu, Vladimirit, që gjithashtu vdiq në rrethana misterioze ende të pazbardhura, në qytetin e Gramshit, (varianti zyrtar; vetëvrasje), ku ishte internuar me familjen e tij, në janarin e vitit 1982. Për më shumë rreth gjithë këtyre ngjarjeve, etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

LETRA E KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHU, ME SHKRIMIN E TIJ, DËRGUAR MË 3 DHJETOR 1981, DJALIT TIJ, SKËNDER SHEHU, NË STOKHOLM TË SUEDISË, KU AI VAZHDONTE STUDIMET PASUNIVERSITARE

I dashuri dhe i shtrenjti Neli

Në këtë letër që po të dërgoj, do të shkruaj për një problem, për të cilin qysh në fillim, dua të të them që në fillim, si baba e si komunist, që ta presësh me gjakftohtësinë që të karakterizon, do të trajtoj një problem që dua ta kuptosh e, ta gjykosh ashtu siç duhet, si komunist si revolucionar, siç e kërkon interesi i Partisë. Dhe unë kam besim të plotë, se ti kështu do ta kuptosh, e ta gjykosh problemin.

Po hyj drejt e në thelbin e problemit, o Neli im i dashur.

Që kur ndodhi ajo që ndodhi dhe ti u largove për aty, mëndja jonë është vazhdimisht, ditë e natë, vetëm te ti; mendojmë për vuajtjen tënde shpirtërore për gabimin që bëre, gabim që u thellua pastaj, kryesisht nga unë, që të dhashë autorizimin, që s’duhet ta jepja, por të të ndihmoja, që edhe ti të largoheshe nga ai propozim i gabuar që bëre në lidhje me fejesën me atë vajzë nga një rreth familjar armiqësor, fejesë të cilën, pasë vetëm pakë ditësh e prishe, (u ndave me vajzën), pasi me ndihmën e Partisë, personalisht të shokut Enver, edhe unë, edhe Fiqreti, edhe vetë ti dhe në të gjithë e kuptuam, se fejesa jote me atë vajzë, ishte një gabim i madh politik, klasor.

Siç ta kam thënë kur të ktheva nga rruga për në Suedi (nga Athina), kur e gjykuam çështjen e fejesës, krejtësisht të gabuar, nga pikëpamja e parimeve të Partisë sonë mbi luftën e klasave, përgjegjësinë kryesore për lidhjen e fejesës, e kam unë, që duhet të të thoshnja; “Jo Neli”; përgjegjësi për këtë, ka dhe Fiqreti; por që të vajti syri, mëndja dhe zëmra te ajo vajzë, edhe ti ke gabimin dhe përgjegjësinë tënde nga ana jote; ti nuk duhet të synoje në asnjë mënyrë te vajza e Qazim Turdiut, e të vinte mëndja për t’u fejuar me të, por të shikoje për ndonjë vajzë tjetër, me përbërje politike shoqërore revolucionare (e të tilla ka me mijëra dhe me mijëra në vendin tonë socialist), siç kemi pas biseduar disa herë bashkë, siç të kemi këshilluar kurdoherë dhe siç e di dhe ti si komunist.

Unë besoj se ti e ndjeve gabimin që ne……(nuk lexohen disa fjalë, shënimi ynë), e të mos kishe ardhur fare me atë propozim që bëre. Dhe e di që kjo të bën që të vuash shpirtërisht, por ne di që je edhe i vendosur që t’ja lash Partisë këtë gabim, me qëndrimin të drejtë parimor, si ai që more kur e ndave vajzën, por edhe me punë dhe luftë për zbatimin konsekuent të vijës së Partisë gjer në fund.

Unë duhej të kisha thënë “Jo”, menjëherë dhe në mënyrë të prerë, duke u bazuar qoftë dhe në vetëm ato informata që me dhe ti qysh në fillim, për rrethin familjar të Qazim Turdiut. Fiqreti nuk duhej të stepej, të lëkundje e të hezitonte, por edhe ajo duhej të thoshte; “Jo”, në mënyrë të prerë dhe kategorike, edhe mua duhej të më kundërshtonte, kur unë shpreha mendimin e gabuar se; një fejesë e tillë mund të bëhej, duke më konsideruar në këtë rast, vetëm rrethin e ngushtë të vajzës (që edhe ai rreth i ngushtë, nuk është i përshtatshëm plotësisht, dhe duke u tërhequr edhe nga sentimentalizmi im i tepruar, ndaj teje.

Për këtë gabim të madh që unë bëra, gabim që ishte në dëm të interesit të parimeve të luftës klasore të Partisë, ashtu (në të njëjtën kohë) edhe në dëm të interesit të familjes sonë revolucionare, e cila nuk ka asnjë njollë të këtillë në të gjithë të kaluarën e vetë si e tillë, dhe edhe në dëm të interesit tënd, që je djali im, – për këtë gabim të rëndë politik, unë kam përgjegjësi, s’më lejohej mua që të bëja këtë gabim e, për këtë më vret shumë ndërgjegjja, pavarësisht se faj dhe përgjegjësi ka dhe Fiqreti, dhe faj e përgjegjësi ke dhe ti për këtë.

Këtë gabim dhe përgjegjësi, Neli, unë e ndjej jashtëzakonisht rëndë në ndërgjegjen time, po ashtu dhe Fiqreti, dhe për këtë ne kemi bërë dhe autokritikë para Partisë, dhe më një gabim të tillë, ne nuk do të bëjmë kurrë. Jam i bindur se edhe ti e ndjen përgjegjësinë tënde, dhe që kurrë nuk do të biesh në gabime të tilla. Këto i them, jo që të shfajësohem unë se e ndjej dhe këtë ia kam thënë dhe Partisë, si e thashë edhe më lartë, se me një “Jo”, nga ana ime, kur ti ma shtrove çështjen në fillim, ti, siç më the edhe vetë, aq sa unë dhe në atë kohë, (kur më kërkuan) autorizimin për……(nuk lexohen disa fjalë, shënimi ynë), për vajzën e Qazim Turdiut, që ka dy vëllezër të arratisur, etj., patjetër që do të kisha hequr dorë e, puna nuk do të kishte marrë rrugën e keqe që mori, por këto i them edhe si komunist, edhe si baba që e njeh zëmrën tënde, se edhe ti që e ndjen përgjegjësinë tënde dhe e kupton me zëmër dhe ndërgjegje, se unë gabova jo e qëllim që të bëja dëm ty, por nga dobësia ime e tepruar për ty, nga dashuria ime për ty. Po ashtu dhe Fiqreti.

U nisëm për mirë dhe bëmë keq, menduam dhe thamë se kishim vendosur drejt, por vendimi (nga ana ime kryesisht, pastaj edhe nga Fiqreti, por edhe nga ti, sepse edhe ti je komunist, anëtar Partie, jo i ditës së sotme, por me një stazh të mirë në Parti), pra vendim ishte krejtësisht i gabuar nga ana politike, ideologjike, klasore; në familjen tonë revolucionare, nuk duhej të hynte (dhe nuk duhet të hyjë kurrë), si nuse e djalit tonë, një vajzë me një prejardhje nga një rreth familjar armiqësor!

Gabimi u bë. Por me ndihmën e Partisë, Mësuesit tonë të pagabueshëm, personalisht të shokut Enver, që i jemi mirënjohës përjetë, gabimi u ndreq menjëherë, fejesa e papërshtatshme nga ana e luftës klasore të partisë, u prish.

Në këtë furtunë kontradiktash dhe në kuadrin e këtij gabimi i dashur Neli, ti reagove drejt, si komunist që kishe gabuar, por që e kuptove gabimin kur t’u shpjegua, reagove me gjakftohtësi të madhe, dëgjove fjalën e Partisë, vure interesin e Partisë mbi të gjitha, dëgjove fjalën time dhe të Fiqretit (si komunistë dhe prindërit e tu të dashur), dhe fjalën e të gjithë familjes e veprove si duhej vepruar; e prishe fejesën e porsa-lidhur, që duhej prishur me doemos dhe pa hezituar e menjëherë.

Dhe kjo na gëzoi edhe neve (mua dhe Fiqretin), që kishim gabuar në atë rast kur u bë gabimi (fejesa), u gëzuam edhe e gjithë familja, farefisi, shokët e Partisë, vetë shoku Enver, gjithë dashamirësit. U hidhëruan vetëm armiqtë e klasës. Por unë ta them, hyj…..(nuk lexohen disa fjalë, shënimi ynë), ashtu siç ja kam thënë dhe Partisë, se përgjegjësinë kryesore e kisha unë, për atë autorizim të gabuar që të dhashë, për fejesën e gabuar, i nisur nga sentimentalizmi im i tepruar ndaj teje dhe që, në vend që të tërhiqja e të nxirrja nga gabimi yt, të dëmtova edhe ty, duke dëmtuar në radhë të parë interesin e luftës klasore e të Partisë, por edhe interesat e të gjithë familjes.

Ah mor Neli im i dashur, sa më mundon kjo që bëre! Ky mundim i rëndë shpirtëror që më ka mbërthyer, veç kurrë nuk do të bëhet shkak demoralizimi e kapitullimi, por, megjithatë, ai do të më ndjekë si hije gjithë kohën, në etapën e parë të jetës që më mbetet akoma për të jetuar, pas kësaj moshe të avancuar, gjer sa të shoh ty të martuar, me një vajzë të mirë, siç të kam këshilluar disa herë, dhe pastaj në etapën tjetër që ndoshta do më mbetet për të jetuar akoma, do të vazhdoj të më ndjekë si hije kjo vrasje ndërgjegjeje, gjer sa të mbyll sytë, duke ja shlyer Partisë gabimin që bëra, me qëndrim besnik, me luftë klasore konsekuente, me punë të dobishme. Po kështu edhe Fiqreti. Por këtë kështu e ndjejnë, edhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes.

Gabimin që bëmë o i dashur Neli, duhet t’ja lajmë Partisë, duhet t’ja lajmë në kuptimin e drejtë të gabimit që bëmë, (edhe ti bashkë me ne, me mua dhe Fiqretin), me qëndrim të drejtë politiko-ideologjik, parimor, gjithmonë në interes të Partisë dhe të Popullit, socializmit, me luftën kundër armikut të brendshëm e të jashtëm gjithmonë konsekuent, siç e kërkon vija e përgjithshme e drejtë e Partisë, mësimet e shokut Enver, me punë të palodhur, me forcimin e vigjilencës dhe të disiplinës, sepse Partia, Shteti dhe populli, kanë halle të mëdha dhe detyra historike, siç i përcaktoi Kongresi i 8-të i Partisë, dhe ne duhet të jemi gjithmonë në ballë të luftës, si komunistë, për të kapërcyer këto halle të Partisë, të shtetit dhe të popullit, dhe për të zbatuar detyrat madhështore të Kongresit në kushtet e rrethimit imperialisto-revizionist.

Imperializmi amerikan dhe social-imperializmi sovjetik e kinez dhe aleatët e tyre, e kanë halë në sy Shqipërinë Socialiste, prandaj duhet, që edhe gabimet kur i bëjmë, duhet t’i ndreqim të shtrëngojmë radhët tona, si komunistë dhe si popull, të forcojmë unitetin e mendimit e të veprimit, dhe të ecim gjithmonë përpara në rrugën e Partisë. Këto s’janë “propagandë”, por realitet historik.

Duke gjykuar çështjen në këtë kuadër dhe duke reflektuar dhe ri-reflektuar thellë, ditë e natë, unë kam arritur në konkluzionin se, në kushtet e krijuara, të para të gjitha në kompleksitetin e tyre, ne duhet t’i rikthehemi atij mendimi që shfaq edhe ti vetë, me iniciativën tënde, kur u ktheve nga Athina dhe po gjykonim prishjen e fejesës, domethënë t’i rikthehemi mendimit që ti shfaqe ahere, për të ndërprerë studimet e tua pasuniversitare në Suedi.

Ti atëhere the se edhe mund të mos ktheheshe në Suedi, për të vazhduar gjer në fund studimet pasuniversitare, por të shkoje vetëm sa për të marrë plaçkat e tuaja e pastaj të riktheheshe në Tiranë dhe të shkoje të punoje si inxhinier në ndonjë uzinë, ose të bëje një kurs të shkurtër, gjer nga fundi i këtij viti (1981), e të ktheheshe. Kurse ne të thamë që të shkoje dhe ta mbaroje të gjithë studimin pasuniversitar, katërvjeçar, sipas programit origjinal. Dhe ashtu bëre.

Nga sa na ke thënë, ti gjer sot i plotësove me sukses provimet e dy vjetëve të para, të kursit katërvjeçar pasuniversitar. Tash mbeten edhe disa provime dhe temat shkencore etj., për t’i vazhduar sipas programit të dy vjetëve të tjera që kanë mbetur. Duke marrë parasysh të gjitha këto, unë mendoj që ti të mbarosh sa më parë që të jetë e mundur, edhe provimet që ke tash ndër duar (e kjo s’besoj të shkoj më gjatë se gjysma e parë e muajit janar 1982, në mos edhe më parë, aq më mirë) dhe të kthehesh në Tiranë…! Memorie.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular